Të gjitha shtetet në botë kanë pakica etnike. Marrëdhëniet në mes shteteve fqinjë varën nga qëndrimet ndaj pakicave etnike dhe të drejtave të tyre të cilat janë themel dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mes shteteve fqinjë. Kur në shtetin ku është pakica këto gëzojnë të gjitha të drejtat në përputhje me ligjet ndërkombëtare, kjo ka “shije mjalti” dhe pakicat etnike bëhen urë miqësie në mes kombeve dhe atyre shteteve fqinjë. Në të kundërtën, kur pakicat diskriminohen, ato bëhen “mollë sherri “ dhe lindin konfliktet. Shteti i Kosovës angazhohet për paqe dhe pakicës etnike serbe u garanton me Kushtetutë shkallën më të lartë dhe të madhe të drejtave krahasuar me cilindo shtet në botë që u garanton pakicave etnike të veta.
Fatkeqësisht ka edhe aso shtete në botë (sado pak qofshin ato) që nuk respektojnë ligjet ndërkombëtare dhe në luftë shohin përfitime dhe interesin vetanak, qoftë kjo luftë edhe fatkeqësia e fqiut (në fakt këtë fatkeqësi të fqiut madje edhe e kërkojnë me etje të pashuar sepse aty është theksi, fatkeqësia e fqiut!).
Këto janë shtete hegjemoniste që kërkojnë ekskluzivisht zgjerim territorial, pavarësisht se a është në pyetje rasti që ka “shije mjalti” apo jo, sepse të dy rastet i konsiderojnë njësoj. Ato janë të veçanta, madje popujt e konsiderojnë vedin si hyjnor, dhe atyre ashtu të veçantë, “shija” nuk u intereson. Atyre shteteve u intereson vetëm e vetëm zgjerimi territorial, e le të jetë çfarëdo “shije”, sepse atë gjendje ekzistuese, çfarëdo qoftë ajo, si me “shije” si pa “shije”, e marrin si shanse për luftë, fitore dhe zgjerim territorial duke u bazuar në fuqinë e tyre. Për këto shtete amë me rëndësi është vetëm e vetëm të jetë prezente pakica etnike e vetë në shtetin fqinjë. Dhe ja, kjo u mjafton, dhe këtë e marrin si shanse për të ndez luftë për okupim apo aneksim dhe zgjerim të vedin territorial.
Këtë shans e sheh tani Serbia në procesin dhe pretekstin për krijimin e “asociacioneve” por të atilla me kompetenca ekzekutive të pakicës etnike serbe, që do t´i mundësonte “shtet në shtet”, do të thotë shteti i pakicës përbrenda shtetit të shumicës, të dyja pra shtete e partnere, dhe që do të ishte hapi i parë hegjemonist i hegjemonit Serbi drejtë aneksimit të atij territori ku ekziston pakica etnike serbe. “Asociacioni “ i përmendur është kryefjala, kryetema dhe kryemashtrimi i kësaj hegjemonie. Serbisë nuk i intereson miqësia me Kosovën, as urat e miqësisë. Serbia është e interesuar për metale, plumb, hekur, zink, ari etj. e pasuri tjera tokësore dhe nëntokësore të Kosovës dhe për ujë, Ujmanin.
Dëshira dhe interesimi i Kosovës janë të orientuara po ashtu kah lumturia e pakicave dhe rrethanat që ata i bënë të lumtur. Për ketë arsye vetvetiu nuk mund të merren si shembuj pozitiv shtetet jodemokratike. Ato janë katastrofë për vedi e si mos të jenë fatkeqësi për pakicat etnike. Në shtetet skandinave, si shembuj të shteteve më demokratike që ekzistojnë në botë, nuk ka “zajednica” majtas (të pakicave etnike), “zajednica” djathtas, “zajednica” në veri, “zajednica” në jug, “zajednica” poshtë apo lartë, me kompetenca ekzekutive, por secili shtet në Skandinavi me ndershmëri, dinjitet e përgjegjësi ndërkombëtare, u garanton pakicave ligjërisht të drejtat sipas Ligjeve Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave. Dhe kjo është përgjegjësi e garancë ligjore dhe mjafton për pakicat. Ato janë plotësisht të kënaqura me këtë. Pra në shtetet Skandinave nuk ka “zajednica” me kompetenca ekzekutive; jo nuk ka. - Pse nuk ka? - Nuk ka sepse nuk ka hegjemonizëm dhe asnjëra nga ato shtete nuk ka pretendime e plane djallëzore që më vonë, në hapin tjetër, ato “zajednica” dhe territore t´i aneksojë dhe t`i bëjë pronë të territorit të shtetit të vetë.
Serbia, në euforinë e saj serbomadhe si Serbomadhi, pakicat serbe në Kosovë i pengon t´i shfrytëzojnë të drejtat e tyre të garantuara si dhe të integrohen dhe të kontribuojnë edhe ato në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Serbia e keqpërdor pakicën etnike serbe në Kosovë për qëllime kriminale e djallëzore, sikur të ishin faktor qëllimisht të infiltruar për trazira, të krijojë tensione, djegieje të ndryshme e dhunë dhe veprimtari tjera subversive si pretekst që pastaj të pasojë ndërhyrja e Serbisë kinse në mbrojtje të asaj pakice serbe, kurse në fakt ndërhyrje që në start e planifikuar me qellim aneksimi territorial drejt Serbisë madhe. Pretekst e logjikë sa e ndytë e kriminale e Serbisë aq edhe e një niveli logjik të ulët fëmijëror. E kundërta është në Skandinavi. Shtetet skandinave, në mënyrë të pastër, të ndershme e me dinjitet, por edhe me gjithë zemër e dashuri, pakicat etnike i konsiderojnë urë miqësie të lidhjes në mes kombeve dhe shteteve fqinjë dhe i përdorin për atë qellim, sikur që edhe vetë pakicat nga ana e tyre japin kontributin e tyre dhe angazhohen drejt të atij qëllimi.
Sadoqë për dashuri duhen dy, për luftë fatkeqësisht mjafton një. Gjatë historisë në shumë raste Serbia ka qenë iniciatore e luftërave. Serbia e sotit, dikur Pashalluk i Beogradit, është zgjeruar territorialisht drejt jugut deri në kufi me Kosovën, është e njohur për hegjemonizëm dhe për këtë qëllim e njohur edhe si luftëndezëse dhe luftënxitëse e gjenocid, për pastrime etnike e zgjerim territorial. Mjafton të shikohen luftërat e fundshekullit të kaluar, dhe pasojat e tyre për atë udhëheqësi të Serbisë dhe ata udhëheqës serb të dënuar (shumë udhëheqës tjerë patën fatin dhe i shpëtuan gjykimit) në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte. Kjo e kaluar përcakton mendësinë e Serbisë dhe nënkupton rrezik të madh dhe real që Serbia të keqpërdorë pakicën etnike serbe si “mollë sherri” dhe të ndez luftë të re në Ballkan.
Faktori ndërkombëtar ka mjaft fakte nga e kaluara dhe me vendosmërinë maksimale nuk duhet kurrsesi të lejojë më tutje gjakderdhje dhe lufta të reja në Ballkan që rrezikohet nga preteksti “asociacion” i cili e msheh tendencën hegjemoniste të Serbisë. Ata e kanë mbështetjen e ligjeve ndërkombëtare (edhe kur flitet për “asociacion”) e kanë forcën ushtarake, e kanë përkrahjen e opinionit demokratik botëror. Para këtyre argumenteve nënshtrohet cilido shtet që është luftëndezës dhe luftënxitës. Historia dëshmon se luftërat ballkanike kanë shkaktuar pasoja dhe terren për luftë botërore ku shumë faktorë kanë paraparë përfitime lufte për vedi dhe janë futur në luftë botërore ose ka pasë të tjerë që pa dashje janë përfshirë në luftë. Në kushtet e sotit dhe nivelit të armatimit të sotëm me fuqi shkatërruese të tmerrshme, lufta në Ballkan do të ishte edhe më katastrofale sesa dikur dhe do të merrte përmasa botërore e do t´i rrezikonte të gjithë. Askush nuk do të ishte “jashtë loje” e jashtë rreziku.
Nën maskën e të drejtave të pakicës etnike serbe në Kosovë dhe “asociacionit” Serbia mshef pretendimin e zgjerimit territorial në dëm të Kosovës. Pakicën etnike serbe në Kosovë Vuçiqi dëshiron ta përdor si “mollë sherri” për zgjerim territorial edhepse pakica etnike serbe me Kushtetutën e Kosovës gëzon shkallën më të lartë dhe më të madhe të drejtave krahasuar me pakicat etnike në shtetet tjera. Prandaj presidentit Vuciq i kanë ra poshtë të gjitha mashtrimet dhe të gjitha maskat. Ai nuk mundet në vazhdim askë më të mashtrojë. Ai në këtë aspekt është konsumuar krejtësisht. Atij nuk i besojnë më as serbët dhe as opozita serbe. Në planet hegjemoniste të tij ndaj Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një opsion: përdorimi i forcës dhe lufta – ligji i xhunglës (“i forti e mbytë të dobëtin”); marrja e ligjit në duart e tij, zgjidhja dhe metrika sipas kutit të tij. Kur këtij opsioni i shtohet edhe karakteri dhe e kaluara luftëndezëse dhe luftënxitëse tradicionale më gjatë se njëshekullore e Serbisë, si dhe pretendimet e Rusisë në Ballkan, rreziku me përmasa botërore nuk ka si të jetë më real. Prandaj a duhet pritur edhe më tutje dhe mos të shihet rreziku? Vallë, a nuk duhet që të gjithë, e në radhë të parë faktori ndërkombëtar, të aktivizohen dhe të eliminojnë rrezikun i cili i kanoset secilit? Nesër, me gjasën më të madhe, mund të jetë tepër vonë... Të merret gjithmonë parasysh. Lufta e Parë Botërore ka filluar në Ballkan.