Një aspirinë për opozitën e paduruar të Kosovës!

Opinione

Një aspirinë për opozitën e paduruar të Kosovës!

Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Më 5 qershor 2023 Në ora: 12:06
Kuvendi i Kosovës

Mbrëmë ishim në një debat televiziv në Euronews Albania me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe anëtaren e kryesisë së Lidhjes Demokratike, zonjën Lushaku. Dëgjova në studio me shumë vëmendje ato që thanë të dy përfaqësuesit e opozitës kryesore në Kosovë. Ata që e kanë ndjekur këtë emision televiziv më kuptojnë mirë për çfarë është fjala.

Karakteristika kryesore e fjalës së tyre ishte urrejtja dhe armiqësia me kryeministrin Albin Kurti. Kjo dëshmon se opozita në Kosovë po imiton me përpikëri ideologjinë e përçarjes, urrjetjes, hasmërisë dhe luftës së ashpër politike. Pse konstatova këtë konkluzion? Sepse gjatë gjithë atyre minutave jo të paktë asnjëri prej dy përfaqësuesve të opozitës nuk e përmendi faktin se armiku kryesor dhe më i madh i Kosovës është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Zoti Krasniqi u përpoq të thotë se në veri ka banda të Beogradit, por të gjithë përgjegjësinë e adresoi te kryeministri Kurti. Të dy thanë se për gjithçka fajtor është zoti Kurti. Madje jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastet e tjera, si targat, dokumentet etj. Qëndrimi i tyre është i ndikuar edhe nga deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili sa herë i bëhet pyetje për „vëllain e tij binjak“, Aleksandër Vuçiç, thotë se presidenti serb u provokua nga kryeministri i Kosovës, Kurti!

Të dy opozitarët në emision thanë se “Kurti ka shkaktuar kriza të njëpasnjëshme në veri të Kosovës“ dhe e kritikuan marrëveshjen e Ohrit pse nuk u arrit njohja reciproke. Kritikat e opozitës në Kosovë mund të zënë vend te një pjesë e opinionit në Kosovë e më gjerë, nëse zoti Krasniqi dhe LDK të kërkonin ndjesë për faktin se problemet që shpërfaqen sot ne marrëdhëniet me Serbinë janë derivat i kompromiseve anti-Kosovë të liderëve të tyre të mëparshëm. Është vërtet imoralitet politik që të akuzosh pasardhësin për përpjekjet e tij për mbylljen e plagëve që vetë ti i ke shkaktuar.

Diskutimi i opozitarëve në këtë emision Review të gazetares Jonida Shehu ishte me retorikën se “Zoti Kurti po prish raportet me aleatët tanë SHBA dhe BE“! Ndërkohë nuk duan ose nuk dinë që këto raporte janë të kushtëzuara me sjelljen e Serbisë e ndaj Serbisë, e cila nuk i ndryshon qëndrimet e saj agresive kundër Kosovës. Nuk duan t’ia dinë opozitarët e Kosovës se planin e ndarjes së vendit të tyre e ka bërë fondacioni “Soros” në Beograd, plan I cili ia jep Serbisë Ujmanin dhe të gjitha minierat e Trepçës. Nuk duan t’ia dinë opozitarët në Prishtinë se mosveprimi do të legalizonte përgjithmonë sovranitetin serb në katër komunat e veriut!

Të dy opozitarët përballë në këtë emision folën për përgjegjësinë e zotit Kurti pse ai pranoi në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit që serbëve në Kosovë t’u jepet e drejta e një organizimi vetmenaxhues dhe flasin në çdo dy fjali për “autonomi politike të serbëve në Kosovë”. Dhe nuk skuqen fare që liderët e tyre “të lavdishëm” Thaçi dhe Mustafa kishin nënshkruar një asociacion serb me kompetenca ekzekutive për serbët!

Fenomeni i sjelljes brutale të Edi Ramës në politikën e Shqipërisë e në përballje me politikanët në qeverisje në Kosovë, është absorbuar mrekullisht nga liderët politikë opozitarë. Nuk jam i sigurt nëse ky agresivitet bëhet në synim të marrjes së pushtetit apo për një arsye tjetër. Ndoshta shkak i këtyre sjelljeve opozitare është pamundësia për t’u pasuruar përmes korrupsionit. Por, unë besoj se në raport me ngjarjet ne veri të vendit, nëse nuk do të tentohej të vendoseshin targat e Republikës ë Kosovës, nëse nuk do të bëheshin zgjedhje, nëse nuk do të tentohej të zbatohej ligji dhe kushtetuta, atëherë do të pranohej de facto sovraniteti i Serbisë në komunat e veriut të vendit. Nuk e njohin as aktin e kryeministrit për moslejimin e referendumeve dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Në fakt Thaçi dhe Mustafa me tolerimet që bënin u duk sikur zbutën marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. Ndërsa periudha 2016-2020, kur Vuçiç, Rama dhe Thaçi u bënë bashkë për të realizuar projektin serb të ndarjes së Kosovës domosdo që do të ishte periudhë detante dhe stabiliteti mashtrues. A mos krerët e opozitës së Kosovës duan të njëjtën situatë statuskuoje deri në arritjen e qëllimit serb të ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës? Unë nuk besoj në këtë. Unë kam një bindje se po prevalon dëshira për pushtet në vend që të shihet interesi i Kosovës. Unë besoj se opozita në Kosovë nuk pranon të qëndrojë e të reformohet në opozitë. I duket se është “gatuar” vetëm për të qëndruar në pushtet edhe me çmimin e blerjes së një ari tokë me 7 euro, për ta shit pas disa javësh me mijëra euro!

Por ajo që nuk mund të pranohet lidhet me faktin që kur është në pyetje çështja e territorit, sovranitetit, integritetit e shtetit, duhen lënë mënjanë urrejtja, hakmarrja dhe lufta ekstreme politike. Duhen kapërcyer krizat e më pas të zhvillohen debate. Por kjo nuk ndodh në Kosovën e sotme. Ndaj dhe po humb gjithnjë e më shumë ai homogjenitet unikal që kishte krijuar lideri historik i Kosovës, Doktor Ibrahim Rugova! Kemi kaluar në një fazë të rrezikshme dhe rrezik kryesor për lirinë e pavarësinë e vendit, tashmë është vetë politika e Kosovës! Nëse do ishim bashkë, as Vuçiç nuk do të guxonte të vinte në veprim bandat e tij kundër policisë së Kosovës dhe KFOR-it në veri. Më pak ose aspak urrejtje dhe më shumë mirëkuptim e bashkëpunim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat