Kosova sot e pavarur dhe sovrane, e drejta ndërkombëtare ndalon çdo lloj varësie koloniale me Serbinë!

Opinione

Kosova sot e pavarur dhe sovrane, e drejta ndërkombëtare ndalon çdo lloj varësie koloniale me Serbinë!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 22:03
Mehdi Hyseni

Nëse OKB-ja, do të pranonte, që Spanja dhe Protugalia, të themelonin ndonjë asociacion të tyre me prapavijë politike të neokolonializmit të perandorive të tyre të dikurshme në vendet e Amerikës Latine, atëherë edhe Serbia si ish-fuqi kolonialiste në Ballkan, “ka të drejtë” ta formojë Asociacionin njëetnik neokolonial serb në Veriun e Kosovës!

Mirëpo,  një gjë e tillë “retroaktive” politike nuk ka ndodhur askund në bashkësinë ndërkombëtare (as gjatë luftës së ftohtë më 1948, me krizën e Berlinit  e as në vitet e mëpastajme deri më 1990). Këtë, do të duhej ta mbanin parasysh kolonialistët dhe neokolonialistët serbë në Beograd.

Pra, pas Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) në sistemin e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk është “regjistruar” ndonjë shembull, që ndonjë shtet kolonialist (siç është Serbia), të ketë kërkuar rikthimin e pushtetit të tij kolonial  mbi ish-kolonitë e tij qoftë në Afrikë, në Azi apo në Amerikën Latine, pasi ato kanë fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e tyre mbi bazën e luftës antikoloniale dhe të së drejtës së vetëvendosjes,  ashtu siç e fitoi Kosova me luftën e saj antikoloniale kundër Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, më 24 prill – 10 qershor 1999, duke falënderuar UÇK-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kosova nuk është problem minoritar serb!

Këtë e kemi pohuar me dhjetra e qindra herë, që nga vitet e ’90 të shekullit XX, para se Serbia e Slobodan Milosheviqit ta  ripushtonte Kosovën më 1989, por vetëm KOLONIAL, dhe si i tillë, duhet të zgjidhet, ashtu si thonë rregullat, parimt e dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, jo si thotë Kushtetuta e Serbisë (e Vojsilav Koshtunicës, e Aleksnadër Vuçiqit dhe e Ivica Daçiqit) në Preambulën e saj dhe në Nenin 148, se gjoja “Kosova është krahinë e Serbisë”(2006).

Vështruar në retrospektivën historike dhe politike derisa Kosova ishte koloni e Serbisë jo më pak e 100 vjet,sot, pas dekolonizimit të saj, Beogradi nuk ka kurrfarë të drejte, që të rikolonizojë veriun e Kosovës (qoftë me kolonë të vjetër apo me kolonë të rinj serbë), duke kërkuar formimin e Asociacionit njëetnik të komunave serbe në Kosovë, me qëllim të destabilizimit të gjithë sistemit politik, demokratik, multietnik dhe pluralist në Kosovë.

Prandaj, sot, kur Kosova ka dalë nga sistemi kolonial 100-vjeçar i Serbisë (1912-1999), në rrethanat e reja, të krijuara faktike, politike, juridike dhe kushtetuese, kjo nuk është e detyruar që, ligjërisht, as me kushtetutë e as me të drejtën ndërkombëtare e as me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, duke qenë se prapavija e tij  ka karakter gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik NEOKOLONIALIST serbomadh për ta federalizuar Republikën e Kosovës, duke i shtuar një Republikë të Re Serbe, e cila do të kërkonte bashkimin e menjëhershëm me Serbinë dhe me Republikën Serbe të Bosnjës. Kjo lidhje tripalëshe, do të thoshte krijimin e Serbisë së Madhe (Velika Srbija). Ky është objektivi thelbësor i formimit të Asociacionit njëetnik serb në Kosovë, jo mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të minoritet serb në Kosovë. Kjo është gënjeshtër dhe mashtrim i opinionit publik të brendshëm dhe të jashtëm, në mënyrë që Serbia përmes këtij asociacioni ta rikthente sovranitetin e saj kolonial në Kosovë, si këtu e 100 vjet më parë (1912-1999).

 Referendumi i domodoshëm

Për të dalë nga kriza momentale politike dhe diplomatike përballë politikës ndërkombëtare, as qeveria e as kuvendi i Kosovës (duke u bazuar në ligjet, në Kushtetutën, si dhe në të drejtën ndërkombëtare) nuk duhet të pranojnë themelin e Asociacionit njëetnik serb në Kosovë, pavarësisht kompetencave dhe modelit të tij të kamufluar politik dhe propagandistik serbomadh.

Nëse palët e involvuara në këtë çështje të Asociacionit njëetnik serb, nuk do të pajtoheshin me vendimet e qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, atëherë Kuvendi si organi më i lartë legjislativ, do të duhej të shpallte referendumin ku të gjithë qytetarët e Kosovës, do të votinin në mënyrë demokratike, duke i  thënë PO ose JO themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Kjo çështje, do të duhej të përmbyllej sa më parë të jetë e mundur me referendum, sepse kjo është forma më demokratike, më e ligjshme, më e drejtë e më paqësore, që do të përjashtonte galvanizimin dhe polarimin e forcave politike dhe propagandistike për ose kundër krijimit të “SZO-së” në territorin e Kosovës.

Formimi i Asociacionit serb në Kosovë, është përzierje flagrante e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës!

Sepse, pikësëpari shkel integritetin territorial dhe sovran të Kosovës!

Prandaj, as qeveria e as kuvendi i Kosovës nuk duhet pranuar, që Serbia t’ua imponojë formimin e  asociacionit njëetnik në Kosovë, por duhet kërkuar  penalizimin ndëkombëtar nga OKB-ja, sepse kjo është përzierje direkte e Serbisë në punë të brendshme të Republikës së Kosovës.

Duke qenë se, tanimë Kosova është  shtet i pavarur dhe sovran, i shkolonizuar  në saje të luftës së drejtë çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale fitimtare të UÇK-së dhe të bombardimit të NATO-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye (24 mars -10 qershor 1999) nuk ka bazë juridike të së drejtës ndërkombëtare, që Serbia të formojë Asociacion njëetnik serb në Kosovë!

Pikërisht në këtë datë të shenjtë historike ka marrë fund përgjithmonë sundimi i egër kolonial dhe gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Këtë realitet duhet ta pranojë Serbia, ndryshe mund të përballet me pasoja të rënda izoluese nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat