Aleancë e re Ballkanike, pa Serbinë?

Opinione

Aleancë e re Ballkanike, pa Serbinë?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 1 prill 2023 Në ora: 12:30
Rama, Vuçiq dhe Zaev

Këto ditë pata kënaqësinë që e kisha mysafire kryetaren e Greqisë zonjën Katerina Sakellaropoullou... uo, uo, uou, se nuk po mund t´ia qëlloi, e cila krejtësisht qartë dhe pa hamendje deklaroi se, pozicioni i Greqisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Këtë deklaratë doja edhe njëherë tua transmetoja dhe komunikoja shqiptarëve, sepse kohët e fundit ishin ngazëllyer, gjoja se Greqia ishte afër njohjes së Kosovës.

Derisa ne ishim në vlugun e bisedimeve dhe zhvillonim ceremoni vëllazërore me kryetaren greke, dëgjova diçka së cilës nuk mund t´i besoja. Nga kush...? Nga Maqedonia, të cilën Serbia e ka themeluar si shtet.

 Pra u lajmërua një iniciativë. Merreni me mend, një iniciativë për një aleancë të re, duke e përjashtuar Serbinë. Apo më qartë, duke e injoruar Serbinë.

Dhe kush është ai i cili e inicion një iniciativë të tillë, një shqiptar, me mbiemër Osmani, mbiemër i njëjtë me atë të presidentes së Kosovës.

 Kjo është e ditur, se s’pritet gjë e mirë prej tyre, por unë mendoja se vetëm Kurtin e kisha armikun kryesor nga shqiptarët, pa llogaritur se do të dilnin edhe Kurta të tjerë.

Unë me vëllain tim Ramën kishim iniciuar Ballkanin e Hapur, pa përjashtuar askënd, pa e injoruar askënd, pa e nënçmuar askënd, kurse sot dalin persona për të cilët s´ka dëgjuar as lagja e tyre dhe marrin rolin e udhëheqësit shtetëror e rajonal.

Unë disa herë kam dëshmuar se jam për paqe, për marrëdhënie të mira fqinjësore, për treg të lirë dhe kufij të hapur, por nuk mund të lejoj iniciativa të tilla, ku mundohen ta minojnë dhe minimizojnë rolin e Serbisë.

Unë jam një personalitet që bisedon me EU, SHBA, NATON, Perëndimin dhe Lindjen, Veriun dhe Jugun, Azinë dhe Afrikën, pa i harruar Rusinë dhe Kinën. Prandaj çdo tentim për ta margjinalizuar popullin serb, Serbinë, Daçiqin, Vulin, Dodikun dhe mua, do të jetë e dështuar. Ne jemi personalitetet kryesore të Ballkanit.

Edhe njëherë po ua bëj me dije se kushdo qoftë që mundohet ta përbuzë popullin serb dhe mua, fuqishëm do t´i kundërvihem. Kjo iniciativë nuk ishte vetëm kundër meje dhe popullit serb, po edhe kundër vëllait dhe mikut tim të çmuar, Ramës.

Dëgjojeni një fenomen që lidhet me këtë çështje: Në Shqipëri për muajin maj janë paraparë mbajtja e zgjedhjeve dhe pikërisht dikush del me një iniciativë të tillë. Kjo s´do koment, por haptas dikush dëshiron që ta fundosë Ramën.

Ne kishim iniciativën tonë të cilën e kanë përkrahur të gjithë përpos Kosovës, Malit të Zi dhe pjesa boshnjake e Bosnjës.

 Me Ramën Kishim vizion që Ballkanin ta bënim sikurse EU, pa pasur nevojë që të vraponim pas të tjerëve.

Ky ishte synimi ynë, kurse tash po them hapur, kjo jo vetëm që është kundër meje, popullit serb dhe Serbisë, po del hapur edhe kundër Ramës, i cili me idetë e tij e ka mbështetur rrugën e drejtë ballkanike të Serbisë.

Shtrohet pyetja, çka duan shqiptarët ndaj Serbisë. Ne nuk zhdukemi nga këtu. Ky është atdheu ynë. Ne i kemi gjurmët tona këtu. Dëshmi për këtë është Kosova, djep i popullit tonë. Manastiret dhe kishat tona. Si shenjë e solidaritetit ne shqiptarëve u kemi ndërtuar xhami. Duhet të na jenë mirënjohës se ne fenë e tyre gjithmonë e kemi respektuar, por edhe ata duhet ta kuptojnë se Kosovën nuk mund tua falim./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat