“Reciprociteti” - “Karrota” për serbët, “shkopi” për shqiptarët

Opinione

“Reciprociteti” - “Karrota” për serbët, “shkopi” për shqiptarët

Nga: Mr.Nehat Hyseni Më: 14 janar 2013 Në ora: 19:12

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, për realizimin e të drejtave të veta kombëtare dhe qytetare në Serbi përdorin metodat demokratike dhe legjitime, pa iu qasur metodave vandaliste që i aplikojnë serbët e Kosovës: barrikadat, djegien e objekteve doganore, sulmin mbi gjykatat shtetërore, sulmet ndaj policisë etj. Megjithatë, për serbët e Mitrovicës së veriut bëjnë gara Beogradi dhe Prishtina se kush do të investoj më tepër dhe kush do t’i ndihmoj e shpërblej ata më shumë, duke i përcaktuar pozicion të majmë në buxhetet e tyre shtetërore.

Derisa buxheti i Republikës së Kosovës ka paraparë miliona euro si pozicion të veçantë për serbët e Mitrovicës së veriut, Lugina e Preshevës nuk figuron fare në të, me asnjë cent të vetëm, bile as simbolik. Pra, gjendja e shqiptarëve të Luginës është absurde dhe e papranueshme! Edhe pse jetojnë në Serbi, ata nuk trajtohen si shtetas të barabartë të saj, sepse nuk janë serbë. Kurse, nga qeveria e Kosovës, edhe pse janë shqiptarë, ata trajtohen si shtetas të Serbisë. As qeveria e Kosovës e as qeveria e Serbisë nuk aplikojnë reciprocitet në trajtimin e tyre.
Atmosfera e tanishme politike në Kosovë karakterizohet me ofertën “zemërgjerë” ekonomike e politike për serbët e Kosovës nga ana e premierit Hashim Thaçi. Ai ka përgatitur një “shportë” të madhe për t’ia dhuruar serbëve të veriut të Kosovës, në negociatat me premierin Daçiq më 17 janar 2013 në Bruksel. Kjo ofertë e begatshme është përgatitur për ata të cilët as nuk e njohin shtetin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tij edhe pse jetojnë dhe veprojnë në territorin e sa j.
Si sillen serbët e Kosovës ndaj administratës dhe organeve shtetërore të Kosovës ?
Serbët e Kosovës në pjesën e “enklavave” kanë filluar të ndryshojnë sjelljen radikale që e kishin para disa vitesh. Një pjesë e tyre ka marrë pjesë në zgjhedhjet lokale dhe parmantare të Kosovës, duke marrë pjesë në qeverisje me postin e zëvendëskryeministrit dhe me dy ministri, si dhe duke qeverisur me pushtetin lokal në disa komuna. Kurse, serbët e Mitrovicës së veriut veprojnë plotësisht ndryshe. Përkundrazi, ata ia dogjën objektet e doganës, i vrasin policët e Kosovës, i demolojnë gjykatat e Kosovës, ia pamundësojnë patrullimin dhe kontrollimin e terrenit dhe ruajtjen e rendit publik dhe Ligjit, vendosin barrikada në rrugë etj.
Pra, serbët e Kosovës janë i vetmi komunitet në Europë që ka komoditet të tillë politik që ta sfidoj shtetin të cilit i përket, duke u bërë kështu një territor i pakontrolluar ku sundon nëntoka, dhuna, anarkia dhe terrori i narkobosëve dhe mafisë,duke pamundësuar veprimin e l igjit dhe regullit dhe duke terrorizuar qytetarët , në këtë „oazë“ që aktualisht gjendet jashtë rjedhave normale civilizuese, që shërben për shpërlarjen e parasë dhe për kriminalitet ekonomik dhe krime të çdo lloji tjetër.
Ky realitet i është i qartë të gjithëve, e sidomos qytetarëve shqiptarë që jetojnë në atë pjesë dhe që janë të detyruar të bëjnë roje ditë e natë për t’u mbrojtur nga bandat paramilitare serbe që hedhin bomba dhe zbrazin rafalle të kallashnikovëve thuajse çdo ditë mbi shqiptarët e pambrojtur nga shteti i vet. Kurse, me sa kam pasur rastin të dëgjoj e bisedoj, edhe shumë serbë të asaj pjese të shtetit të Kosovës mezi presin vendosjen e rendit dhe ligjit për t’u mbrojtur nga anarkia dhe dhuna e terrori i mafisë atje.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke e ditur këtë situatë reale që mbretëron atje, ai në vend të „shkopit“ që është më se i nevojshëm për të vendosur rendin dhe ligjin dhe jetën normale për qytetarët, ai ka marrë „shportën“ me peshqeshe e dhurata dhe premtime e garanca për shpërblime që „nuk do të mund t’i refuzojnë“! Pra, në vend të dorës së fortë të shtetit të vet, ai u dërgon „shportën“ dhe u ofron „karrotën“ ose shpërblime, duke na lënë neve dhe mbarë botën e civilizuar demokratike gojëhapur, ku krimi dhe kriminelët ndëshkohen, e kurrësesi nuk shpërblehen. Kështu krijohet një presedan i paparë në botën moderne, duke dhënë një porosi të qartë se krimi – shpërblehet.
Për serbët e Mitrovicës së veriut bëjnë gara Beogradi dhe Prishtina se kush do të investoj më tepër dhe kush do t’i shpërpblej ata më shumë, duke i përcaktuar pozicion të majmë në Buxhetet e tyre shtetërore. Derisa Buxheti i Republikës së Kosovës ka paraparë miliona euro si pozicion të veçantë enkas për Mitrovicën e veriut dhe nuk kursen fare për të hedhur edhe para shtesë dhe për të avokuar tek ndërkombëtarët për grante marramendëse që investohen në atë pjesë të këtij shteti më të ri në Europë, edhepse nuk inkason asnjë cent nga tatimet dhe taksat doganore nga kjo pjesë.
Beogradi zyrtar, në anën tjetër, serbët e Kosovës në përgjithësi, e veçanërisht serbët e Mitrovicës së veriut i trajton si qytetarë të Serbisë. Bile i trajton si qytetarë të privilegjuar, duke i paraparë në buxhetin shtetëror psh. Për vitin 2012 reth 6500 (gjashtë mijë e pesëqind) US dollarë per capita (për kokë banori) serb, pa llogaritur investimet e qeverisë së Kosovës dhe grantet e ndryshme ndërkombëtare.
Çka ofron Qeveria e Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës e Preshevës ?
Materialisht, asgjë! Lugina e Preshevës nuk figuron fare në Buxhetin e Republikës së Kosovës me asnjë cent të vetëm, bile as simbolik! Përveç mbështetjes mjaftë të „reduktuar“ morale, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë asnjëherë asnjë cent nga ky Buxhet, edhepse nevojat e tyre janë të mëdha, sidomos për tekste shkollore, importimi i të cilëve është ndaluar që nga dita e shpalljes së Pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Absurdi i këtillë nuk don koment fare!
Çka ofron Qeveria e Serbisë për Luginën e Preshevës ?
Nga buxheti shtetëror i Serbisë, Luginës i jepet reth 500 (pesëqind)US dollarë per capita (për kokë banori), pra 13 herë më pak se sa ajo jep për serbët e Kosovës. Me këto mjete paguhet arsimi, shëndetësia dhe shpenzimet e tjera të administratës publike dhe pushtetit lokal. Dhe kjo është e tëra. Kurse sa i përket mbështetjes politike, aty koment nuk duhet fare, sepse Serbia përveç kërcnimeve, diskriminimit dhe terrorizimit shtetërorë me të cilët i „shpërblen“ shqiptarët e Luginës, duke i shpallur edhe terroristë e çka jo tjetër.
Ky është absurdi i kohës dhe vendit ku jetojnë aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët as nuk janë futur fare në agjendën politike të Qeverisë së Kosovës, kurse nga Serbia ndiqen e persekutohen në mënyrën më poshtëruese, jocivilizuese dhe jonjerëzore, e cila përveç „shkopit“, pra dhunës e kërcnimeve, që i ka të „rezervuar“ për shqiptarët, nuk ka çka t’u ofroj tjetër.
Pra, gjendja e shqiptarëve të Luginës është absurde dhe e papranueshmee! Edhepse jetojnë në Serbi, ata nuk trajtohen si shtetas të barabartë të saj, sepse nuk janë serbë, kurse nga qeveria e Kosovës, edhepse janë shqiptarë, ata trajtohen si shtetas të Serbisë.
Si sillen shqiptarët e Luginës ndaj administratës dhe organeve shtetërore të Serbisë ?
Të gjithë shqiptarët e Luginës, pa asnjë përjashtim, i respektojnë organet shtetërore dhe administrative të Republikës së Serbisë, marrin pjesë në zgjedhjet serbe dhe administrojnë pushtetin lokal në Preshevë, kurse në Bujanoc udhëheq pakica shqiptare me serbët, kurse në Medvegjë marrin këshilltarët shqiptarë marrin pjesë në punët e Kuvendit dhe pushtetit lokal.Gjithashtu, disa parti politike shqiptare kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe kanë një deputet, kurse tjerat i bojkotojnë ato.
Shqiptarët e Luginës kanë zgjedhur edhe Këshillin Kombëtar në zgjedhjet e lira të qershorit 2010. Pra, shqiptarët e Luginës së Preshevës, për dallim prej serbëve të Mitrovicës së veriut, janë qytetarë qytetarë lojalë dhe dhe respektojnë shtetin e Serbisë. Ata u detyruan që të vetëmbrohen gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001-2002 nga regjimi i egër i Millosheviqit, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Konçulit që u nëshkrua midis përfaqësuesve të UÇPMB-së dhe Qeverisë serbe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Por regjimi i tanishëm serb ka ngritur akuza kundër Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, duke i quajtur „terrorista“ dhe duke e tensionuar situatën politike skajshmërisht.
Cilat metoda i përdorin shqiptarët e Luginës për realizimin e të drejtave të veta në Serbi ?
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, për realizimin e të drejtave të veta kombëtare dhe qytetare në Serbi përdorin metodat demokratike dhe legjitime, pa iu qasur metodave vandaliste që i aplikojnë serbët e Kosovës: barrikadat, djegjen e objekteve doganore, sulmin mbi gjykatat shtetërore, sulmet ndaj policisë etj. Pra, asnjërën nga këto metoda nuk i përdorin shqiptarët e Luginës së Preshevës. Megjithatë, ata sulmohen nga pushteti dhe kreu aktual i Serbisë, nga premieri Daçiq dhe nga presidenti Nikoliq, duke u kërcnuar se do ta përdorin dhunën shtetërore p֝r rrënimin e Lapidarit të dëshmorëve kombëtar të tyre, duke i quajtur ata „tertroristë“ etj. Ngjashëm ky pushtet është duke vepruar edhe ndaj ish kryebashkiakut të Novi Pazarit, Aqif Efendiut, i cili konsiderohet hero nga populli i Sanxhakut, meqë i priu mbrojtjes së popullatës muslimane nga hordhitë çetnike kah fundi i Luftës së dytë Botërore.
Kurse, në të njejtën kohë ndërtohet monumenti gjigant për ushtarët dhe policët serb, si dhe për kriminelin ordiner, Drazha Mihajlloviqin në Ravna Gorë. Gjithandej Serbisë janë ndërtuar dhjetëra përmendore, pllaka përkujtimore e lapidarë kushtuar militantëve të politikës shoveniste e shfarosëse të Millosheviqit dhe Sheshelit. Ajo politikë është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e cila e ka shpallur si „politikë kriminale që shkaktoi gjenocid dhe bëri krime kundër njerëzimit“, duke i gjykuar udhëheqësit kryesorë me bashkëpunëtorë.
Sa jemi duke e përfillur dhe realizuar parimin e deklaruar të reciprocitetit të pozitës së shqiptarëve të Luginës me serbët e Kosovës ?
Pra, kjo është gjendja reale e „reciprocitetit“ të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët pë qeverinë e Kosovës nuk janë „kosovarë“, kurse për qeverinë serbe nuk janë serb. Si rezultat i kësaj kemi shpërnguljen e përmasave biblike, duke rrezikuar substancën kombëtare shqiptare në këto troje të tyre stërgjyshore.
Andaj, duhet insistuar me argumente bindëse dhe vendosmëri që t’ua bëjmë me die situatën tonë të vështirë të gjithëve: qeverisë së Serbisë, qeverisë së Kosovës, Tiranës dhe faktorit mbarëshqiptarë, si dhe faktorit ndërkombëtarë që të na trajtojnë njësoj, as më mirë e as më keq se serbët e Kosovës, duke vendosur parimin e reciprocitetit në të gjitha fushat e jetës, duke na trajtuar edhe neve shqiptarët si njerëz të barabartë, e jo si na trajtojnë tani si qytetarë të „rendit të dytë“.
Sepse, derisa serbët e Kosovës e hedhin poshtë dhe nuk e pranojnë korpusin e të drejtave të tyre me Pakon e Ahtisarit, si të „pamjaftueshme“, ne shqiptarët e Luginës do të ishim plotësisht të kënaqur poqese do të na siguroheshin standarde të njejta të të drejtave tona.
Pse na trajtojnë kështu dhe pse jemi lënë pasdore fare, përgjigjen e kemi borxh ta japim të gjithë ne shqiptarët kudo që jemi: Prishtina, Tirana, Shkupi e Tetova, si para miqëve, ashtu edhe para armiqëve. Tek e fundit, këtë ia kemi borxh vetes, gjeneratave të ardhëshme dhe historisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat