Imagjinoni zhurmën e BE, nëse “Wagneri” rus do hapte Qendër rekrutimi në Prishtinë

Opinione

Imagjinoni zhurmën e BE, nëse “Wagneri” rus do hapte Qendër rekrutimi në Prishtinë

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 27 janar 2023 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

Në 20 janar 2023 koordinatori i komunikimeve strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby,  njoftoi shpalljen organizatë kriminale ndërkombëtare të kompanisë “Wagner” të shërbimit sekret ushtarak rus të rekrutimit të mercenarëve.

Në 26 janar departamenti i Thesarit i SHBA shpalli zyrtarisht sanksionet financiare amerikane ndaj kësaj kompanie kriminale ndërkombëtare ruse.

SHBA në 21 janari u bëri thirrje gjithë shteteve të tjera që të godasin organizatën kriminale ndërkombëtare ruse “Wagner”. Kongresi amerikan ka kërkuar që organizata ushtarake ruse “Wagner” të shpallet edhe organizatë terroriste ndërkombëtare. Vendimi i qeverisë së SHBA erdhi pas një veprimtarie të dëndur kriminale dhe terroriste në rritje të organizatës “Wagner” të shërbimit ushtarak rus në Ukrainë dhe nëpër botë.

Megjithë skedën kriminale ndërkombëtare të kësaj kompanie të shërbimit sekret ushtarak rus, qeveria serbe e presidentit Vuçiç i dha lejen organizatës ushtarake ruse “Wagner” të hapte në Beograd në 7 dhjetor 2022 Qendrën “Wagner” të rekrutimit të mercenarëve.

Qeveria serbe e ndërmori këtë hap filorus dhe sfidues ndaj botës demokratike, megjithëse në nëntor të vitit 2022 Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku i kërkonte Këshillit të Europës, (pra kryetarëve të qeverive dhe të shteteve të BE), që ta shpallnin kompaninë “Wagner” organizatë terroriste.

Burime konfidenciale diplomatike bëjnë të ditur se presidenti Vuçiç e dha lejen e hapjes në Beograd të Qendrës ushtarake “Wagner” pas një marrëveshje të fshehtë me drejtuesit e “Wagnerit” që organizata ruse të rekrutonte mercenarë serbë për t’i përdorur në trazirat në Veriun e Kosovës dhe qeveria serbe do ta lejonte kompaninë ruse të bënte rekrutime kriminelësh nëpër burgjet serbe.

Kjo është praktikë themelore e shërbimit sekret ushtarak rus, i cili nëpërmjet mbulesës “Wagner” ka dërguar 50 mijë mercenarë në ndihmë të agresionit rus në Ukrainë dhe ndër ta 40 mijë janë kriminelë të nxjerrë nga burgjet ruse.

Presidenti serb Vuçiç nuk e mbylli Qendrën ruse “Wagner” të rekrutimit të mercenarëve në Beograd as pas denoncimit zyrtar të SHBA dhe as pas rezolutës së Parlamentit Europian. Nuk mbyll, sepse BE nuk ia ka kërkuar dhe nuk ia ka vënë kusht të “integrimit europian” të Serbisë. Nuk është ndjerë zëdhënësi sllovak i BE që të kërkojë mbylljen e Qendrës së oganizatës kriminale ndërkombëtare “Wagner” në Beograd.

Nuk janë ndjerë as diplomati sllovak Lajçak dhe as kryediplomati spanjoll Borrell të BE që t’i kërkojnë qeverisë serbe mbylljen e Qendrës kriminale ruse, në një kohë që diplomatët e mësipërm të BE rrinë edhe natën zgjuar që të qëmtojnë ndonjë gabim ortografik të Prishtinës dhe të japin alarm diplomatik ndërkombëtar se “Kosova po pengon dialogun me Serbinë”.

A e imagjinoni dot se çfarë do të kishin bërë Borrellët, Lajçakët dhe Stanot e BE, nëse “Wagneri” rus do të kishte hapur Qendër rekrutimi në Prishtinë me lejen e qeverisë së Kosovës?

Besoj se kuptohet përse krizat dhe konfliktet lokale në Ballkan zgjasin kaq shumë dhe BE nuk i zgjidh dot. Për diplomacin e sotme të BE ujku është i pafajshëm, sepse qingji i turbullon atij ujin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat