Zotëri Escobar, çfarë borxhi ka Kosova ndaj serbëve!?

Opinione

Zotëri Escobar, çfarë borxhi ka Kosova ndaj serbëve!?

Gani I. Mehmeti Nga Gani I. Mehmeti Më 8 qershor 2023 Në ora: 06:19
Gabriel Escobar

Mjafton kjo thënie juaja që ne të mendojmë e të dyshojmë në ty personalisht, se je i tëri i njëanshëm me serbët në Kosovë dhe ata në Serbi dhe kundër shqipatrëve. Asnjëherë nuk vlerësoj pa u bazuar në diçka. E, këaj radhe, vetë kjo që e thua ti, nuk ka nevojë për të thënë më shumë.

Duke e njohur Amerikën, e cila na çliroi dhe na shpëtoi nga gjenocidi serb, nuk besoj të jetë ky qëndrim i Shteteve të Bashkaura të Amerikës për Kosovën!

Mirëpo, deri sa ti thua këtë, unë kam të drejtën të të pyes: Vallë, çka paska borxh Kosova serbëve pushtues, që atyre u dashka t’u japë më shumë autonomi, me kusht që kjo të integrohet në Europë? Përse është ky kusht? Çka u ka borxh Kosova serbëve dhe prej kur? E njeh pakashumë historinë shqiptare dhe atë serbe? Kush nga kur ishte në këto troje më parë? Kush në cilin prej tyre bëri masakra deri në gjenocid? Cili prej tyre është gabimisht në trojet e tjetrit? Ne pushtuam Serbinë apo ajo na kishte pushtuar neve nga viti 1912, për çka, NATO, me në krye SHBA u detyrua të bombardojë caqet ushtarake e policore të Serbisë deri sa ajo na çliroi nga kthetrat serbe?

Zotëri Escobar, kësaj radhe keni shkuar nga një gabim në tjetrin rreth vlerësimit se kush kë e provokoi në veri!

Kryetarët e komunave të zgjedhur vendin e tyre të punës e kishin dhe e kanë në zyret e tyre në ndërtesat komunale, si në çdo vend tjetër, deri sa ju vetë pranuat se zgjedhjet ishin legjitime. Vallë, ndoshta më mirë paska qenë që ju të mos i pranoni këto zgjedhje, sepse, ndoshta ashtu, nuk do ua mësynin fare atyre ndërtesave që u bënë mollë sherri për ngjarjet në veri të Kosovës.

Protestuesit serbë ishan ata që sulmuan policinë e Kosovës, gazetarët dhe plagosën 30 sutarë të KFOR-it, të cilët edhe sot po i mbron, duke sulmuar Kosovën, si nxitëse! Ky është gabimi, me këtë u dhe forcë serbëve në veri, ku më së paku kishte pjesëmarrës nga serbët e Kosovës, por kryesisht ishin kriminalë e grupe terroristësh nga Serbia, që në Kosovë kishin hyrë me urdhërin e Vuçiqit.

Në anën tjetër, si është e mundur që ju të pranoni ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, rast i vetëm në botë që arsyetohet kjo prej jush. Ju e dini mirë, se serbët të gjitha veprimet e marra deri sot në veri të Kosovës, kanë qenë dhe mbeten sipas urdhërit të Vuçiqit, për çka edhe ju e dini këtë, me të cilin shkoni e bisedoni me të për çështjen e brendshme të Kosovës, ndërsa kurrë, në asnjë rast, nuk u ka shkuar mendja të ndërhyni në punët e brendshme të Serbisë për shqiptarët atje, të cilët shtypen në mënyrën më të keqe si pakicë, deri sa serbët në Kosovë kanë të drejtë më shumë se vetë shqiptarët.

Serbët në Kosovë janë më të privilegjuarit në botë si pakicë. Nuk kuptoj se si kërkoni autonomi për ta, e jo për të drejtat elementare të shqiptarëve atje, në Serbi? Vallë, a mos ne jemi popull i rendit të dytë në krahasim me serbët! A vetëm pse gjithmonë kemi qenë paqësorë me tjerët, neve na bëhet trysni nga ju, pse asnjëherë nuk kemi pushtuar vende të tjera, tani ne duhet të shkilemi nga ndërkombëtarët e të mos e shijojmë fare lirinë që na përket dhe për të cilën dhanë jatën mbi 13 mijë veta në vitin 1999.

Zotëri Escobar, ne askujt nuk i kemi borxh as territor e as për dëme tjera, as për maskara e as për gjenpocid ndaj ndonjërit. Tjerët na kanë borxhe neve, pse na i kanë pushtuar tokat tona, dhe, me ndihmën e Europës, ata janë ngulitur në to, ku qëndrojnë edhe sot, për të cilët ju kërkoni t`u jipet autonomi dhe na e paraqisni për kusht në integrim europian.

Unë nuk do të pranoja as integrimin europian pa veriun e Kosovës, për çka ju nuk garantoni për sevranitetin territorial të Kosovës, kur flisni për këtë autonomi. Dhe, këtu është çelësi se përse ngurohet të formohet ai asociacion, të kërkuar aq shumë nga Serbia. Dhe, pikërisht tani, me kërkimin tuaj të autonomisë së serbëve në veri të Kosovës, keni treguar qëllimin e formimit të asociacionit.

Po Serbia, çka duhet të japë për shqipatrët atje, për integrim në Europë? E keni menduar këtë, kur ju paraqisni kushte Kosovës për serbët?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat