Fenomeni i kontroversës: Edhe gënjeshtër edhe propagandë simuluese

Opinione

Fenomeni i kontroversës: Edhe gënjeshtër edhe propagandë simuluese

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 18:54
Autori Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Deklarata e presidentit kroat Zoran Milanoviq për “Kosovën e rrëmbyer nga bashkësia ndërkombëtare”, e pohuar në kazermën ushtarake “ Predrag Matanoviq” në Petrinje të Kroacisë, me rastin e dërgimit të kontingjentit të ushtrisë kroate në kuadrin e NATO-s në Lituani, është edhe gënjeshtër serbomadhe, por, njëherazi edhe provokim diplomatik dhe propagandistik në adresën e Prishtinës, të Beogradit, të Moskës, të Uashingtonit dhe të Brukselit, duke qenë se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka aneksuar Kosovën prej Serbisë, por agresioni pushtues dhe gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit e ka gllabëruar koloninë e saj të dikurshme.(1989-1999). Kjo është e vërteta, të cilën e di e gjithë bota, jo vetëm Zoran Milanoviqi, i cili ka fajsuar Kroacinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, kinse  “janë fajtorë” për “rrëmbimin e Kosovës prej Serbisë” (!?)

Kosova me Krimenë nuk kanë asnjë ngjashmëri

Mirëpo, ndryshe mendon presidenti Zoran Milanoviq, i cili, këto ditë, edhe gënjeu, edhe provokoi bashkësinë ndërkombëtare, gjoja se “e ka rrëmbyer dhe aneksuar Kosovën nga Serbia”. Këtë e interpretoi, duke e krahasuar  Kosovën me Krimenë, e cila sipas tij, kurrë më nuk do t’i kthehet Ukrainës( duke aluduar në Rusinë e fuqishme bërthamore të Vladimir Putinit). Në këtë kontekst, duhet kuptuar edhe statusin momental të Kosovës, e  cila kurrë më nuk do të integrohet në Serbinë kolonialste, ngase kjo, në karahsim me Rusinë, “është një vend i vogël i opingarëve serbë”, thotë Zoran Milanoviqi.  Këtë provokim politik kontradiktor, duhet “ lexuar” drejt  politikisht, sepse Serbia kurrë më  nuk do të ketë fuqi  për ta kthyer Kosovën nën sundimin e saj kolonialist. Ky është konkluzioni i mesazhit politik, diplomatik dhe propagandistik i Milanoviqit, drejtuar Beogradit zyrtar, Moskës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe bashkësisë ndërkombëtare (Amerikës,  NATO-s, BE-së dhe  OKB-së ).

Edhe Milanoviqi si Vuçiqi, Daçiqi…etj., fajson Amerikën dhe NATO-n për “humbjen” e Kosovës !?

Nëse Zoran Milanoviq mbron konceptin politiko-propagandistik  serb, kjo deklaratë e rreme dhe propagandistike serbomadhe antikroate, antishqiptare, antiamerikane dhe antievropianeperëndimore  fare nuk duhet komentuar, duke qenë se mbi 90 për qind e serbëve qe më se 20 vjet e fajësojnë dhe e akuzojnë bashkësinë ndërkombëtare (Amerikën dhe NATO-n) njësoj sikurse presidneti Zoran Milanoviq i Kroacisë, se gjoja Amerika dhe NATO-ja  “e kanë shkëputur Kosovën nga Serbia”!

Kjo është rrena më e madhe e ultranacionalistëve dhe e fashistëve serbë të kursit politik çetniko-fashist të Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Kroacia nuk  është “shtet i rastësishëm” dhe, nuk ia ka “rrëmbyer Kosovën Serbisë”!

Milanoviqi edhe si ish-kryeministër i Kroacisë, para se të zgjedhej president i Kroacisë, ka folur keq, duke e kritikuar edhe Kroacinë, gjoja se “është  shtet spontan”!?

Se kush është politikani dhe shtetari Zoran Milanoviq, këtë më së miri e ka portretizuar Zvonimir Shepareviqi  i ndjerë, ish-anëtar i HDZ-së-BDK-së ( profesor i së Drejtës Penale dhe Rektor i Univeristetit të Zagrebit; jurist, politikan dhe diplomat i shquar; ministër i Drejtësisë; ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë, si dhe Përfaqësues i Përhershëm i Kroacisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Profesori Zvonimir Shepareviq e ka kritikuar me fakte  Zoran Miloviqin qysh kur ishte kryeministër,  ai me qëndrimet, me fjalimet dhe me platformën e tij politike ka demonstruar konceptin projugosllav dhe, shpesheherë është dëshmuar edhe si antikroat, duke kritikuar publikisht si brenda, ashtu edhe gjatë vizitave të tij të jashtme, në veçanti diasporën kroate se gjoja “Koroacia është një shtet i rastësishëm”!?

Gjithashtu, akademiku Shepareviq me plot të drejtë e ka kritikuar  konstatimin e gabuar dhe shpifës, se gjoja  “në vitet ’90 në Kroaci është zhvilluar luftë civile, dhe se për agresionin ndaj Kroacisë janë njësoj përgjegjëse udhëheqja politike kroate dhe ajo e Serbisë”. Sipas vlerësimit të Zvonimir Sheparaviqit, ky ishte “një helm politik” si për opinion publik  të brendshëm, ashtu edhe për atë ndërkombëtar, ngase barazoi agresorin serb me luftën çlirimtare atdhetare të forcave ushtarake kroate të Franjo Tugjmanit. –Ajo nuk ishte luftë civile, por luftë e drejtë mbrojtëse e trupave luftarake të Kroacisë kundër Agresionit të forcave çetniko-fashiste pushtuese  të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Kjo deklaratë e rreme dhe sfiduese ndaj Kosovës dhe ndaj aleatëve të saj evropianoperëndimorë, e bërë nga presidneti Zoran Milanoviq, shpërfaq dy gabime kardinale: 1) Nuk e njeh shkencën e logjikës dhe 2) Nuk e njeh shkencën historike të shteteve ballkanike.Ndryshe, nuk do të shprehte një floskulë të tillë, logjikisht absurde, antihistorike dhe antidiplomatike, se gjoja “Serbisë i është rrëmbyer Kosova” ?!

Gabimi i parë logjik i Milanoviqit, nxjerr në pah këtë pyetje: Si mund të quhet “rrëmbim i Kosovës nga Serbia”, kur Kosova kurrë nuk ka qenë pronë legale e as legjitime e Serbisë, por vetëm një KOLONI e saj 100-vjeçare (1912-1999). 

Pra, para së gjithash, logjikisht nuk mund të thuhet se Serbia  “e ka humbur” Kosovën, kur kjo  kurrë nuk ka qenë “pronë e ligjshme” e saj, por e shqiptarëve dhe e Shqipërisë Etnike.

–Diç që është e huaj, kurrë nuk mund të bëhet pronë e jotja. Prandaj, kurrë nuk duhet luftuar e as përralluar për atë që nuk është e jotja, por e huaja, si në rastin konkret, Kosova për më se 100 vjet ka qenë vetëm koloni jolegale e Serbisë pushtuese gjenocidale. Këtu përfundon “tregimi” historiko-politik e diplomatik, por jo edhe ndëshkimi juridik penal ndërkombëtar i kolonilailizmit gjenocidal shekullor të Serbisë (1876-2023). Këtë e dëshmon edhe rasti i Preshevës, i Bujanocit, i Medvegjës dhe i Novi Pazarit, të cilat edhe sot, në dekadën e tretë të shekullit XXI, kanë statusin e kolonive të Serbisë, de fakto dhe de jure që nga Kongresi i Berlinit (1878).

Serbia ka humbur koloninë e saj-Kosovën e Shqipërisë Etnike! Asgjë tjetër!

Prandaj, deklarata e presidentit  të Kroacisë, Zoran Milanoviq  është gënjeshtër dhe injorancë sui generis, duke qenë se “Perëndimi” nuk i ka “rrëmbyer” Serbisë kurrfarë Kosove, ngase historikisht dhe ligjërisht, Kosova kurrë nuk ka qenë territor i Serbisë, por vetëm një plaçkë koloniale ilegale, e ankesuar dhe e pushtuar me agresione dhe me gjenocide të njëpasnjshme, që nga viti 1876 e deri më 1999, kur Serbia gjenocidale humbi luftën në Kosovë nga UÇK-ja dhe nga bombardimi i ligjshëm i NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat