Përkulja e shekullit!

Opinione

Përkulja e shekullit!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 21:22
Kryeministri Rama, i ra në gjunjë kryeministrit të Luksemburgut

Në kohën e mbretërive, mbretërve dhe mbretëreshave ka qenë zakon tipik, që njerëzit tu përkuleshin në shenjë përshëndetje dhe nderimi. Ky nderim  ndodhte edhe para mbretëreshës angleze Elizabeth III, që ishte shumë e dashur dhe e çmuar në mbarë bota, e cila vdiq këtë vit. Përkundrazi një përkulje të cilën e pamë në Samitin e EU në Tiranë, nuk e kemi përjetuar akoma. Kjo ishte rënie në dy gjunjët, apo zvarritje nënshtruese.

Një lloj të tillë përulje e kemi parë vetëm nëpër filmat e Hollywood-it, kur skllavët luteshin për jetën e tyre.

Në realitet në Samitin e EU në Tiranë ndodhi diçka që është bërë virale. Kryeministri Rama, i ra në gjunjë kryeministrit të Luksemburgut. Po flitet se ky  gjest i Ramës kishte ndodhur gabimisht, jashtë protokollit.

Rama në realitet kishte dashur që Vuçiqit t´i binte në gjunjë, po e ka ngatërruar personin nga hutimi, sepse e tërë Evropa kishte zbarkuar në Tiranë.

Me gjestin e rënies në gjunjë, të cilin Rama donte ta bënte në nderim të Vuçiqit, para delegacioneve të EU kishte dashur të jepte një sinjal: se si popujt e Ballkanit duhen, nderohen e çmohen mes vete, ndoshta duke treguar një shembull për vetë EU, e cila është e përçarë.

Në të vërtetë Vuçiqi para se të nisej në Samit, bandave të Veriut të Kosovës iu kishte nda detyrat që të aktivizoheshin në aksione, në mënyrë për t´i dërgonin përshëndetje Samitit.

Kurse Rama i dehur nga gëzimi deshi që me gjestin e tij të përkuljes, ta falënderonte mikun e çmuar për vizitën, të cilin gjoja dëshironte ta anulonte.

Vuçiq sikurse Rama nuk kishte fjetur, nuk kishte ngrënë e nuk kishte pirë, duke e përgatitur planin, se si t’ia punonte Kurtit në Samitin e Tiranës.

Ai i aktivizoi bandat duke i vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve, kurse  topin tash e hodhi në fushën e Kurtit.

Kështu Vuçiq pasi e kishte studiuar dhe përgatitur planin e tij, u nis i disponuar drejt Tiranës. Atje e priste piktori i cili do t´i buzëqeshte, do e përqafonte dhe do i binte në gjunjë për ardhjen e tij, kurse Vuçiq e ndiqte me mosinteresim  (urrejtje) vallen shqiptare, sepse mendjen e kishte te aksioni i bandave të tij në Veriun e Kosovës.

Edhe Rama po ashtu i kishte hallet e veta. Nuk ishte krejtësisht i qetë, sepse mysafirët duhej pritur, kurse mendjen e kishte se si do përfundonte aksioni i protestave të opozitës, të cilët ishin ngritur kundër Rilindjes katastrofale të tij.

Rama po ashtu sikurse Vuçiq ishte i shqetësuar, bënte gjeste të pakontrolluara, i përqafonte mysafirët, ua shtrëngonte duart dhe u buzëqeshte krejtësisht thartë, sepse, Rama po ashtu kishte organizuar një surprizë për protestën e opozitës dhe nuk dinte se si do të përfundonte.

 Pra me njërin vesh ishte te mysafirët dhe delegacionet, kurse me tjetrin te surpriza për opozitën. Nga një preokupim i tillë nuk dinte se ç´bënte dhe në vend se t´i përkulej Vuçiqit, iu përkul kryeministrit të Luksemburgut.

Më në fund Rama përjetoi katarzis, kur e informuan se ç´ndodhi në tubimin e opozitës. U disponua dhe filloi t´i zbrazte gotat me verë.

Unë jam i pazëvendësueshëm: partia jam unë, gjyqi jam unë, kushtetuta jam unë dhe pushteti jam unë. Rroftë Shqipëria ime./ Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat