Edi Rama hesht për thirrjet e serbëve “vdekje shqiptarëve”, trimërinë e Xhakës e quan “nacionalizëm qesharak”

Opinione

Edi Rama hesht për thirrjet e serbëve “vdekje shqiptarëve”, trimërinë e Xhakës e quan “nacionalizëm qesharak”

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 18:33
Foto ilustrim, Edi Rama, Xherdan Shaqiri, Granit Gjaka

Që nga ardhja e tij në krye të qeverisë shqiptare, Edi Rama më tepër i ka shërbyer Serbisë dhe interesave të saja se sa Kosovës. Në çdo rast, Rama e ka mbajtur anën e Serbisë dhe Vuçiqit, roli i tij duket se nuk është mbrojtja e interesave të shqiptarëve kudo që janë, rehabilitimi i Serbisë është kthyer në agjendën kryesore të tij. Në ndeshjen e fundit në botërorin Katarit në ndeshjen Serbi-Zvicër, Edi Ramës nuk i bëri përshtypje thirrjeve të serbëve "vritni shqiptarët", shije të keqe i la reagimi i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në ndjesinë e krenarisë për golin e Shaqirit dhe trimërisë së Xhakës përballë egërsisë së futbollistëve të Serbisë.

Me diskursin e tij antikombëtar prej kozmopolitit primitiv, Rama nuk gjeti kurajon të përgëzonte futbollistët shqiptarë për lojën e tyre, kur dihet se janë të vetmit në botëror duke përcjellur sadopak shqiptarizëm në këtë botëror. Mungesën e mbështetjes ndaj dyshes shqiptare Rama e shpjegoi me frazën “Nuk jam kryeministër i Zvicrës... dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak aq edhe i rrezikshëm".

Nacionalizëm të mbështesësh çdo gjë që i përket kombit tuaj kurrë nuk është i rrezikshëm. Radikalizmi dhe ekstremizmi ndaj shqiptarëve nga ana e serbëve është primitiv dhe i rrezikshëm. Rama nuk reagoi ndaj thirrjeve për vrasje të shqiptarëve nga frika se hidhërohet vëllai i tij Vuçiqi.

Kishte hallin nga mos ardhja e Vuçiqit në samitin e BE-së në Tiranë. Që nga Esat Pasha, asnjëherë Shqipëria dhe kombi shqiptar nuk ka pasur kryeministër të shitur si Edi Rama. Marrja e detyrës për të rehabilituar imazhin e Vuçiqit, nxënësin e Sheshelit dhe zëdhënësit të Millosheviqit në një apo mënyrë tjetër është tradhti kombëtare.

Derisa, para katër viteve shkruante me folklorizëm dhe mburrje për dyshen shqiptare të Zvicrës, me "psenë" e njohur nga të gjithë, përveç atij që me dy standarde gjykon të njëjtën ngjarje, rritja e afërsisë me Vuçiqin ka prangosur kryeministrin shqiptar nga gjykimi i drejtë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat