Mero Baze: Kurti nacional – komunist dhe antiamerikan?!

Opinione

Mero Baze: Kurti nacional – komunist dhe antiamerikan?!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 3 qershor 2023 Në ora: 20:32
Sherif Ramabaja

Situata e tanishme në Veriun e Kosovës shqiptarët i ka shqetësuar, prandaj secili mundohet në mënyrën e vetë, sado pak të hedhë dritë mbi gjendjen e tanishme. Lexohen dhe çmohen shumë shkrimet e Mero Bazes, po me eskalimin e gjendjes në Veriun e Kosovës, Albin Kurtin e ka marr në shënjestër.

Ne shqiptarët e Kosovës në vitet e 80, derisa nuk e mësuam të vërtetën pjesa dërmuese ishim enveristë. Një pjesë që ishin mishëruar me këtë ideologji, edhe sot e kësaj dite nuk kanë arritur të dalin nga ky rreth, prandaj dhe do të vdesin si të tillë. Është mëse e vërtetë, në vitet e pas luftës së fundit, me veprimet e tij, Albin Kurti edhe në perëndim është cilësuar si ekstremist i majtë. Prandaj ne shqiptarët e Kosovës e kishim periudhën, kur arritëm të shkëputeshim nga enverizmi, por ashtu edhe Kurti, po të ishte një nacional – komunist, siç e quan Mero Baze, ai erdh duke u formësuar, evoluar dhe pasi i fitoi zgjedhjet edhe në perëndim, erdh duke ndryshuar qëndrimi ndaj tij.

Sot kur situata është shpërthyese në Veriun e Kosovës, Albin Kurti i është ekspozuar kritikave të fuqishme nga SHBA, EU dhe perëndimi, edhe nëse në këtë moment tentojmë t´i zbusim veprimet agresive të opozitës së Kosovës.

Kjo është brengosëse për çdo shqiptar, por duhet shikuar rrethanat globale, se pse tash po paraqitet kjo gjendje? Pse po ndryshon pozicioni i SHBA, EU dhe pe- ëndimit? Pse po përkëdhelet Serbia, e po gjykohet Kosova?

Shkurt kjo me një fjali mund të sqarohet: SHBA, EU dhe perëndimi me çdo kusht po përpiqen ta përfitojnë Serbinë, në mënyrë që ta largojnë nga Rusia.

Serbia fort mirë e din këtë situatë, prandaj për momentin po lozë me perëndimin, duke kërkuar që së pari të formohet Asociacioni (me kompetenca të plota), nëse doni të jem me ju.

Albin Kurti ndodhet para aktit të kryer, ta mbroj tërësinë territoriale të Kosovës, duke bërë përpjekje që t´i bind SHBA, EU dhe perëndimin, në të drejtën e Kosovës, ose ta firmosë shkëputjen e Veriut.

Për SHBA, EU dhe perëndimin sigurisht që më e lehtë do të ishte që t´i plotësojnë apetitet e Serbisë, sesa të ballafaqohen me rreziqet e shpërthimit të një konflikti të ri.

Po ashtu për perëndimin më e lehtë do të ishte një marrëveshje dosido mes Kosovës e Serbisë, sesa të hapej edhe një front i dytë, pas atij të Ukrainës.

Nëse Kosova i pranon këto kushte, do të rrezikohet edhe vetë ekzistenca e saj, prandaj pjesa dërmuese e popullit, qëndrojnë pas vendimeve të Albin Kurtit edhe pse ai gabon ndonjëherë.

Kjo nuk do të thotë që populli, Kosova dhe qeveria janë pozicionuar kundër SHBA dhe perëndimit. Përkundrazi pozicioni pro amerikan, EU dhe perëndimor kurrsesi nuk guxon të zbehet, përndryshe secili e din që do të ishim të humbur.

Fatkeqësisht opozita duke menduar se u erdhi dita, e shpallën luftën për pushtet duke e akuzuar Kurtin si rrezik për Kosovën. Në këtë rast në shtetet demokratike, pa marr parasysh rivalitetin, mbrohet qëndrimi qeveritar, kur është në pyetje shteti.

Kosova në 20 vitet e fundit ishte zhgënjyer me udhëheqësit e saj, prandaj zgjedhësit ndoshta s´kishin alternativë tjetër, përpos ta votonin Lëvizjen dhe Kurtin. Koha do të dëshmoi se a kishin të drejtë, apo jo.

Megjithatë në momentet e vështira për Dardaninë dhe kombin, do të duhej të ishim të bashkuar. Zgjedhjet janë për rivalitet dhe vota. I kuptojmë edhe preokupimet e vëllezërve nga Shqipëria, po ta hedhin edhe një sy nga Vuçiqi, Serbia dhe Rama, si dhe ta analizojnë gjendjen strategjike globale që po mbretëron në relacionin Rusi – Ukrainë, para se të mundohemi t´ia nxjerrim sytë njëri - tjetrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat