Çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët në situatën aktuale dhe si duhet të veprojnë?

Opinione

Çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët në situatën aktuale dhe si duhet të veprojnë?

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 17:59
Abdulla Mehmeti

"ZAJEDNICA E KOMUNAVE SERBE" NË TERRITORIN E SHTETIT TË PAVARUR TË KOSOVËS ËSHTË DIVERSION, PYKË E ZEZË ÇARËSE MES TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE, SIPAS PLANIT SEKRET "NAÇERTANIA" I FRANCËS, RUSISË DHE SERBISË

Përderisa pykat e këtilla të zeza të ekspansionizmit rusomadh mbi shtetet e saj fqinje, si në Osetinë Jugore, Abhazi, Transnistri, Donbas, Lughansk dhe Krime, që janë edhe pretekste kryesore për hapjen e vatrave të luftës dhe konflikteve, si agresioni i fundit i Rusisë mbi shtetin sovran të Ukrainën, pse faktori ndërkombëtar duhet të lejonte krijimin e këtyre pykave të zeza sipas ideologjisë shoviniste e raciste serbomadhe në zemër të Evropës, me krijimin e “Republikës Serbska” në Bosnje, të “Zajednicës së komunave serbe” në Kosovës etj., siç kishte vepruar më herët edhe në territorin e shtetit të pavarur të Kroacisë me republikën fantome “Republika Serpska Krajina”?!

Pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, nga 24 shkurti 2022, kanë ndryshuar qasjet dhe orientimet themelore të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të përqendrohen në këto rrethana në mbrojtjen e interesave të popujve dhe shteteve të vogla, siç janë shqiptarët dhe Republika e Kosovës, kur fuqitë e mëdha botërore në këto rrethana i mbrojnë dhe realizojnë interesat e veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike në plan global.

Lëvizjet e "çuditshme" gjatë muajve të fundit e aleatëve strategjikë të shqiptarëve, në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe sidomos me Republikën e Kosovës, duhet të kuptohen në këtë frymë, jo si kthim i shpinës nga aleatët strategjikë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Në këtë rast, sipas radhës, tani Serbia duhet ta "hajë karotën", për shkëputjen e saj nga aleanca strategjike me Rusinë, ndërsa shqiptarët dhe Kosova mund ta “hanë dajakun", për shkak të gabimeve dhe ngatërresave të ish-pushtetarëve që vetë i kanë krijuar pas luftës dhe pavarësisë, në raport me shtetet fqinje, sidomos me Serbinë, si dhe me aleatët e tyre strategjikë, në radhë të parë me SHBA-në.

Në këtë lojë, për ta ruajtur unitetin mes shteteve të Bashkimit Evropian, në përballjen kundër Rusisë, nuk janë në lojë vetëm interesat e Serbisë dhe të Kosovës, por janë interesat strategjike edhe të shteteve të tjera, sidomos të Francës dhe shteteve të tjera anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur deri më sot pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Për gabimet strategjike gjatë kësaj periudhe, të klasës politike dhe ish-udhëheqjes së shtetit të Kosovës, si edhe orientimet e gabuara të politikës së Tiranës zyrtare, në lidhje me Kosovën dhe shqiptarët në trojet e veta etnike jashtë kufijve aktualë të shtetit amë të tyre, sigurisht se tani mund ta paguaj haraçin populli shqiptar, në dëm edhe të territoreve të veta dhe të sovranitetit të shtetit, jo bandat mercenare në pushtet e derisotëm, të instaluara më herët nga agjenturat e huaja, të përgatitura dhe financuara me dekada nga shërbimet sekrete të Rusisë, Serbisë, Greqisë, Francës, Iranit dhe satelitëve të tyre gjithandej në Evropë dhe botë.

Aktualisht, shqiptarët duhet t'i hapin sytë dhe veshët, të jenë me një zë dhe një qëndrim. Për gjithçka mund të bisedohet dhe arrihet marrëveshje, edhe me Serbinë fqinje, mbi baza të reciprocitetit, për njohjen reciproke mes dy shteteve sovrane, në interesa të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, por asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk duhet të bisedohet për territore dhe sovranitetin e shtetit, të cenuara disa herë edhe nga vetë udhëheqësit e pushtetit të mëparshëm të Kosovës.

Përveç tjerash, shqiptarët duhet ta dinë se, shumë lehtë dhe me zell bëhen aleatë me armiqtë historikë të popullit shqiptarë edhe disa individë, klane interesi dhe forca politike në Tiranë, kur përmendet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, thjesht për interesa të veta dhe të klaneve në pushtetin aktual.

Kjo është arsyeja pse aktualisht rrezikohet sovraniteti territorial dhe pavarësia e plotë e shtetit të Kosovës, me krijimin e "Zajednicës së komunave serbe", që as më pak e as më shumë nënkupton diversion, pikë e zezë strategjike, konflikt i ngrirë mes shqiptarëve dhe serbëve, për interesa strategjike rusomadhe në trojet etnike shqiptare dhe më gjerë në rajon dhe Evropë.

* Pyka të këtilla të zeza, vatra luftënxitëse, politika dhe diplomacia rusomadhe, me përkrahje të agjenturave, lozhave financiare, luftës speciale (hibride), aktiviteteve diversive dhe ndërhyrjeve ushtarake-policore, Kremlini ka krijuar disa të tilla, në disa rajone, në shtetet fqinje të Rusisë dhe në Evropë, në shtetet ballkanike, sidomos në trojet historike shqiptare, si gjatë shek. XIX dhe XX edhe gjatë tri dekadave të fundit, pas shkatërrimit të ish-Federatës së Jugosllavisë. Këto çështje më gjerësisht i kemi trajtuar në analizat tona të mëhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat