Vuçiqi i gatshëm të vdes, por pa zgjedhje nuk ua dorëzon pushtetin frikacakëve!

Opinione

Vuçiqi i gatshëm të vdes, por pa zgjedhje nuk ua dorëzon pushtetin frikacakëve!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 5 qershor 2023 Në ora: 14:43
Sherif Ramabaja

Nga Vuçiqët, Ramat dhe Erdoganët gjithçka mund të dëgjosh, por zgjidhje kurrsesi nuk pritet prej tyre.

Cili mund t´i largoi këta tre me zgjedhje? Askush dhe asnjëherë, përderisa vetë ta dorëzojnë pushtetin, ose të shporren me dhunë, ose nga vdekja e pa pritur e tyre.

Që të tre e kanë kapur shtetin, duke e ushqyer njëri - tjetrin. Zgjedhje në çdo moment mund të organizojnë, në mënyrë që të mburren se ja, prapë i fituam.

Për ta ndoshta momenti më i vështirë ka qenë se si ta rrëmbejnë pushtetin, kurse për ruajtjen e tij i kanë krijuar mekanizmat e nevojshëm, autokracinë diktatoriale.

Turqia edhe pse ka zhvilluar në të kaluarën luftëra me Rusinë, tradicionalisht gjithmonë ka qenë në anën e saj dhe të Serbisë. Mjafton shqiptarët të kthehen në vitet 1912 -14, kur Turqia me çdo kusht me Haxhiqamilat donte ta ruante sundimin mbi Shqipërinë, (sot të njejtë e kemi ideologjinë islamiste) kurse me fqinjët angazhohej për ndarjen e trojeve shqiptare. Pastaj ishin marrëveshjet me Turqinë mbi shpërnguljen e shqiptarëve sipas Elaboratit të Çubrilloviçit, e cila marrëveshje ka vazhduar edhe me „Bashkim Vëllazërimin“ e Titos.

Sot po ashtu Turqia është duke e vazhduar tradicionalizmin e saj, duke i refuzuar sanksionet kundër Rusisë, si dhe duke e bllokuar pranimin e Suedisë (Finlandës) në NATO. SHBA dhe NATO duke e ditur rëndësinë e saj si shtet i fuqishëm në rajon, kanë nevojë për te dhe shpesh e mbyllin njërin sy.

 Po të vinte deri te konflikti Kosovë – Serbi, Turqia si më parë me Haxhiqamilët do të mundohej t´i përçaj shqiptarët deri në vëllavrasje, duke kërkuar që të jenë nën influencën e saj, kurse në anën tjetër do ta përkrahte Serbinë që t´i arrinte qëllimet e saj ndaj Kosovës.

Është shpresuar që kësaj here nuk do ia dilte Erdogani, në mënyrë që vëmendja të përqendrohej në dy të keqët e Ballkanit, Ramën dhe Vuçiqin, por nuk doli ashtu.

Derisa Erdogani u kurorëzua edhe për mandatin tjetër, tash vëmendja do të përqendrohet drejt Vuçiqit dhe Ramës, me Ballkanin e tyre të Hapur (Bota Serbe).

Dosja si duket Vuçiqit i është përgatitur, vetëm do të pritet momenti se kur do të kapet për freri, ku shpresohet që t´i dorëzohet Hagës për gjenocidin në Bosnje, Kosovë, lidhjet me krimin dhe dhunën nga bandat kriminale tash në Veriun e Kosovës kundër KFORIT .

Me veprimet e tij të fundit në Veriun e Kosovës, si duket ai e ka vulosur fatin tij me dorën e vetë. Nga urrejtja kundër NATO – s, (duke e akuzuar se pa arsye e kishte bombarduar Serbinë, duke vrarë civil serb) deshi të hakmerrej, duke plagosur mbi 30 pjesëtarë të saj.

Ky kulminacion racist i tij prej krimineli, nuk do të mbetet kësaj here pa u ndëshkuar nga perëndimi. Kjo do të jetë vetëm çështje kohe.

Deklaratat e tij se frikacakët duan t´ia rrëmbejnë pushtetin dhe ta vrasin, janë vetëm momente dëshpërimi, duke e ditur se çka do ta pres në vijim.

 Vuçiqi shpëtimin e ka shpresuar nga Rusia dhe Putini, por Putini tash e tutje  do ta ketë hallin, si ta shpëtoi veten.

Një figurë tragjike me kabinetin e tij, Rilindjen dhe PS do të jetë edhe Rama, i cili pa Vuçiqin dhe Ballkanin e tij të Hapur do të venitet, duke u përpjekur që të ndërroi kurs politik, por do të jetë shumë vonë.

Me rënjen e Vuçiqit dhe Ramës, Ballkani do të çlirohej nga tiranët e tij, që  me një reformim rrënjësor, do të ecnin drejt EU dhe integrimit perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat