Albin Kurti, viktimë e paraardhësve, e koniunkturës dhe e vetvetes...!

Opinione

Albin Kurti, viktimë e paraardhësve, e koniunkturës dhe e vetvetes...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 5 qershor 2023 Në ora: 07:58
Xhevat Mustafa

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbi 2 vjetëve në këtë post, ka njëherazi adhurues e mbështetës si dhe urryes dhe kundërshtarë të shumtë, në Kosovë e jashtë saj, në diasporë. Secila palë ka bindjen e vet dhe argumentet e saj në mbrojtje të qëndrimit respektiv. T'i veshë në kandar është humbje kohe dhe kotësi. Ndoshta pala kundërshtare, duke u përforcuar, pa u vënë re apo në pranim në heshtje, për shkak të "miopisë dhe të etheve të opozitarizmit", mbështetur apo shtuar, edhe nga Lista Serbe dhe serbë të sjellë nga Vuçiçi, aktualisht mund të dalë më rënduese në peshore.

Uroj që ky raport të mos jetë i tillë në sallën e parlamentit të Kosovës, nëse bihet dakord nga partitë kryesore shqiptare për votëbesim të qeverisë së Albin Kurtit. Personalisht, kam opinionin subjektiv se Albin Kurti, pavarësisht disa gabimeve apo lëvizjeve të përshpejtuara e të pamatura( në fund të fundit është njeri e jo engjëll), është kryeministri më i mirë që ka pas Kosova qysh nga çlirimi i saj afro 24 vjet më parë! Nëse do të analizohet me drejtësi dhe objektivitet, domethënë pa militantizëm partiak dhe interes opozitarizmi, do të dalë se Albin Kurti është viktimë e traditës 145 vjeçare shqiptare(pas qershorit 1878); e 28 nëntorit 1912; e periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut; e Enverit dhe enverizmit...! Por, edhe e komandantit të forcave speciale franceze në përbërje të KFOR-it, Zhak Hogar dhe e disa politikanëve shqiptarë, që ndodheshin në Mitrovicë e përreth saj, që më 17 qershor 1999, ia dorëzuan Mitrovicën e Veriut serbëve; e presidentëve dhe kryeministrave paraardhës, që i kanë lënë në derë një maune me probleme apo sfida...

Opozita, sidomos krerët e saj, ish presidentë, ish kryeministra, ish ministra të jashtëm apo ish “kryenegociatorë” duhet “të kujtohen” e të pranojnë se kjo që po përjetojnë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në këta 2 vjet, është më së shumti investim apo trashëgim prej atyre! Mjafton të kujtojmë se ndryshimi pothuajse tërësor demografik, lënia e veriut të Mitrovicës dhe e veriut të Kosovës me shumicë serbe, de facto në duart e serbëve, është skenar dhe vepër që nisi qysh nga mesqershori 1999, kryer nga forcat franceze në përbërje të KFOR-it si dhe nga disa politikanë shqiptarë, që vepronin në atë periudhë në atë zonë. Mes tyre spikaste Hashim Thaçi, i cili më vonë, kur ia kujtuan këtë gjëmë për Mitrovicën dhe mbarë Kosovën, njëherazi u justifikua dhe u mburr se duke mos iu kundërvënë me forca ushtarake këtij akti, në fund të fundit “kishte shmangur një luftë civile...”!?.

Edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, “Zajednica” iu la në sirtare e dorë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nga paraardhësit e tyre të PDK-së dhe LDK-së, individualisht prej Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës dhe si ekipe, prej qeverive të tyre. Për të freskuar kujtesën e disa opozitarëve të flaktë apo të egër ndaj Albin Kurtit po i referohem arkivit . “Ka qenë 19 prill i vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur Marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bazë të së cilës është paraparë edhe krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Marrëveshja është negociuar dhe arritur mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq... Në 25 gusht të vitit 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni - marrëveshje kjo që nuk është zbatuar asnjëherë...”.

Këto rradhë, të shkëputur nga një intervistë e Radios “Evropa e Lirë”, më 21 tetor 2022, shprehin një të vërtetë shumë të qartë apo fare SHQIP! Duke u shprehur në mënyrë figurative apo popullorçe, “kopili i zajednicës”, që i është lënë pas derës Albin Kurtit dhe që paradoksalisht i bëhen presione ta njohë si “bir për shpirt”, si nga Beogradi, ashtu edhe nga disa krerë të partive opozitare në Prishtinë e nga Tirana qeveritare, kryesisht nga Edi Rama dhe mediat e tij, “fshehur pas keqardhjes ndaj fyerjes” së Blinkenit dhe Borrellit dhe atyre që përfaqësojnë nga “kokëfortësia dhe gjaknxehtësia prej shqiptari” e Albin Kurtit, është pjellë e përbashkët e çifteve Ivica Daçiç- Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç- Isa Mustafa! Natyrisht, si njeri, si politikan e kryeqeveritar, Albin Kurti është edhe viktimë e vetvetes...!

Siç ia kujtoi me dashamirësi dhe pjekuri profesor Enver Bytyçi, në një shkrim të tij, më 4 qershor, Albin Kurti ka gabuar, sidomos në krizën e nisur më 26 maj 2023 në Veri të Mitrovicës, kur “ka harruar” se qysh nga dita e parë e detyrës si kryeministër i Kosovës është më së pari kryetari i qeverisë së saj se sa kryetari i familjes Albin Kurti dhe zotëruesi i pasaportës me emrin Albin Kurti. Njëherazi, sidomos në këto vite, kur Vuçiçi, i cili mendon dhe bën gjithçka për fronin e vet e për të hyrë në histori dhe jo për të mirën e serbëve në Veri të Kosovës, i telekomandon kukullat” e tij në katër komunat veriore të protestojnë dhunshëm si kundër policisë së Kosovës, ashtu edhe forcave të KFOR-it! Por, edhe kur, si rrjedhojë e ndryshimeve gjeostrategjike mes viteve 1999- 2008 dhe atyre 2012-2023, era nga Perendimi fryn më shumë për “mullinjtë” e Beogradit e të Xhorxh dhe Alex Sorosit, me mendje dhe sy nga Trepça!

Në këto kushte të reja në vend e në koniunkturën ndërkombëtare atij i kërkohet të raskapitet përbrenda për vetëpërmbajtje e vetëkontroll si dhe për më shumë pjekuri e diplomaci... Është në të mirë të atij si kryeministër e të Kosovës që të mos ia thotë SHQIP apo albinisht, por t’ia lërë kohës vertetimin nëse Shefat e diplomacive në Uashington dhe Bruksel, respektivisht Blinken dhe Borrelli, mashtrojnë vetvetet me dëshirat, synimet dhe përpjekjet për ta shkëputur Aleksandar Vuçiçin dhe Serbinë nga gjiri i Putinit apo krahët e Rusisë. Ama, me pjekuri, qetësi, argumente, edukatë...nuk ka përse të mos ua bëjë të qartë Blinkenit dhe Borrellit dhe misionarëve të tyre që “u mbajnë iso” se “thithja” e Serbisë nga BE-ja nuk duhet bërë e nuk mund të pranohet nga ai dhe qeveria e tij duke e shpërblyer me copa Kosove, integriteti dhe sovraniteti të saj. Është bërë e dukshme se kundërvënia e Albin Kurtit me Blinken dhe Borrellin, sidomos kërcëllimet e dhëmbëve, presionet dhe masat e para ndëshkuese të tyre, edhe pse fshehur me keqardhjen për fatet e vendit, disa liderë të opozitës, kanë nxituar të shtojnë dozat e opozitarizmit e të fillojnë përpjekjet për organizmin e votëbesimit të qeverisë në parlament.

Për më keq, pa i bërë mirë llogaritë se kujt i shërben më shumë në këtë kohë rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit dhe kalimi i vendit apo i elektorateve respektivë në zgjedhje të reja, të parakohshme. Kam bindjen individuale, pra subjektive, se nëse arrihet që të rrëzohet qeveria e Albin Kurtit në këtë situatë tejet delikate në Kosovë e të pafavorshme ndërkombëtare, ajo ditë, në mënyrë figurative, mund të cilësohet si humbjeje dhe zie në Kosovë dhe të përjetohet si ditë feste të madhe në Beograd dhe në mbarë Serbinë, sidomos për Aleksandar Vuçiçin, Ana Brnabiçin, Ivica Daçiçin dhe plot iça të tjerë në këtë vend, në diasporën e tij e për miqtë e tyre të moçëm në rajon e më larg, në Moskë, Minsk, Pekin...dhe në kryeqytete të tjera, që bëjnë lojë të dyfishtë...! Apo që përgjërohen për Kosovën ditën me diell dhe mbyllin sy e veshë netëve me hënë, kur mbi trupin dhe qiellin e saj mprihen dhe ngrihen thika të mëdha, ose drejtohen maja avionësh dhe raketash, gryka topash...?!

Gjithashtu, nuk mund të përjashtohet prerazi, që ata dhjetëra mijëra protestues në rrugët dhe sheshet e Beogradit kundër Vuçiçit gjatë ditëve të fundit, të ndryshojnë parullat dhe kërkesat e të ngrejnë lart fotografi me portretet e Aleksandar Vuçiçit dhe të ngjiren duke brohoritur për atë! Në fund të fundit, dihet prej shekujsh:serbët janë...serbë! Sidomos kundër nesh apo ndaj nesh, shqiptarëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat