Sistemi zgjedhor në Kosovë nuk përputhet me sistemin demokratik

Opinione

Sistemi zgjedhor në Kosovë nuk përputhet me sistemin demokratik

Nga: Luz Tomaj Më: 28 korrik 2024 Në ora: 19:33
Autori Luz Tomaj

Shikuar në përgjithësi, legjislacioni i shtetit të Kosovës përmban të meta profesionale dhe dobësi në proceset e aplikimeve. Në veçanti më brengosin ligjet zgjedhor dhe ai penal. Për momentin, do të shpreh mendimin mbi Ligjin e Zgjedhjeve në Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë së shtetit, gjatë debateve në Parlamentin e shtetit, kanë ndodhur fjalë të ndyra, të turpshme, bojkotime nga subjektet politike dhe shumë e tjera. Ndodhitë e tilla jo vetëm që janë të turpëshme, por edhe në kundërshtim me të gjitha normat njerëzore dhe demokratike.

Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që kryesitë e subjekteve politike të vendosin dhe të zgjedhin kandidatët për deputetë dhe pozita të tjera, dhe t’ua imponojnë popullit për zgjedhje. Shtrohet pyetja se a ka ndonjë qytetar apo fshatar, për shembull, i rrethit të Pejës, njohuri për një kandidat të propozuar nga Mitrovica, Gjilani, etj., për të cilin duhet të votojë?!

Mënyra e vetme e drejtë e zgjedhjes së përfaqësuesve duhet të jetë që secilës njësi komunale, në bazë të numrit të popullsisë, t’i caktohet edhe numri i përfaqësuesve apo deputetëve që duhet të zgjidhen. Kështu, populli i asaj komune do të vendosë dhe do të zgjedhë përfaqësuesit.

Jam i moshuar dhe 35 vitet e fundit gjindem në SHBA. Ndaj, si shembuj për mendimin tim, do e përkujtoj edhe përvojën time në të kaluarën dhe zhvillimin e proceseve zgjedhore në SHBA, ndonëse me këtë shtet nuk mund të krahasohet asnjë shtet tjetër.

Ishte kohë moniste, Kosova e shkreta ishte pjesë e Serbisë gjenocidiale dhe e Jugosllavisë. Pas largimit të famkeqit Rankoviq, Kosova sadopak pa dritë. Diku, në fillim të viteve 1970, mbaheshin zgjedhjet e deputetëve. Në atë kohë, në të gjitha njësitë zgjedhore, funksiononin të ashtuquajturat konferenca kandiduese. Në Prizren isha anëtar. Nga elita e politikës së Kosovës ishte i pranishëm Iliaz Kurteshi, Kryetar i Lidhjes Socialiste të atëherëshme. Për deputet ishte propozuar Rexhai Suroi. Diskutohej dhe njëri e bëri një kundërpropozim dhe e propozoi prof. Gazmend Zajmin. Gazmendi, në atë kohë, ishte në qendër të politikës, pasi kishte shkruar dhe botuar disa vjersha që ishin konsideruar si nacionaliste shqiptare. Reagoi Iliaz Kurteshi dhe përveç tjerash tha se Gazmendi nuk mund të krahasohet me Rexhain. U tërhoq propozimi, u bë një pauzë dhe pastaj vazhdoi mbledhja. Tani, unë e përserita të njëjtin propozim dhe përveç tjerash iu drejtova Ilazit dhe i thashë se, nëse krahasohen Gazmendi dhe Rexhai, Rexhai nuk i afrohet as te thembra e këmbës së Gazmendit. Kuptohet, u aprovua propozimi për Rexhai Suroin, të cilin edhe e kam takuar më vonë, kur ai ishte ambasador.

Pas disa vitesh, në një mbledhje të gjyqtarëve të qarkut në Prishtinë, ishin disa politikanë, në mesin e të cilëve edhe Iliaz Kurteshi dhe Dushko Ristiqi, sekretar i komitetit krahinor të LK. Gjatë diskutimeve, unë e kritikova prokurorin e qarkut Pjetër Kolen, që ishte dhëndërr i Kolë Shirokës dhe Dushko Ristiqit. Pas mbledhjes, shkonim në darkë. Ilazi më kapi për krahu dhe më tha se kam qenë i ashpër, por asnjë fjalë nuk mund të hidhet poshtë. Më pas më tha se nga e kaluara i mban në mend dy gjëra. Njërën tha se e ka të shkruar se, kur diskutohej për titujt e njësive federale, unë kam qenë i pari që kam propozuar që Kosova të mos quhet vetëm krahina autonome, por krahina socialiste autonome, pasi republikat quheshin socialiste dhe e dyta, kur insistoja për zgjedhjen e Gazmend Zajmit për deputet, mirë e ke pasur…. U bë gjatë.

Në SHBA gjindem që nga viti 1989. Që nga viti 1995 kam pasur fatin të njohem dhe të shoqërohem së pari me ish-kongresistin Sheis dhe më pas edhe me senatorin Liberman. Edhe tani shoqërohem me senatorin dhe kongresisten e rajonit tim. Bile bile, kur bisedoj dhe përmend se si deputetët e subjekteve politike në Kosovë bojkotojnë mbledhjet e Parlamentit dhe pagesën e meditjeve të deputetëve, ata befasohen dhe qeshin.

Sidoqoftë, në SHBA çdo shtet zgjedh dy anëtarë të senatit – senatori dhe, në zgjedhje voton popullata e shtetit. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për anëtarë të Kongresit, numri për çdo shtet caktohet varësisht nga numri i popullsisë. Anëtarët e kongresit zgjedhen nëpër njësitë territoriale të shtetit – të cilat quhen "COUNTY", që e kanë domethënien ashtu si dikur neve i quanim rrethe – rrethi i Pejës, Prizrenit…. Prandaj, kongresistët i përfaqësojnë interesat e shtetit, por në veçanti të rajonit ku janë zgjedhur.

Prandaj, vullneti i popullit, në kuptimin e plotë, mund të shprehet vetëm atëherë kur populli i territorit të një komune, në mënyrë të pavarur, vendos për zgjedhjen e përfaqësuesve në Parlament dhe gjetiu. Me fjalë të tjera, për hir të popullit dhe shtetit, duhet patjetër të shmanget influenca e Kryetarit dhe rrethit të ngushtë të subjektit politik. Një influencë e tillë është vetëm e dëmshme për popullin dhe për shtetin, ndaj edhe në kundërshtim me sistemin demokratik.

Në SHBA, përveç tjerash, i përcjelli edhe rrjedhat dhe aktivitetet politike. Këtu funksionojnë vetëm dy subjekte politike – dy parti. Po e them sinqerisht se as nuk e di se kush është kryetar apo lider i subjekteve politike, ndonëse ata ekzistojnë. Në Kosovë, emrat më të njohur janë Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj dhe kush tjetër, në cilësi të liderëve të subjekteve politike dhe, hec e guxo ndokush të kundërshtojë mendimet e tyre….!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat