Skena politike e Kosovës e përçarë: Kush po i fërkon duart?

Opinione

Skena politike e Kosovës e përçarë: Kush po i fërkon duart?

Nga: Ismail Muçiqi Më: 1 qershor 2023 Në ora: 19:06
Ismail Muçiqi

Derisa Serbia bashkë me Rusinë dhe agjenturat e aleancës të saj po e sfidojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës, partitë opozitare grupet e interesit dhe liderët, po i fërkojnë duart duke e fajësuar kryeministrin Albin Kurtin dhe Qeverinë e Kosovës me akuza më të ndryshme për interesat e tyre karrieriste për tu rikthyer në pushtet.

Po i fërkojnë duart Kryetarët e partive opozitare dhe klanet e tyre të cilat që nga çlirimi i Kosovës ishin pjesë e qeverisë, e parlamentit dhe institucioneve të cilët mbajnë përgjegjësi për të gjitha dështimet që i ndodhën Kosovës që nga çlirimi dhe pavarësia e saj. Këta liderë dhe grupe e tyre parlamentare rreth situatës në veri të Kosovës gjatë ditës i ndryshojnë deklaratat duke u munduar të servelizohen ndaj deklaratave të diplomatëve Evropian apo atyre Amerikanë.

Ky soj i individëve të cilët po rreshtohen kah po frynë era po e tregojnë fytyrën e vërtetë ndaj situatës aktuale, politike të sigurisë për fatin e Kosovës. Këta nuk meritojnë të ulën në bankat e Parlamentit të Kosovës apo të jenë pjesë e komisioneve Parlamentare, apo pjesë e ndonjë institucioni qeveritarë për shkak se aspiratat e tyre tani më janë të njohura për opinionin. Këta synim dhe qëllim kryesorë e kanë pushtetin, interesin materialo financiarë pa u preukopuar shumë për fatin e vendit.

Deklaratat diplomatike të momentit nga sekretari i Shtetit Amerikanë Blinken, dhe nga ambasadori amerikan në Kosovë e nxiti opozitën dhe liderët e partive politike që pa hezitim ta shprehin gatishmërinë për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Këta në vend që të bashkohen dhe t’i bashkërendojnë qëndrimet me Qeverinë dhe me institucionet tjera të shtetit, këta po i fërkojnë duart kinse Albin Kurti po i prishë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se, shpresa e tyre për tu rikthyer në pushtet tani ndoshta po vjen.

Kjo gjendje që po mbretëron në politikën Kosovare është e dhimbshme për Shqiptarët e Kosovës. Shtrohet pyetja kush janë këta? Kryetari i Aleancës Ramush Haradinaj plotë qe 23 vite i ndërron pozitat në krye të institucioneve të shtetit duke i realizuar qëllimet e tija në qdo pikëpamje duke e shfrytëzuar pushtetin përmes të cilit ka arritur të krijoi pasuri marramendëse. Rreth tij sillet klani i cili është i njohur për opinionin, ku bëjnë pjesë më shumë biznesmenët e tenderëve dhe servilët tjerë të cilët kanë përfituar pozita dhe benefite tjera duke ja rrahur krahët liderit. Rreth zhvillimeve në veri të Kosovës Lidhja Demokratike dhe lideri i saj (anemik) në vend që të kërkoj unitet dhe t’i bashkohet institucioneve të shtetit ai gjatë ditës lëshon deklarata kontraverse të cilat nuk i bëjnë përshtypje askujt, por pasqyrojnë degradimi e imazhit që kishte Lidhja Demokratike e Kosovës sa ishte gjallë lideri i saj Dr. Ibrahim Rugova. Strukturat e kësaj partie gjithmonë kanë qëndruar në hije duke vëzhguar se kah është fitimi dhe interesi.

Nuk ka dyshim se Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që është në lajthitje. Kjo parti pas shkuarjes në Gjykatën e Hagës të liderëve të mëhershëm tani ka një udhëheqje e cila asesi nuk po arrinë që të rikuperohet. Kjo parti mbanë përgjegjësi për procesin e dialogut me Serbinë problem ky i cili po e sfidon sovranitetin e shtetit të Kosovës, e këtë po e vërtetojnë ngjarjet e tanishme te agresionit serbë. Andaj në fund po del e vërteta para opinionit të gjerë, po dihet kush po punën dhe kush e ka përnjëmend për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës, e kush po i fërkon duart për tu rikthyer në pushtet e për ta vazhduar këngën e vjetër për tu pasuruar dhe më shumë. Ky soj i individëve nuk ngopet asnjëherë!

Kjo është gjendja e pluralizmit në politikën e Kosovës në momentin e pikërishëm kur bandat kriminale serbo-ruse po e destabilizojnë veriun e Kosovës. Kjo është gjendja kur ushtria dhe policia serbe është dislokuar afër kufirit të Kosovës me qëllim të vetëm pushtimin e Kosovës. Kështu nuk mbrohet shteti e as pavarësia për të cilën është derdh gjak dhe mund me gjenerata të tëra të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat