Rusia po e akuzon perëndimin për përkrahjen ndaj Ukrainës, kurse Serbia po e akuzon Anglinë që po e trimëron Kurtin!

Opinione

Rusia po e akuzon perëndimin për përkrahjen ndaj Ukrainës, kurse Serbia po e akuzon Anglinë që po e trimëron Kurtin!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 18:29
Sherif Ramabaja

Do të thoshim dy shtete me një ngjashmëri identike, me të kaluar identike, me kërkesa po ashtu identike dhe me kërcënime po ashtu identike.

Rusia që nga fillimi i akuzon SHBA, EU, perëndimin e posaçërisht Gjermaninë për furnizimin e Ukrainës me armatim luftarak. Qëllimin e kishte që Ukrainën ta pushtonte sa më parë dhe të kujdesej për ekspansionin tjetër hegjemonist ndaj fqinjëve.

Si fuqi atomike Putini mendonte se perëndimi nuk do të guxonte të përzihej në planet e tij pushtuese e luftarake.

Derisa perëndimi duke ia matur pulsin Rusisë, me një kujdes të lartë, Ukrainën po e ndihmon me armatime, duke kaluar nga një fazë në tjetrën.

Sot çështja po vjen duke ndryshuar, së shpejti do ti dërgohen edhe tanke, gjithnjë duke i ikur një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Kushedi, ndoshta së shpejti Ukraina nga perëndimi, do të furnizohet edhe me aeroplanë luftarak. Kjo do të varet kryesisht nga zhvillimi i ngjarjeve në terren dhe në raportet Rusi – SHBA, EU.

Paralelisht ngjarjeve Rusi – Ukrainë edhe Kosova po ballafaqohet me kërcënime të përhershme nga Serbia, e cila me shumëçka i ngjason Rusisë, po në shumë aspekte edhe ia tejkalon asaj.

Këto ditë lexuam se si presidenti serb Vuçiq u ankua se Anglia po e trimëron Kurtin, në çështjen e Asociacionit, apo më mirë të thuhet po i kërkon që ta  kushtëzoi Serbinë.

Kjo deklaratë e Vuçiqit nuk bëhet rastësisht, po sikurse Rusia, i tërhiqet vërejtja  Anglisë, që të qëndroi anash, kurse në anën tjetër, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën dhe Kurtin.

Kur janë në pyetje kërcënimet, Vuçiqi dhe Serbia këtë nuk e bëjnë dhe vetëm me fjalë, po kërcënimet gjithnjë i përcjellin e dhe me veprime ushtarake.

Serbia pra do të dëshironte që shqiptarët të jenë të vetmuar dhe të jenë vetëm nën mëshirën e saj, që ajo pastaj t´i diktoi gjërat ashtu siç dëshiron vetë.

Ndërhyrja angleze në këtë rast është e padëshirueshme dhe është një pengesë, në realizimin e qëllimeve të saj.

Vuçiq nuk përton që kërcënimet t´i drejtoi edhe ndaj individëve, siç veproi edhe ndaj zotit Kamberi, i cili në kuvendin e Serbisë mundohet ta thotë të vërtetën për Luginën, Kosovën dhe shqiptarët. Mos shih ëndrra, iu drejtua Vuçiq, t´i krahasosh shqiptarët e Luginës me serbët e Kosovës. 

Serbisë po i ngutet me kërcënime, Asociacion dhe pushtime eventuale sepse, po u forcuan shqiptarët, tjetër këngë do këndohej. Ata zbresin në tokë, sapo ta shohin se me ty nuk mund të maten. 

Kjo ditë nuk duhet të jetë e pa kufi, nëse shqiptarët i bashkojnë forcat për t´i forcuar shtetet e tyre.

Kjo tashmë po vërehet edhe me Ukrainën ndaj Rusisë, e cila është shndërruar në varr për rusët.

Në pamundësi për ta pushtuar dhe poshtëruar Ukrainën, Rusia po e kërcënon perëndimin me arsenal atomik.

Serbia nuk e ka një mundësi të tillë. Në rast të një konflikti, ajo do të ballafaqohet me shpërbërje të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat