16 veset e këqija që u kushtojnë më së shumti shqiptarëve

Opinione

16 veset e këqija që u kushtojnë më së shumti shqiptarëve

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 17 mars 2023 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

1. Shqiptari i zakonshëm e ka gojën gjithmonë plot patriotizëm, por kur atdheu i rrezikohet vërtet, ai fshihet nese duhet ne nje vrimë miu, nga një perballje e mundshme me armikun, ndërsa pas lufte krekoset si gjeli kokorez se ka vrarë dhjetëra ushtarë te armatosur të pushtuesit edhe pse në realitet bëhet fjalë për milingona të shkelura gjatë arratisjes. Në fund, ai përfundon në listën e veteranëve të rremë, sepse gjithmonë gjen ndonjë gënjeshtar tjetër si veten që ka qëndruar larg vijës së frontit, i cili do t'ia shesë atij statusin e veteranit të rremë për tre mijë euro. Kjo është dëshmi e padiskutueshme se një frikacak shqiptar nuk do ta pranojë kurrë hapur se për shkak të frikës nga vdekja nuk mori pjesë në luftë, gjë që do të ishte e denjë për respekt dhe admirim, sepse jo të gjithë njerëzit janë njësoj trima, të sigurt dhe të fortë.

2. Shqiptari i zakonshëm shpesh sillet me njerëzit në mënyrë selektive, gjegjësisht sipas interesit dhe jo sipas parimit. Njeriu me të cilin ai ulët në tryezë mund të jetë më i keqi në botë, por nëse ai ka interes prej tij, do ta ngrejë atë në qiell dhe anasjelltas, njeriu me të cilin ai ulët në tryezë mund të jetë më i miri në botë, por nëse nuk ka interes prej tij ai vazhdimisht do ta nënçmojë atë si mbreti budallain e oborrit të tij.

3. Shqiptari i zakonshëm vazhdimisht ka nevojë t'u dëshmojë bashkëbiseduesve dhe të ftuarve se e do atdheun e tij, prandaj muret e odes së tij janë të zbukuruara me simbole të panumërta kombëtare e shtetërore dhe me fotografi të panumërta të heronjve kombëtarë. Çuditërisht fotografitë dhe simbolet janë aq të pluhurosura sa nuk ndihmon as pastrimi kimik për ti pastruar mirë, gjë që flet pa dyshim për një raport skajshmërisht të  pandershëm dhe të pasinqertë ndaj origjinës së tij, e lëre më ndaj kombit, atdheut dhe shtetit të tij. 

4. Shqiptari i zakonshëm është servil ndaj kreut të partisë gjithmonë me shpresën se do t'ia hedhë atij një kockë si qenit dhe do t'ia besojë një funksion të rëndësishëm partiak apo shtetëror, edhe pse ai është plotësisht i vetëdijshëm se objektivisht nuk e meriton as postin e korrierit të shkollës, gjë që është sërish një provë e padiskutueshme se atij nuk i interesojnë realisht idealet personale dhe kombëtare por përfitimet materiale. 

5. Shqiptari i zakonshëm shitet për para në mënyrë shumë më të pandershme se sa një prostitutë e Pufit, e cila haptazi dhe ndershmërisht fiton para duke bërë punën që e njeh më së miri

Kështu që nuk është për t'u habitur se ai gjithmonë duhet të ikë nga atdheu i tij dhe të kërkojë azil në vendet e individëve dhe kombeve që nuk shiten si ai, gjegjësisht që nuk e kanë një raport të tillë hipokrit, cinik dhe tradhtar ndaj dinjitetit, origjinës, kombit, atdheut dhe shtetit.

Kjo është njëherësh edhe përgjigja më e saktë në pyetjen : Pse shqiptarët e Kosovës janë i vetmi komb në Evropë që nuk e kanë përfunduar çështjen kombëtare dhe atë shtetërore, pra barazinë kombëtare dhe shtetërore me fqinjët e tyre? Nuk e kanë përfunduar sepse i janë shitur për disa qindarka pushtuesve. 

6. Kur një gjerman i zakonshëm hyn në politikë, ai deklaron hapur dhe sinqerisht se dëshiron para se gjithash t'i realizojë ambiciet personale, sepse nuk e do askënd më shumë se veten.

Por në të njëjtën kohë ai deklaron se dëshiron t'i realizojë ambiciet e tij personale përmes avokimit të palodhur për përmirësimin e kushteve të jetesës së votuesve që ai përfaqëson, gjë që flet pa mëdyshje për një raport të drejtë ndaj tyre, gjegjësisht për një qëllim të ndershëm ndaj kombit, atdheut dhe shtetit, që është rezultat i patriotizmit të tij të sinqertë.

Shqiptari i thjeshtë e konsideron politikën jo si artin e së mundshmes, por si një shans të jashtëzakonshëm për të realizuar para së gjithash interesin e tij personal në kurriz të interesave të zgjedhësve që ai përfaqëson dhe prej të cilëve fitoi besimin me vota sepse u premtoi kodra dhe lugina të arta, gjë që është dëshmi e padiskutueshme se ai jo vetëm që nuk e respekton fjalën e dhënë (besën) në të cilën betohet vazhdimisht, por e shkel si milingonën për të mbushur xhepin e tij, duke vjedhur në mënyrën më perfide të mundur pasurinë popullore, publike dhe shtetërore.

7. Shqiptarët besojnë se dinë shumë, e në fakt grumbullojnë shumë mbeturina në trurin e tyre. Ju lutem strukturoni dhe klasifikoni informacionet. Mbani vetëm ato që ju nevojiten dhe hidhni jashtë ato që nuk ju nevojiten, sepse truri juaj nuk është një qese plehrash.

8. Shqiptarët, kërcejnë si kangurët nga një temë në tjetrën dhe shumë rrallë janë në gjendje të ndërtojnë, strukturojnë dhe komunikojnë një fjali nga fillimi deri në fund rrjedhshëm dhe pa gabime të mëdha, e aq më pak një fjali të strukturuar bukur, me stil interesant, me logjikë të shëndoshë dhe me mesazh të qartë.

Kur i pyesni se cilat janë mesazhet në thëniet e tyre me gojë dhe me shkrim, ata belbëzojnë edhe më shumë nga sikleti, duke e ditur mirë se po improvizojnë, gjegjësisht se po gënjejnë gjatë gjithë kohës.

9.Në mënyrë figurative do t'i përshkruaja kështu :

Ata sillen gjithë ditën rreth trungut të pemës, por rrallë arrijnë te fryti. Për ta bërë edhe më të qartë përshkrimin, ata flasin gjithë ditën për efektet anësore të vendimit të gabuar, por asnjëherë për shkaqet e vendimit të gabuar. Në fakt ata në vend se ta pastrojnë pusin toksik nga helmi ose ta mbyllin me beton dhe hekur, e mbjellin një pyll rreth tij për t'ia humbur gjurmët rrezikut dhe në këtë menyrë për ta bërë edhe më të rrezikshëm. 

10. Ata kurrë nuk e pranojnë gabimin e qëllimshëm, të paqëllimshëm dhe budallaq, sepse besojnë me kokëfortësi se pranimi i gabimit është një dobësi. Në këtë rast, ju mund të shihni shumë qartë se si marrëzia, kokëfortësia dhe krenaria e rreme harmonizojnë në mënyrë të përsosur në mendjet e tyre.

11. Ata shpesh kanë rrëmujë në kokat e tyre, ndaj rrallë mund të bëjnë një bisedë të strukturuar dhe të vëmendshme sepse e dëshirojnë gjithë vëmendjen për veten e tyre, sikur bashkëbiseduesi të mos ekzistonte fare. Kjo është dëshmi e një edukimi egoist dhe primitiv ku prindërit i mësojnë fëmijët të shërojnë komplekset e inferioritetit duke nënçmuar bashkëbiseduesit.

12. Ata shpesh bëjnë sikur dinë diçka edhe kur nuk e kanë idenë për temën për të cilën po flisni, duke besuar se injoranca është e turpshme.

Të dashur bashkatdhetarë, nuk keni pse të dini gjithçka apo pse të hani gjithçka. Është turp të gënjeni se dini gjithçka për një temë të caktuar edhe kur nuk dini asgjë.

13. Shqiptarët shpesh bëjnë sikur janë të pushuar edhe kur janë shumë të lodhur. Kur i pyesni “A jeni lodhur”, shumica e tyre përgjigjen me JO, edhe nëse i gjithë trupi ju dhemb nga lodhja, gjë që flet për frikën nga keqardhja. 

14. Të dëgjosh një bisedë mes të ashtuquajturve intelektualë nga Shqipëria është shpesh një tmerr. Sepse nuk e di se kush po flet dhe kush po dëgjon. Të gjithë flasin në të njëjtën kohë, ose më saktë të gjithë lehin në të njëjtën kohë si qentë. Dhe kjo flet qartë për një kulturë të mangët diskutimi.

15. Shqiptarët flasin thuajse gjithmonë në vetën e parë sepse duan të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, gjë që dëshmon për një mungesë të dukshme vetëvlerësimi.

16. Çdo e dyta fjali e shqiptarit të zakonshëm është një gënjeshtër, vetë-mashtrim apo histori e sajuar. Kjo është dëshmi se ata duan të paraqiten patjetër si interesantë për të zgjuar kërshëri dhe vëmendje edhe kur janë monotonë si Murgeshat e Manastirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat