Në politikën e RMV-së janë dy politikanë që mbajnë funksione të larta shtetërore dhe që meritojnë të udhëheqin shtetin. Këta janë persona shumë të aftë dhe në pozitat e duhura. Njëri është Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe tjetra është Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, profesoresha ime e nderuar, Znj. Gordana Siljanovska-Dafkova. Afrimi është miku im shumë i mirë, të cilin e njoh që nga vitet '90. Ai është një personalitet që ka qenë i angazhuar në artin e këndimit dhe më pas ka kaluar në politikë. Thonë se kush këndon keq, nuk bën dhe as nuk mendon keq. Afrimi nuk ka zhgënjyer asnjëherë askënd që nga fillimi i angazhimit të tij në skenën politike të vendit deri në ditët e sotme. Afrim Gashi është një njeri shumë i edukuar, i kulturuar dhe intelektual që premton shumë në skenën politike të vendit tonë. Ai është shpresa e të gjithë qytetarëve, dhe do të jetë zëri i tyre i vërtetë, duke i mbajtur në qendër të vëmendjes kërkesat dhe nevojat e tyre gjatë kohës që do të jetë në krye të Kuvendit.
Këto ditë, Levica (e Majta) e Dimitar Apasievit dhe LSDM-ja e Filipçes janë zgjuar me këmbë të mbrapshta, duke kërkuar përgjegjësi nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për shkak se ky është munduar të ndihmojë Presidenten e Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani, e cila është gjendur në një situatë shumë të vështirë. Flas për ngjarjet e disa ditëve më parë në Aeroportin e Shkupit. Një zyrtar i sigurimit të aeroportit, gjatë udhëtimit të Presidentes së Republikës së Kosovës për në Slloveni, ka vendosur të kontrollojë valixhen personale të Presidentes Osmani. Për këtë veprim të jashtëligjshëm dhe të pakuptimtë të zyrtarit të sigurimit, Kryetari i Kuvendit ka ofruar ndihmë për të mbrojtur Presidenten Osmani.
Për këtë rast, Apasiev, një antishqiptar i përbetuar, ka inicuar një interpelancë në Kuvendin e Republikës, pa arsye. Kjo veprim është i papranueshëm dhe nuk mund të arsyetohet përveçse me urrejtjen patologjike që ka Apasiev ndaj çdo kujt që flet dhe frymon shqip. Ndërsa LSDM-ja shkon edhe më larg, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, nga posti i tij. Kjo kërkesë është e paarsyeshme dhe duket se LSDM-ja është futur në skemën e paarsyeshmërisë dhe urrejtjes patologjike antishqiptare të Apasievit. Dimitri dhe LSDM-ja, duke ndëshkuar Afrimin për diçka të mirë dhe të duhur që ka bërë për Presidenten e Kosovës, do të ndëshkonin të gjithë shqiptarët e RMV-së, sepse të gjithë do të vepronin njëjtë për rastin e ndodhur me Znj. Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Afrim Gashi, Kryetari i Kuvendit, dhe Presidentja Gordana Siljanovska-Dafkova janë krenaria e çdo qytetari të RMV-së. Znj. Presidente, e përshëndes dhe e falënderoj për kontributin e saj intelektual që më ka mësuar se çfarë është Kushtetuta dhe Sistemi politik. Ajo ka qenë e palodhshme në dhënien e dijeve dhe njohurive shkencore në këto lëndë shumë të rëndësishme në Fakultetin Juridik të Shkupit. E falënderoj përzemërsisht Znj. Profesoreshe, tani Presidente, për punën e palodhshme dhe kontributin e saj në transformimin tim në një qytetar akademik të këtij shteti. Jam krenar që Znj. Gordana ishte profesoresha ime dhe tani është Presidente e Republikës.