Tirana na bashkon!

Opinione

Tirana na bashkon!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 26 mars 2023 Në ora: 18:37
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Këtë ide (Jo vetëm simbolike dhe retorike) jetëgjatë epokale, sot (26 mars 2023) e dëshmoi edhe takimi zyrtar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët zyrtarë më të lartë shtetërorë të Shqipërisë: Bajram Begaj (president), Lindita Nikolla (kryetare e Kuvendit) dhe Edi Rama(kryeministër), i cili  në hollësi i njohtoi për rrjedhën e negociatave serbo-kosovare, të zhvilluara në takimin e Ohrit, më 18 mars 2023, me qëllim të arritjes së Marrëveshjes Frëngo-Gjermane për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, të propozuar nga BE-ja(ndërmjetësues: Josep Borell dhe Miroslav Lajçak) dhe të mbështetur edhe nga Uashingtoni zyrtar (përmes emisarit special Gabriel Escobar).

 Shqipëria mbështeti  Marrëveshjen Paqësore të Ohrit

*** Bajram Begaj(president aktual) me të drejtë vlerësoi se  arritja e Marrëveshjes së Ohrit mes kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, do të jetë me iteresa të veçantë, jo vetëm për avancimin dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të objektivave dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, por, do të jetë edhe “një garanci më shumë për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.”

Ky kurs politik dhe diplomatik shtetëror i Shqipërisë në mbështetjen e Marrëveshjes së Ohrit, të pranuar nga kryeministri Albin Kurti, është për t’u përshënetur dhe për t’u  çmuar lart nga institucionet e larta zyrtare të Kosovës, si dhe nga të gjithë qytetarët e saj, sepse është me rëndësi parësore për “rrugëtimin” e Kosovës në BE, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara.

Derisa Tirana  dhe Uashingtoni zyrtar e mbështesin Marrëveshjen e Ohrit (18 mars 2023), atëherë, ne në Kosovë nuk kemi arsye, që ta bëjmë të kundërtën, të djegim flamujt shtetërorë të Kosovës e as ta sabotojmë dhe ofendojmë kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, sepse “SZO-ja”, është instaluar de fakto dhe de jure në Kosovë, më 2015, të cilën e ratifikoi Kuvendi i Kosovës me “83” vota dhe e legalizoi edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.  Pikërisht, këto dy vendime të gabueshme të sistemit të drejtësisë së Kosovës, bënë të mundur që “Zajednca” të mos jetë vetëm çështje e brendshme e Kosovës, por edhe çështje juridiko-politike ndërkombëtare.

Së fundi, pavarësisht nga ambiciet karrieriste dhe të privilegjeve të luftës për pushtet në Kosovë. Madje, simetria e marketingut politik dhe propagandistik=demonstrata të ultranacionalistëve rusofilë në Beograd kundër Albin Kurtit dhe, protesta në Prishtinë kundër Albin Kurtit, kjo është miopi dhe infantilizëm, që godet rëndë interesat jetike të pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës.

Sa më sipër, më gozoi shumë takimi i kryeministrit Albin Kurti me kryeministrin Rama, me presidentin Begaj dhe me kryekuvendaren Lindita Nikolla, ku të gjithë u zotuan se Shqipëria mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit  në institucionet evroatlantike (BE, NATO), aderimit në OKB, si dhe në organiztatat e tjera ndërkombëtare.

Siç bën të ditur e përditshmja “Kosova Sot Online” e Prishtinës, edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikola u shpreh pozitivisht në mbështetjen e kursit politik dhe diplomatik të Albin Kurtit, duke theksuar se “ Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat