Deklarata mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera “NOSTRA AETATE” – Në kohën tonë

Opinione

Deklarata mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera “NOSTRA AETATE” – Në kohën tonë

Nga: Don Lush Gjergji Më: 24 janar 2023 Në ora: 11:50
Autori Don Lush Gjergji

Kjo Deklaratë është e shkurtë me 5 numra, por për ne ka një rëndësi dhe domethënie të veçante lidhur me dialogun ndërfetar krishtero – mysliman. Ja, pra, një paraqitje përmbledhëse e këtyre çështje në shpirtin e NA.

Kisha Katolike dhe dialogu ndërfetar krishtero-mysliman

Kisha Katolike qysh me Koncilin e Dytë te Vatikanit, sidomos në LUMEN GENTIUM (Drita e Popujve, 1964) dhe me Deklaratën mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera NOSTRA AETATE (Koha e jonë, 1965) ka dhënë shenja të qarta dhe pozitive mbi dialogun ndërfetar, sidomos me religjionet monoteiste, hebraizmin dhe islamizmin (Khs. Lumen Gentium, nr. 16 dhe Nostra aetate, nr. 2-4).

Numri 16 LG pasi i analizon marrëdhëniet e Kishës Katolike me Hebrenjtë, mbi fenë myslimane ndër të tjera shkruan kështu: “Mirëpo vendimi i shëlbimit përfshin edhe ata të cilët besojnë në Krijuesin, në mes të tyre në të parin rend myslimanët, të cilët, duke pohuar se mbajnë fenë e Abrahamit, adhurojnë së bashku me ne një të vetmin dhe të mëshirshmin Hyj, i cili ka për të gjykuar njerëzit në ditën e Gjyqit” (LG, 16).

Deklarata NA për islamizmin thotë kështu: “Kisha shikon me vlerësim edhe myslimanët që adhurojnë Hyjin e vetëm, të gjallë dhe ekzistues, mëshirëmadh dhe të plotfuqishëm, krijues të qiellit dhe të tokës, që ka folur përmes njerëzve. Ata përpiqen t’i nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Hyjit edhe atyre të fshehta, ashtu si është nënshtruar edhe Abrahami, të cilit me dëshirë feja islamike i referohet. Edhe pse ata nuk e njohin Jezusin si Hyj, megjithatë e nderojnë si profet; nderojnë nënën e tij virgjër, Marinë, ndonjë herë edhe i luten asaj me nderim. Po ashtu presin ditën e gjykimit, kur Hyji do t’i shpërblejë të gjithë njerëzit e ngjallur. Po ashtu vlerësojnë jetën morale dhe adhurojnë Hyjin, sidomos me lutje, lëmoshë dhe agjërim.

Nëse, përgjatë shekujve, jo pak mosmarrëveshje dhe armiqësi kanë lindur mes të krishterëve dhe myslimanëve, Koncili i shenjtë i nxit të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të ushtrojnë sinqerisht mirëkuptimin e ndërsjellë, si edhe të mbrojnë dhe të nxisin së bashku për të gjithë njerëzit drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen dhe lirinë.”

Qëndrime të ngjashme gjejmë edhe në dokumentet tjera kishtare, sidomos në enciklikën e famshme e Papës Gjonit XXIII “Pacem in terris” (Paqa në tokë, 1963) dhe në enciklikën e Papës Pali VI “Ecclesiam Suam” (Kishës së Tij, 1964), në enciklikën e Papës Gjon Pali II “Redemtoris Missio” (Misioni Shëlbues, 1990); Papa Françesku “Fratelli tutti” (Të gjithë vëllezër, 2020).

Rëndësi të madhe kanë pasur edhe disa dokumente kishtare lidhur me dialogun ndërfetar krishtero-mysliman:

Segretariato per i non Cristiani, Cristiani e Musulmani, Orientamenti per il dialogo, E.M.I., Bologna, 1970.

- Pontificio Consiglio per il Dialogo Interreligioso – Congregazione per l’ Evangelizzazione dei Popoli, Dialogo e Annuncio, 1991.

- Pontificio Consiglio per il Dialogo Interreligioso, Il dialogo interreligioso nel Magistero Pontificio, Documenti 1963-1993, Libraria Editrice Vaticana, Citta’ del Vaticano, 1994.

- Pontificio Consiglio della Pastorale per i Migranti e gli Itineranti, Erga migrantes caritas Christi, 2004.

Në këtë stil kishte vepruar gjithnjë edhe papa Gjon Pali II, sidomos me Takimin Ndërfetar Botëror të Uratës në Asizi në vitin 1986.

Sipas dëshmisë së Imzot Pietro Rosano-s, para këtij takimi të uratës botërore për paqe, Gjon Pali II kishte thënë këto fjalë: “Dua të shtegtoj në Mekë, jo vetëm në Jerusalem. Atje do t’i lutem të vetmit Zot, Hyjit të Abrahamit, Atit të Hebrenjëve, të krishterëve dhe të myslimanëve” (Jacek MOSKWA, Pontifex Maximus, Misteri personali, pubblici, eterni, VELAR, Bergamo, 2004, f. 134).

Gjatë një audience me ipeshkvinjtë dhe patrikanët e Lindjes Gjon Pali II, ndër të tjera tha: “Tani s’ka më lufta fetare, edhe as që mund të jetë një “luftë e shenjtë”, sepse vlerat e adhurimit, të vëllazërisë dhe të paqes, të cilat lindin prej fesë në Zotin, na thërrasin në takim dhe në dialog” (Po aty, f. 134).

Gjatë luftës në Bosnje, Papa Gjon Pali II e kishte organizuar një lutje të përbashkët krishtëro-myslimane në Asizi (10. 01. 1993) dhe ndër të tjera ai fuqimisht theksoi: “Çdokush duhet ta pranojë tjetrin ashtu siç është dhe duhet çmuar si vëlla apo motër në njerëzinë e përbashkët dhe në bindje personale. Dallimet që na ndajnë mbesin, por gjëra më e rëndësishme është që mund të vijmë deri te pranimi dhe nderimi i ndërsjellët me identitetin e çdonjërit prej nesh” (Po aty, f. 137).

Në vitin 1994 çshtë formaur Këshilli për Marrëdhënie mes Kishës Katolike dhe organizatave islamike. Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Tunizi (15 prill 1996), toka e dikurshme e Shën Augustinit, Papa guximisht tha: “Hapja ndaj të tjerëve është në një mënyrë një përgjegjësi e Hyjit i cili i lejon dallimet egzistuese mes nesh dhe dëshiron që të njihemi më mirë...” (Po aty, f.139).

Gjatë Jubileut të Madh për 2000 vjetorin e krishtërimit Gjon Pali II kishte shprehur dëshirën që ta festonte së bashku me Hebrenjtë dhe Myslimanët me një shtegtim biblik në vendet e shenjta të përbashkëta. Mirëpo rrehanat politike fatkeqësisht atë nuk ia kishin mundësuar.

Më 24 shkurt 2000 Gjon Pali II në Kairo tha kështu: “Ardhja e islamit ka dhuruar vepra të ndritshme të artit dhe të mësimeve që kanë pasur ndikim vendimtar në botën arabe dhe në Afrikë” (Po aty, f. 140).

Në Jordani më 20 maj 2000 Gjon Pali II kishte pohuar mbi tri fetë monoteiste: “Tri fetë historike monoteiste përfshijnë paqen, të mirën dhe nderimin për njeriun si vlera më të rëndësishme. Shpresoj nxehtësisht që vizita ime të përforcojë dialogun tashmë të frytshëm mes të krishterëve myslimanëve” (Po aty, f. 141).

Kulmi i këtyre takimeve ishte pa dyshim 6 maji 2001, vizita e parë historike e një Papës në një xhamie, Omayyadi, të cilën të krishterët me shekuj e kanë nderuar si varrin e Shën Gjon Pagëzuesit, së bashku me Muftiun e Madh të Sirisë, Ham Kifarin.

Papa me atë rast pati thënë kështu: “Dy fetë tona nuk duhet të paraqiten në kundërshtime, si ka ndodhur shpesh në të kaluaren, por në bashkëpunim për të mirën e mbarë njerëzimit” (Po aty, fq. 142; Krh. Vittorio PERI, Giovanni Paolo II, Karol il Grande, VELAR, ELLEDICI, 2005, f. 23-24).

Gjatë vizitës së tij në Kazakistan (24 shtator 2001), Gjon Pali II mbi islamizmin tha: “Kisha katolike nderon islamin, islamin e vërtetë, islamin që lutet, i cili është solidar me nevojtarë... Urrejtja, fanatizmi dhe terrorrizmi profanojnë emrin e Zotit dhe shëmtojnë fytyrën burimore të njeriut” (Po aty, f. 143).

Më 29 mars 2003, lidhur me luftën në Irak, Gjon Pali II tha:
”Mos të lejojmë që një tragjedi njerëzore të bëhet edhe një katastrofë fetare” (Po aty, fq. 243).

Me një fjalë qëndrimi i Papës Gjon Pali II ndaj islamizmit mund të përmblidhet me këto fjalë dhe porosi thelbore: “Të krishterët dhe myslimanët kemi shumë gjëra të përbashkëta, si besimtarë dhe si njerëz” (Vittorio Peri, vep. e cit. fq. 24. Më gjerësisht lexo: Don Lush GJERGJI, I Pavdekshmi” Gjon Pali II (1920-2005), Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, 2006, f. 47-53).

Këtë qëndrim dhe përcaktim e ka vazhduar edhe Papa në dorëheqje, tashmë i ndjeri Benedikti XVI, si dhe Papa i tashëm Françesku. Letra e parë e drejtuar Papës Benedikti XVI, më 13 tetor 2006, ishte nëshkruar nga 38 studjues dhe intelektualë islamikë. Një vit më vonë, pikërisht më 13 tetor 2007 nënshkruesit e letrës, porosisë drejtuar Papës, Kishës Katolike në botë, në një mënyrë të gjithë të krishterëve, ishte nënshkruar nga 138 përfaqësues të 43 popujve dhe vendeve të ndryshme islamike (tani numri i tyre është rritur në 216).

Në këtë porosi janë të pranishme dy grupet e mëdhaja myslimane, sunitët dhe shitët, si dhe pakicat tjera nëpër Evropë dhe në botë.

Pse kjo porosi ka kaq shumë rëndësi? Sepse çdo e vëretetë e fesë myslimane mbështetet në tri shtylla kryesore: në Kuran, në traditën muhamedane dhe në pëlqimin apo miratimin e bashkësisë islamike (ijmaa).

Shtylla e parë dhe e dyta janë përdorur pothuaj gjithnjë, kurse e treta fare pak, sepse kishte dhe ende ka dallime të mëdhaja dhe të rëndësishme ndër myslimanët në botë.

Letra apo porosia e lartëpërmendur e 138 autoriteteve myslimane në krye me mbretin e Jordanisë dhe themelimin Aal-al Bayt, të vetë familjes së Profetit Muhamet, është një kërkim i pëlqimit apo miratimit të të gjithë myslimanëve.

Letra ka disa aspekte të reja dhe mjaft pozitive:

Të nënshkruarit janë nga përfaqësitë e ndryshme myslimane;

Porosia i drjetohet në rend të parë Papës Benediktit XVI, Kishës Katolike, por edhe të gjithë të krishterëve;

Letra ka qëndrime pozitive dhe kërkon, thekson elementet e përbashkëta mes krishterimit dhe islamizmit.

Edhe titulli i kësaj porosie është simbolik dhe përmbajtjesor: “Një fjalë e përbashkët mes nesh dhe jush”, të cilin Kurani shqip e përkthen kështu: “O ithtarë të librit ejani (të bashkohemi) të një fjalë që është e njëjta (e drejtë) mes nesh dhe jush”. Këto janë fjalët e Muhametit drejtuar të krishterëve, së paku për ta nderuar dhe adhuruar një Zot të vetëm.

“Të mos adhurojmë, pos Allahut...” (Kaptina 3, 64).

Letra ndahet në tri pjesë:

Dashuria e Hyjit;

Dashuria për të afërmin;

Ftesa për një besim të përbashkët: Ejani për një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush.

Përmbajtja dhe porosia e Letrës: Porosia bazë që e lidh letrën e parë me të dytën është dashuria e Zotit dhe e njeriut për të gjithë.

Fjalori për të afërmin, është terminologji tipike e krishterë, e huazuar nga Besëidhja e Re, nga vetë Jezu Krishti.

Në Kuran po ashtu nuk flitet aq për Zotin Dashuri, por theksohet nënshtrimi ynë ndaj Tij, ndërsa letra e përdor terminologjinë e krishterë për Zotin dhe për të afërmin, për mbarë njerëzimin, që është një risi e madhe dhe e rëndësishme.

E vërteta më e bukur e kësaj Letre është kjo: tash e tutje të krishterët, hebrenjët dhe myslimanët e kanë një zemër të përbashkët të fesë në dashurinë e Zotit për të afërmin, si risi absolute për islamizmin.

Përzgjidhja e teksteve biblike dhe kuranike është bërë me qëllim të paralelizmit, ngjashmërive, për t’i theksuar themelet apo burimet e përbashkëta, sepse të krishterët dhe myslimanët në botë përbëjnë 55% të mbarë njerëzimit (ana praktike e bashkëpunimit dhe e paqes).

Letra përfundon me një citat të bukur kuranik për bashkimin në dallime: “Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që iu dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshin” (Kaptina 5, 48).

Ky rresht apo tekst kuranik thotë se dallimet apo dasitë fetare i do dhe i pranon vetë Zoti.

Nga kjo Letër mund të theksojmë edhe disa anë pozitive:

Për herë të parë nisja apo iniciative vjen nga pala myslimane për dialog ndërfetar krishtero - mysliman;

Letra vlen për mbarë botën myslimane, dhe ajo i drejtohet të gjithë të krishterëve, deri diku edhe hebrenjve.

Bota myslimane ka një rast shumë të volitshëm që të përcaktohet përfundimisht rreth disa çështjeve themelore që e rëndojnë dhe e kompromitojnë islamizmin, si p. sh. e drejta e lirisë fetare, vlera absolute e të drejtave njerëzore, lidhja mes fesë dhe shoqërisë, apo ndarja e fesë nga shteti, pushteti qytetar (civil), dënimi i dhunës ...

Nga këto përcaktime do të kishte dobi së pari vetë islamizmi, e më këtë kuptohet, edhe të tjerët, së pari fetë monoteiste, për orientime, përcaktime dhe veprime të përbashkëta rreth paqes dhe bashkëjetesës në botën bashkohore.

Kryetari i Këshillit Papnor për Dialog Ndërfetar kardinal Zhan Lyi TORAN lidhur me Vitin e Dialogut kulturor të shpallur nga Komisioni i Brukselit dhe me Letrën e dërguar nga ana e 138 përfaqësuesve myslimanë ndër te tjera tha: “Mendoj se do të jenë tri tema kryesore: së pari nderimi i mirëfilltë i dinjitetit të njeriut dhe i të drejtave të tij, në radhë të parë kuptohet, i së drejtës për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë. Pastaj nevoja e dialogut ndërfetar, i cili krijon kushtet për njohjen objektive të fesë së tjetrit. Së fundi, siç shkruan kardinali Bertone në Letrën e tij, edukimi i të rinjve me frymën e nderimit të ndërsjellët të tolerancës.

Duhet të caktohet data, por mund të themi se të dyja palët kanë vullnetin e mirë, gjë kjo që më jep plotë shpresë për këtë takim (mendohet në takimin e përfaqësuesve myslimanë me Papën Benediktin XVI, vr. ime), i cili besoj se do të përfundojë me sukses”.

Më 3 dhe 4 mars 2008 u mbajt në Vatikan një takim teknik pune mes Kishës Katolike dhe Bashkësive Islame në botë. Tema bazë e takimit ishte “Besimi në Zotin dhe dashuria për të afërmin”.

Me këtë rast është themeluar Forumi i parë krishtero - mysliman dhe është vendosur qe Seminari i parë i këtij lloji do të mbahet në Vatikan më 3-6 nëntor 2008, me praninë e Papës Benedikti XVI.

është arritja më e madhe e deritanishme mes Kishës Katolike dhe Bashkësive Islame.

Dialogu ndërfetar dhe Papa Françesku

Enciklika “Fratelli tutti” (Vëllezër të gjithë, 2020) është fryt i dialogut ndërfetar, sidomos krishtero-mysliman, që Papa Françesku e ndërlidh me çështjen e vëllazërisë së përgjithshme dhe miqësisë shoqërore.

Në Abu Dhabi në shkurt të vitit 2019 është shpallur dhe nënshkruar Deklarata e Vëllazërisë njerëzore: nga imami i madh i xhamisë al Azhar të Kairos Ahma dal – Tayyeb dhe Papa Françesku.

Në enciklikën Fratelli tutti, për herë të parë përmendet dhe citohet mendimi i një imami, si aftësi e dialogut për ta çmuar dhe nderuar mendimin dhe pikëpamjen e tjetrit.

Megjithatë kjo inciklikë nuk është një dokument për marrëdhëniet ndërfetare, por gjithënjerëzore, duke u mbështetur me të parat, por për krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë, në stilin e Nënës Tereze.

Për krijimin e kësaj vëllazërie gjithëpërfshirëse na duhen dy parime: e vërteta dhe dashuria.

Prishtinë, 24 janar 2023 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat