Në veri të Kosovës po përgatitet një konflikt i kontrolluar me Serbinë!

Opinione

Në veri të Kosovës po përgatitet një konflikt i kontrolluar me Serbinë!

Nga Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 15:31
Veriu i Kosovës

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Gelbard, e cilësoi UÇK-në në vitin 1998 si një organizatë terroriste. Edhe sot ka politikanë që e kritikojnë dhe e trajtojnë si një rast të veçantë. Në fakt unë besoj se deklarata e tij e atëhershme ishte pjesë e skemës për ndërhyrjen në Kosovë. Duhej dikush që ta nxiste Milosheviçin të kryente akte dhune e terrori në Kosovë, me qëllim që bota perëndimore të ndërhynte, siç edhe ndodhi. Nëse Gelbard nuk do ta quante UÇK-në një organizatë terroriste, atëherë Milosheviçi mund të hezitonte të kryente akte çnjerëzore kundër shqiptarëve dhe NATO-s nuk do të kishte arsye e motiv për të ndërhyrë. Në të kundërt, një diplomat si ai nuk do ta bënte një deklaratë të tillë ekstreme. Mund të shprehte rezerva ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por do të rezervohej ta quante “terroriste”!

Vuçiqi si Putini

E përmenda këtë rast për të shkuar te e njëjta skemë që po përdoret gjithashtu në kohët e sotme. Edhe kësaj radhe është ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, ai që po nxit Aleksandër Vuçiqin për një konflikt të kontrolluar në veri të Kosovës. Zoti Hill vazhdimisht kritikon kryeministrin Kurti dhe i kërkon që ai të zbatojë me çdo kusht kërkesat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Vendimet e Prishtinës për të vendosur sovranitetin shtetëror në veri të Mitrovicës ai i kritikon. Ndërsa, Vuçiqi merr kurajo nga qëndrimet e Hill dhe kërcënon çdo ditë Kosovën me luftë! Albin Kurtin e quajti si “llum terrorist”!

Ndërkaq retorika e presidentit serb sa i përket veriut të Kosovës është e njëjtë me atë të Milosheviçit në kohën kur Gelbard lëshoi deklaratën e njohur të tijën kundër UÇK-së. Retorika e Vuçiqit i ngjan gjithashtu retorikës së Vladimir Putinit në periudhën e para luftës në Ukrainë. Edhe Milosheviçi fliste vazhdimisht për terroristët shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë retorikë e përsërit sot ende Vuçiqi dhe ministrat e bashkëpunëtorët e tij. Ndërsa, Putini e akuzonte presidentin ukrainas, Zelenski, po ashtu për akte naziste kundër rusëve në këtë vend.

A ka një paralele midis asaj që ndodhi në vitin 1998 me këtë që po ndodh sot në Serbi?! Saktësisht asgjë nuk dihet, por nuk ka arsye pse të mos bëjmë analiza, me të cilat të kthjellohemi dhe të parashikojmë zhvillimin e ngjarjeve. Por, është krejt e qartë se ka një paralele midis gjendjes së paraluftës në Rusi dhe akuzave të Putinit kundër Zelenskit. Ka edhe një paralele midis politikës së Milosheviçit dhe kësaj të sotmes të Vuçiqit në raport me Kosovën. Kurrë ndonjëherë presidenti i Serbisë nuk ka kërcënuar për konflikt në rajon si këto javët e fundit. Ndërkaq ambasadori Christofer Hill asnjëherë nuk e qortoi atë. Përkundrazi, fajëson në vazhdimësi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Viktimizimi, “armiku”, konflikti

Mekanizmi është i thjeshtë: - Fillimisht ndodh viktimizimi. Më pas identifikohet “armiku”! Më pas ndodh konflikti. Si gjithmonë serbët janë viktima. Kësaj radhe serbët në veri të Kosovës. Kësisoj artikulohet Aleksandër Vuçiq. Kurse ambasadori Hill i jep një dorë ndihme kur thotë se „shtatëdhjetë mijë serbët në veri të Kosovës duhet ta dinë se janë të sigurt“! Jo pa qëllim e dyfishoi numrin e serbëve në ato katër komuna të veriut të Mitrovicës. Nuk ishte lapsus. Ishte një projeksion për t’i dhënë vlerë fjalës që thoshte. Të njëjtin numër serbësh në veri e shqiptoi edhe Gabriel Esckobar.

Deri më sot është hamendësuar se Vuçiq mund të nisë një konflikt në Kosovë me nxitjen e Vladimir Putin. Por, nëse ky konflikt bëhet i kontrolluar që të mos eskalojë në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi e Maqedoni, atëherë ka mundësi që për këtë të jetë e interesuar SHBA-ja! Por, nuk e dimë nëse ky interes synon ta dobësojë dhe shpërbëjë edhe më tej Serbinë, apo ta shpërblejë atë me territorin e veriut të Kosovës?! Kjo është dilema.

Nëse i referohemi historisë dhe asaj që thoshte Gabriel Escobar, sipas të cilit Kosova nuk ka mik më të mirë se Amerika, atëherë duhet të besojmë se ndoshta ka një plan për një konflikt të kontrolluar që do ta çojë Serbinë edhe njëherë në kolaps dhe humnerë. Unë prirem të besoj se kjo do të ndodhë. Gjithnjë, nëse kemi, do të ketë konflikt të kontrolluar e të komanduar.

Në këto situata duhet kujdes, duhet vëmendje. Europianët, sidomos gjermanët, nuk janë aspak të interesuar për një konflikt qoftë ky i lokalizuar dhe i kontrolluar. Atëherë çfarë do të ndodhë, nëse konflikti nis?! Nga ana tjetër amerikanët ndoshta do të angazhohen në kuadër të NATO-s. Por kësaj radhe NATO, Amerika, Gjermania, Britania e Madhe e të tjerë thjesht do të ndihmojnë. Ato nuk do t’i çojnë ushtarët e tyre në thertore.

Kjo do të thotë që kryeministri Kurti duhet të mësojë nga Volodymyr Zelenski, pra të përgatitet që luftën ta fitojë Kosova. KFOR-i, NATO e Fuqitë Perëndimore do ta furnizojnë Kosovën me armë moderne, por luftën duhet ta bëjnë shqiptarët, nëse ndodh. Kurti, Osmani e të tjerë në Prishtinë duhet ta shumëzojnë me zero mundësinë që Shqipëria të angazhohet drejt për drejt në krah të Kosovës. Nuk e lejojnë parimet “anti-nacionaliste” të qeverisjes!!!

Arsyetimi i mësipërm më vjen në mendje, sidomos kur shoh se konflikti midis Kosovës e Serbisë nuk do të zgjidhet me dialog. Dialogut po i vjen fundi dhe Beogradi nuk pranon shtetësinë e Kosovës. Kjo po ndodh edhe për shkak se katër Fuqitë e Mëdha Perëndimore nuk janë të një mendjeje sa i përket formulës së zgjidhjes! Ndaj ka shumë mundësi të provohet një zgjidhje në terren, përmes një konflikti të lokalizuar e të kontrolluar!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat