Përballë Serbisë të jemi të gjithë bashkë!

Opinione

Përballë Serbisë të jemi të gjithë bashkë!

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 qershor 2023 Në ora: 23:54
Autori Faton Mehmeti

Lufta e brendshme politike duhet të ketë vijat e kuqe deri aty ku nuk cenohet interesi kombëtar. Të gjithë kemi diçka për të thënë për njëri tjetrin, e natyrshme dhe mbi të gjitha edhe njerëzore, aq më tepër që pushteti të shton egot për pushtet dhe karrierë. Gjithsesi, asnjë nga këto nuk arsyeton betejën pa limite ndaj kundërshtarit, edhe duke dëmtuar atdheun. Kjo logjikë duhet të marr fund, së pari të ruhet interesat kombëtare pastaj ato politike.

Kudo që janë shqiptarët në udhëheqje, Shqipëri, Kosovë por edhe në Maqedoni etj, shqiptarët flasin nëpër ambasada të huaja keq kundër njëri tjetrit, nuk mungojnë rastet as kur kjo ndodh hapur si në rastin e fundit në Kosovë. Respektivisht në veri ku opozita në vend se të ndihmonte qeverinë në shtrimin e sovranitetit atje e sulmonte atë duke e bërë përgjegjëse, në një linjë me Vuçiqin në kritikat e tija ndaj Kurtit.

Pak rëndësi ka se kush është kryeministër, kushdo qoftë, të mbështete kur është përballë Serbisë. Shtete e zhvilluara dhe me kulturë të lartë të demokracisë, hartojnë plane të nivelit nacional nga të cilat arrijnë të shmangin çdolloj të cenimit të interesave bazike të shtetit. Lufta politike zhvillohet për çështje të brendshme, kurrë për ato të jashtme e që kanë si temë interesin nacional.

Duhet të vetëdijesohen shqiptarët, politikanët dhe të tjerët se kur është në pyetje atdheu të gjithë duhet të jemi bashkë, edhe rivaliteti politikë ka kufijtë e vet. Vetëm kur të kuptojmë se atdheu është mbi çdo individ dhe mbi interesat e kujtdo, atëherë mund të ecim tutje si shoqëri dhe si komb, ndryshe jemi të destinuar të dështojmë për hir të interesave individuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat