A e di Ali Ahmeti që fati i rinisë është në duart e matrapazëve partiak?

Opinione

A e di Ali Ahmeti që fati i rinisë është në duart e matrapazëve partiak?

Nga: Dijana Toska Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 14:40
Dijana Toska

Pajtohem me ty Ali se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellur shekulli i ri, por çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga kjo rini kur me veprimet tona të përditshme i kemi asimilu nga çdo vlerë.

Rinia është produkt i një shoqërie andaj çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga ata kur si shoqëri fillimisht nuk i kemi edukuar, nuk i kemi ndërgjegjësuar as nuk iu kemi dëshmuar si model për rolin që kemi patur në ndërtimin e një shoqërie demokratike e aq më parë kur asnjëherë për këto 30 vite, rinia nuk është përfshirë si partnere e denjë në qeverisje, por është llogaritur vetëm si një makineri votuese për kusuritje brenda korpusit propagandues politik-partiak.

Kjo rini u rrit në një shoqëri të tensionuar, të kriminalizuar, të korruptuar me afera e hajdutllëqe nga më të ndryshmet, deri në vrasje, ku protagonist kryesor janë njerëzit e politikës, të cilët vendosin për fatin e tyre.
Ju i dëshmuat rinisë se jeni mbi ligjin, se marrja me politikë është privilege, se paria e partive nuk mund të dënohet sepse drejtësia korruptohet brenda institucioneve ditën kur nënshkruhet marëveshja për koalicionim qeveritar.

Çfarë mesazhi i dërguat të rinjve kur mbi njëmijë e kusur të rinj i shndërruat në parazit që të marrin rroga duke ndejtur shtrirë në shtëpi, në vend që të ishte e kundërta të shkojnë në punë, të mësojnë se si funksionon administrata publike e shtetit të tyre, të profesionalizohen e të fitojnë parat me ndershmëri.
Ky primitivizëm e hesap partiak vuri në lajthitje e mashtroi një pjesë të madhe të rinisë për të zgjedhur rrugën më të lehtë në ndërtimin e karrierës, në vend që të fokusoheshin në arsimim sa më cilësor e të bëheshin zot të vetvetes, ata zgjodhën, mosdijen, dëgjueshmërinë, përkuljen dhe duke futur një librez partiake në një xhep, në xhepin tjetër futën dhe krenarinë bashkë me dinjitetin e tyre.

Shumë familje investuan në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre duke ndarë nga kafshata e gojës për një të nesërme më të mirë. Por, në konkurset e hapura nga institucionet e ndryshme shtetërore, këta fëmijë edhe pse i plotësonin kushtet nuk iu mundësua kurrë të punësohen sepse u kërkohej si kusht edhe libreza partiake. Këta të rinj sot ndjehen inferior ndaj vetvetes dhe kërkojnë modalitete të tjera jetësore për ta rigjetur veten sepse kushtëzimet partiake u kanë hendikepuar ardhmërinë.

Vite të tëra në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare niveli i diturisë së nxënësve e studentëve tanë renditet nga fundi, përqindje e madhe e nxënësve në shkolla të mesme nuk dijnë shkrim-lexim, studentë të cilën nuk vijojnë ligjerata e që diplomojnë e nuk kanë njohuri elementare, po magjistrojnë e doktorojnë njerëz të cilët edhe emrin e vet e shkruajnë gabimisht, ndërkohë që nga anketa e bërë në Tetovë, 90 përqind e të rinjve deklarojnë se fenomeni i blerjes së notave është korrupsioni më fitimprurës në arsim. Për arsimim të lartë derdhëm edhe gjakun tonë për të prodhuar kuadro të reja akademike që me dijen e tyre do ta ndriçonin udhën e kombit tonë, ndërsa ne po na ndodhë e kundërta ngase partitë i keqpërdorën këto vatra të arsimit duke punësuar militant partiak e duke emëruar në poste të rëndësishme, bodigard e turli mafiozi, ndonëse kjo kategori njerëzish njeh vetëm erësirrën dhe do t’i bëj hije dritës .

Në anën tjetër fëmijët e milionerëve partiak sot luajnë rolin e bossave në sytë e të rinjëve, duke shetitur me vetura të shtrenjta e veshje firmato përbuzin të drejtat e fëmijëve tjerë, mbyllin restorante e diskoteka, përdhunojnë vajza, thyejn ligjin, abuzojnë me narkotik, dhe fatkeqësisht për të gjitha keqpëdorimet nuk dënohen, sepse janë pjella e të fortit dhe për ta vlera e vetme janë paratë që i bën të fortë, duke dhënë shembullin më të poshtër që mund të japë një politikan shqiptar bashkë me familjen e tij.

Rinia po largohet nga ky vend jo nga standardi i ulët por nga zullumi, padrejtësia nga injoranca, nga milionerët hajdut, nga nëntoka e partive, nga pleshtat, nga tradhtarët të cilët edhe Zotin e kanë futur në listën e biznesit.

Ne duhet pranuar dhe duhet si gjeneratë ti kërkojmë falje fëmijve tanë e brezave të rinj sepse dështuam në edukimin e rinisë, trasuam një rrugë pa fije ideali në të, ishim një shembull i keq për ta, e lakmuam haramin, u treguam qyqarë, frikacak, i asimiluam dhe i tëhuajsuam nga çdo vlerë njerëzore e kombëtare dhe sot nuk kemi kurçfarë të drejte të kërkojmë kurrfarë përgjegjësie nga ata për zhvillimin e të ardhmës.

Pajtohem me ty Ali se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellur shekulli i ri, por vetëm me një kusht nëse kanë autonomi dhe pavarësi të veprimit ngase pa një revolucion rrënjësor nuk do të mund t’i arrijnë kurrë vlerat e standardet europiane të të rinjve të Europës as në nivel kombëtar e as global. Sepse, koncepti i të rinjve nuk është një lindje që përcaktohet thjesht biologjikisht me vitet, ai ndryshon me kohën, me zhvillimin teknologjik, bashkë me aspiratat që një shoqëri i vendos vetes.
Shkup, 03 shkurt 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat