19 korrik 2024: Kancelari gjerman Olaf Scholz, nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e baterive,
22 korrik 2024: Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
1 gusht 2024: BE: “...çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë...!”
Tre datat e shënuara më sipër, brenda një harku kohor dy javor, nuk janë krejt pa lidhje logjike, politike, qëndrimesh, rrjedhojash... Këto shprehin se krerë të lartë në BE, nisur nga interesa ekonomiko-politike-strategjike të vendeve të tyre ose të këtij institucioni, ndryshe nga sa deklarojnë me fjalë të bukura e shpesh të pasinqerta, nuk i rreshtin përpjekjet për të ofruar Aleksandar Vuçiçin dhe Serbinë e tij me Evropën Perëndimore, duke “harruar” apo nëpërkëmbur sovranitetin shtetëror e territorial të Republikës së Kosovës...!? Ndodh kjo edhe pse shikojnë, dëgjojnë dhe kanë informacione tepër të sakta nga burime sekrete dhe diplomatike si dhe mediatike se Vuçiçi, në të njëjtën kohë e me bindje e ndërgjegje të plotë, nuk i ka reshtur përpjekjet për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve shumëformëshe me Vladimir Putinin dhe Rusinë e tij si dhe me Kinën e Xi Jinping...!?
Për më tepër e më keq, as me Iranin, përfshirë edhe marrëveshjet për të blerë armë të sofistikuara!? Privilegjimi apo favorizimi i Serbisë nënkuptohet se është i diktuar apo imponuar edhe nga vetë superioriteti i shumëfishtë i Serbisë ndaj Kosovës si hartë, si popullsi, si volum ekonomik, tregtar, financiar...Njëherazi, edhe nga fakti se Serbia është historikisht dhe aktualisht e shtrenjtë dhe e mbështetur me të gjitha forcat dhe mënyrat nga Rusia...!?
Merret me mend se kjo “dashuri” shkakton xhelozi tek qarqe drejtuese në Uashington e në Bruksel dhe ngushtësisht, në vendet me peshë më të madhe vendimmarrëse të BE-së. Në këto kushte drejtuesit më të lartë të shtetit e të qeverive në Kosovë e kanë lehtëkuptuar me kohë dhe e kanë përtypur pa dëshirë e me keqardhje, jo gjithmonë të përmbajtur lehtësisht përbrenda, këtë favorizim të Serbisë nga Uashingtoni dhe Brukseli, së pari nga interesat ekonomiko-tregtare.
Mjafton të kujtohen shifrat e volumeve të investimeve dhe të tregtisë së tyre me Serbinë e me Kosovën. Raporti shkon deri në 10 me 1 në favor të Serbisë...!? Vërtetë Kosova është e vogël si territor, popullsi, kapacitete ekonomike e tregtare, me pavarësi të kufizuar dhe me vartësi të fortë politike, financiare, ushtarake...nga Uashingtoni dhe Brukseli! Por, kjo situatë inferiore nuk duhet shfrytëzuar nga BE dhe DASH për ta nëpërkëmbur edhe më shumë Kosovën e për të favorizuar edhe më tepër Serbinë me shpresën e kotë apo ëndrrën e plotë se do ta tërheqin Aleksandar Vuçiçin nga prehëri i Putinit në krahët e tyre.
Siç vihet në dukje në krye të këtij shkrimi janë dy lëshime apo favorizime të padrejta ndaj Serbisë dhe nëpërkëmbje të pavarësisë së kufizuar të shtetit të Kosovës brenda pak ditëve! I pari, më 22 korrik 2024, ishte njohja e lëvizjes së serbëve të Kosovës edhe me pasaporta serbe në vende të Bashkimit Evropian! E dyta, e datës 1 gusht 2024, kërkesa apo vendimi nga BE për përfshirjen në bisedimet Serbi- Kosovë e lëvizjes në Urën e Ibrit, kur dihet faktikisht e ligjërisht se kjo urë është brenda territorit të Kosovës.
Këto dy akte nuk mund të mos të na shtyjnë edhe në dyshimin se janë menduar dhe kryer edhe në shenjë mirënjohjeje për Vuçiçin për marrëveshjen me Gjermaninë për kërkimin dhe shfrytëzimin e rezervave të litiumit në Serbi! Nga kjo marrëveshje e përcjellë me bujë të madhe mediatike, sidomos nga Beogradi zyrtar, nënkuptueshëm që jehona të shkojë sa më e fortë sidomos në Prishtinë e mbarë Kosovën, Serbia pret të ardhura në miliarda, kurse BE-ja shpreson të pakësojë varësinë nga Kina për këtë metal i rrallë, i shtrenjtë e shumë i kërkuar nga industria e prodhimit të automobilave elektrikë...
Nëse Presidentja Vjosa OSMANI dhe Kryeministri Albin KURTI, të kompleksuar e të frikësuar nga presionet e reja nga jashtë e nga brenda, heshtin ndaj këtyre akteve të hapura njëanshmërie, lëshimesh e favorizimesh të Serbisë "aleatët ndërkombëtarë" do të mësohen keq e do të vazhdojnë me favorizime të tjera për Serbinë dhe cenime të reja të sovranitetit të Kosovës. Edhe incidenti i dt.1 gusht 2024 në aeroportin e Shkupit nuk është i rastit apo thjeshtë gabim njerëzor i 2-3-5 vetëve të personelit të sigurisë!
Ky akt nuk mund të mos lidhet me filoserbizmin e filorusizmin e presidentes së re të MV, ashtu si edhe të presidentit të Malit të Zi! Pra, për qëndrimin dhe deklaratën lidhur me kërkesën apo vendimin e BE-së për Urën e Ibrit në Mitrovicën e Veriut, edhe nga opozita e nga shqiptarët në diasporë, ashtu siç u shpreh menjëherë nga shumë qytetarë shqiptarë në rrjetet sociale e në media, Presidentja Vjosa OSMANI meriton përgëzime e mbështetje e jo thirrje apo këshilla për nënshtrim e mbyllje goje, për të mos ua prishur qejfin “aleatëve” ndërkombëtarë e për të mos i zemëruar ata, sa t’ia shtojnë e zgjasin masat kufizuese..., nënkuptueshëm për ta detyruar t’i nënshtrohet atyre dhe fatit të keq të qenies vend dhe popull i vogël...si dhe i lakmuar nga Serbia e Rusia...?!
Disa e këshillojnë heshtjen nga autoritetet më të larta të shtetit dhe qeverisë në Kosovë, duke u kujtuar borxhin e pashlyeshëm në jetë të jetëve sidomos ndaj SHBA-së dhe Gjermanisë, në qershor 1999. Asnjë shqiptar i vërtetë, kudo ku ndodhet, nuk e harron dhe ka për t’ua harruar këtë akt dhe mirënjohje aleatëve që e shkëputën Kosovën nga kthetrat e Serbisë dhe nënkuptueshëm edhe të Rusisë. Këtyre është mirë t’u kujtohet edhe një fakt tjetër. Më 1999 ishte Bill Clinton President i SHBA-së! Nga viti 2008, kur u bë president Obama, për të keqen e madhe të vetë AMERIKËS dhe të BOTËS, SHBA nisi rrëshqitjen majtas, tërhequr me zgjuarsi edhe nga Putini e shtyrë nga brenda nga Xhorxh Soros si dhe nga globalistë e osaciacione majtiste! Këtë e shprehin edhe seritë e shumta të sulmeve mediatike e ligjore, deri në atentat me armë, ndaj ish presidentit më 2016-2020 dhe kandidatit për president për periudhën 2024-2028, Donald Trump...!
Edhe në Gjermaninë 2024 është kancelar Olaf Scholz e jo Angela Merkel...! Po e citoj të plotë deklaratën e Presidentes Osmani, për të ndihmuar që secili lexues të ketë informacion sa më të gjerë, të thellë e të saktë. “Çështja e Urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë!” Sipas gjykimit tim si SHQIPTAR, si ish diplomat karriere, si opinionist i pavarur... deklarata e Presidentes Osmani është koncize, por shumë e logjikshme, e drejtë, e argumentuar dhe e qartë në ANGLISHT, SHQIP, JURIDIKISHT, SHTETËRISHT...!