Leximi mbrapshtë i Planit të BE-së nga dy udhëheqësit opozitarë të LDK-së dhe PDK-së, si dhe bizariteti etik i debatit parlamentar!

Opinione

Leximi mbrapshtë i Planit të BE-së nga dy udhëheqësit opozitarë të LDK-së dhe PDK-së, si dhe bizariteti etik i debatit parlamentar!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 24 mars 2023 Në ora: 15:19
Foto ilustrim

Mjerisht, debati i djeshëm në Kuvendin e Kosovës rreth raportimit të kryeministrit Kurti lidhur me Planin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjegjësisht për rezultatet e bisedimeve në takimin e Ohrit, dëshmoi edhe njëherë, se dy partitë opozitare, LDK dhe PDK, veçanërisht kryetarët e tyre, L. Abdixhiku dhe M. Krasniqi, ose nuk e kanë kuptuar si duhet përmbajtjen e këtij Plani 11 pikësh, ose me qëllim po e cenojnë rolin e Kuvendit dhe të kryeministrit të Kosovës!

Meqë, ajo çfarë thanë dje në Kuvend dy “liderët” partiak të opozitës në fjalimet e tyre kontraverse, po qese i bëhet një ekspertizë kuptimit të fjalive të thëna nga këta dy opozitarë, por edhe për qasjen e tyre negative ndaj dialogut Kosovë-Serbi, sidomos qëkur ky dialog udhëhiqet nga kryeministri, A. Kurti, rezulton qartë, se ajo çfarë e thanë për temën në fjalë, me pak dallime në retorikë, ishte një përmbysje dhe lexim mbrapshtë i përmbajtjes së Planit të BE-së, madje të thëna krejtësisht jashtë kontekstit aktual gjeostrategjik në Evropë si dhe luftës në Ukrainë.

Pra, ajo që bën këta dy opozitarë dje, nuk ishte tjetër përveçse sulm personal ndaj kryeministrit të vendit, një paraqitje e tyre e cila nuk kishte të bënte asgjë me Planin e BE-së për Kosovën, të cilin na del se nuk e kuptojnë fare, ose të njëjtin po e keqpërdorin për kritika të ulëta ndaj Albin Kurtit. Dhe, nëse bëhet fjalë për këtë të dytën, atëherë fjala e tyre del të jetë djallëzore dhe në dëm të interesave të Kosovës.

Sepse, po sikur ky Plan të ishte në dëm të Kosovës, alias në favor të Serbisë, qysh në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, i pari do e kishte nënshkruar A. Vuçiqi, gjë që e kundërta e kësaj është e vërteta, se ky Plan është mjaft i favorshëm për Kosovën.

Dhe, se është kështu, më së miri flet refuzimi kategorik i A. Vuçiqit që ta nënshkruan të njëjtin Plan, meqë nënshkrimi eventual i këtij Plani nga presidenti serb, apriori do ishte njohje e gjendjes faktike në teren, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, pra njohje “de-facto” të pavarësisë së saj nga ana Serbisë. Mbase, duhet theksuar edhe faktin se refuzimi kategorik dhjetëvjeçar i palës serbe për t’i përmirësuar raportet me Kosovën, si dhe duke e përsëritur në çdo takim frazën hegjemone, se “Serbia kurrë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës” (Serbia nikada nece priznati nezavisnost Kosova), pa asnjë dyshim, ky qëndrim i fortë i palës serbe e ka detyruar BE-në (Francën dhe Gjermaninë) që ta gjejnë një formulë të re për normalizim më të shpejtë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, madje duke e hequr nga procesi i dialogut kërkesën e palës kosovare, për “Njohje reciproke” midis tyre, kërkesë e cila deri në shtator të vitit 2022 ishte nyja kyçe në bisedime, e përkrahur nga vetë BE-ja dhe dy presidentet amerikan, D. Trump dhe J. Biden, si dhe nga ish kryeministri anglez, B. Jonson, etj.

Pra, formula e re, apo korniza e re për bisedime Kosovë-Serbi, e iniciuar vitin e kaluar nga presidenti francez Makron dhe kancelari gjerman Scholz, si një Plan i ri për gjetjen e rrugës për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi, gjegjësisht për stabilizimin e gjendjes së sigurisë në Ballkanin perëndimor, edhe për shkak të politikës pro-ruse të Serbisë në rajon si dhe rrezikut të shpërthimit të konfliktit të ri ushtarak mes Kosovës dhe Serbisë, i cili do ishte në favor agresionit rus në Ukrainë, etj., ka bërë që propozimi i Planit franko-gjerman të bëhet Plan i BE-së të cilin do e mbështesin 27 vendet anëtare unanimisht, i cili edhe u pranua gojarisht në takimin Kurti-Vuçiq me 27 shkurt në Bruksel.

ata të cilët e kundërshtojnë këtë Plan, ose të cilët i keqinterpretojnë 11 pikat e tij, duke e dezavuuar opinionin publik, se ky Plan na qenka në dëm të Kosovës, etj, ose janë në shërbim të interesave të Serbisë fashiste, ose janë bashibozukë politikë që nuk i kuptojnë rrjedhat gjeostrategjike në Evropë, Ballkan dhe Azi, por as strategjinë afatgjate amerikane në rajonin e Ballkanit perëndimor, ku për fat vendi ynë, Kosova, e zen një pozitë strategjike, sidomos në agjendën e miqve tanë amerikanë, themelues të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat