Kush po e eskalon dhe rrezikon sigurinë në veri të Kosovës

Opinione

Kush po e eskalon dhe rrezikon sigurinë në veri të Kosovës

Nga: Skender Musliu Më: 31 maj 2023 Në ora: 16:31
Skender Musliu

Edhe pse SHBA-të dhe BE-ja i përkrahën zgjedhjet në katër komunat e Veriut të Kosovës, madje duke deklaruar se do t’i njohin rezultatet nga KQZ-ja, kjo nuk ndodhi edhe në praktikë. Respektivisht çdo gjë ndryshoi kur erdhi dita që kryetarët e komunave, pas dhënjes së betimit, t’ia nisin punës, sepse hyrjet në këto komuna ishin bllokuar nga strukturat kriminale serbe me disa « qytetar ». Mirëpo këto bllokada u shëndrruan në protesta të dhunshme, me ç’rast u lënduan me dhjetra policë të Kosovës dhe ushtarë të KFOR-it.

Eskalimit të kësaj situate, të tendosur dhe të dhunshme, fatkeqësisht i kontribuan deklaratat e disa diplomatëve të huaj, ndër të cilët më kritik ishte Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, i cili brutalisht dënoi ashpër veprimet e Qeverisë Kurti, si dhe ambasadorët amerikan në Prishtinë dhe Beograd dhe BE-ja.

A thua si do të reagonte Zoti Blinken në rastin kur Donald Trump refuzonte t’a pranojë rezultatin zgjedhor, kur ai humbi zgjedhjet presidnciale kundër Joe Biden, duke i bëri thirrje simpatizuesve të tij të shkojnë në Kapitoll. Në këto protesta të dhunshme u cënua demokracia amerikane, prandaj intervenoi garda, ku pati disa viktima, në mesin e gardës dhe protestuesve, dhe u vandalizuan shumë hapësira brenda Kapitollit ?!

Gjykoj se, faktori ndërkombëtar është dashur t’a mbështes shtrirjen e sovranietetit dhe ligjshmërisë të institucioneve në Veri të Kosovës, ku më shumë se dy dekada ka qenë vend i kontrabandës, korrupcionit dhe krimit të organizuar, ku nuk ka sunduar ligji, por anarkia, e jo t’iu nënshtrohen shantazheve dhe presionit të huliganëve, strukturave kriminale serbe, strukturave të sigurisë të Serbisë, që kanë shtënë me armë zjarri në policinë e Kosovës, ushtarët e KFOR-it, kanë maltretuar gazetarët dhe ekipet televizive të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë djegur dhe vandalizuar automjete e policisë së Kosovës, KFOR-it dhe të gazetarëve.

Për opinionin e gjërë, kanë qenë skena të papranueshme dhe nënçmuese, t’i shikosh ushtarët e KFOR-it dhe të policisë së Kosovës të shtrirë për toke, të lënduar nga sulmet e dhunshme të kriminelëve serb, të cilët janë transportuar me helikopterë drejt spitaleve. Para se të deklarohen ndërkombëtarët, është dashur t’i shofin këto skena dhe pastaj të reagojnë, sepse turpi dhe përgjegjësia bie mbi t’a.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken, në veçanti bie ndesh me qëndrimet e kryetarit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Bob Menendez, i cili javë më parë, gjatë raportimit në Senat të Zotit Collet dhe Eskobar , përveç tjerash, deklaroi se Kosovës padrejtësisht po i bëhet më shumë presion se sa Serbisë, se Serbia po punon për krijimin e Serbisë së Madhe, sikurse Rusia për Botën ruse, se formimi i Asociacionit mund të sjell paqëndrueshmëri institucionale në Kosovë, se gazeta prestigjioze amerikane New York Tims, Vuçiqin e karakterizon si bos të krimit të organizuar…

Fatmirësisht, kundër deklaratës së pamatur të Blinkenit, dolën edhe disa kongresmen dhe senator amerikan dhe deputet gjerman.

Habit fakti se ndërkombëtarët ende nuk po i kuptojnë politikat e Vuçiqit, i cili është vazhdimësi i mendësisë së mentorit të tij Millosheviqit, që ende ushqen popullin me mitet e rrejshme të mesjetës, i cili është më i afërt me Putinin se sa me BE-në, që nuk i vendosë sanksione Rusisë, që vitin e kaluar Serbia nënshkroi Marrëveshje me Rusinë për kordinimin e përbashkët të politikës së jashme me Rusinë, se Serbia është pjesë e Nismës së Euro-Azisë, e tj. Është po ky Vuçiq, që me 26 Maj në Beograd organizoi një miting të madh, duke i mobilizuar dhe homogjenizuar serbët e Serbisë, të Kosovës, të Bosnës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, për t’a demonstruar forcën e tij dhe për t’i treguar ndërkombëtarëve se ai është lideri i Botës serbe.

Prandaj mendoj se, faktori ndërkombëtar me këto deklarata të papërgjegjshme, më shumë po i jep legjitimitet dhe po e trimëron Vuçiqin që të vazhdojë me destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, dhe derisa këta nuk e kuptojnë këtë, situata gjithnjë e më tepër do të eskalojë dhe shtrihet në shtetet fqunje ku jetojnë serbët.

Opozita e Kosvës, si zakonisht, nuk është në krye të detyrës, ata ende vazhdojnë të merren me politika të inateve primitive, duke rrezikuar stabilitetin dhe sigurnë e vendit. Zatën, të gjithë ata politikan që sot kritikojnë, janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesor për situatës në Veri të Kosovës, sepse në vend që t’a luftonin krimin, ata u bënë vet pjesë e krimit të organizuar. Sa i takon Shqipërisë,si gjithënji, kryeministri i saj, nuk dëshiron t’a shqetësojë « mikun e tij » Vuçiqin.

Pas deklaratave të papërgjegjshme të ndërkombëtarëve, të cilat shkaktuan dhunë dhe pasiguri në Veri të Kosovës, ndërkombëtarët turpin e rradhës e bënë duke përjashtuar FSK-ën nga ushtrimet ushtarake me trupat e NATO-s « defender 23 ». Me këtë akt ata po ndëshkojnë Qeverinë Kurti, e cila me çdo kusht po lufton për vendosjen e shtetit të së drejtës, kurse po mbështesin Vuçiqin me grupet dhe strukturat kriminale dhe bandat e nëntokës të lidhur me Wagnerin famkeq rus.

Prandaj institucionet e Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar, nuk duhet t’iu nënshtrohen shantazheve dhe presioneve të huliganëve dhe kriminelëve në Veri të Kosovës, sepse nëse tani tolerohen, më vonë nuk do të mund të kontrollohen e as të menagjohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat