Lësho pak, të japim diçka?!

Opinione

Lësho pak, të japim diçka?!

Nga: Sami Mulaj Më: 8 shtator 2024 Në ora: 15:35
Autori Sami Mulaj

Është motoja “tërheq e mos këput” në politikën e jashtme dhe në tavolinën e diplomacisë botërore. Fati i shqiptarëve në trevat e tyre shekullore ka qenë i tillë që të jetë “sheleg”i përcëlluar në sofrën gjeopolitike të më të mëdhenjve, që me forcë, politikat e tyre, me thika e gërshërë, e kanë coptuar dhe vazhdojnë ta bëjnë copë-copë trungun e shqiptarëve.

Aty ku nuk kanë rënë në undi në “pangopjen” e tyre, kanë instaluar politika të mbrapshta edhe brenda shqiptarëve. Kjo histori ka qenë dhe është e lexueshme; ka triumfuar kundër shqiptarëve dhe, për pasojë, mosndaljet në coptimin e tokave dhe shpërnguljet masive nuk kanë të sosur.

Grekët, me lojën e mbrojtjes gjoja të minoritetit grek në Shqipëri, realizuan fshehjen dhe harrimin e Çamërisë, duke bërë Greqinë vend pa minoritete dhe duke eliminuar krejtësisht elementin shqiptar që historikisht ka qenë bashkëudhtar i përjetshëm i fqinjit tonë helen. Problemi gjoja “me problem” i minoritetit grek akoma mbahet si “patate e nxehtë” në kurriz të shqiptarëve sa herë bëjnë përpjekje për t’u rreshtuar në krah të vendeve europiane me demokraci e prosperitet të zhvilluar.

Kështu ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe sot në trojet shqiptare në Mal të Zi, në Maqedoni e Serbi. Faktori shqiptar, me një mijë mënyra e sërëllime “kalkulimesh,” po defaktorizohet e fragmentohet në nivele të ulëta kërkesash kombëtare.

Më e prekshme është “rrethimi” politik i tejzgjatur që po i bëhet Kosovës. Prej fillimit si shtet i pavarur, ai po mbahet me “korniza” dhe paketa joshëse për ta lënduar dhe bërë të pafuqishëm si shtet me ambicje shtetformuese. Jo vetëm kundërshtarët e përhershëm e agresorët e saj, por edhe partnerët po e shantazhojnë me politika dhe masa shtërnguese për ta nënshtruar dhe lënë pa fuqi shtetformuese, duke ia vështirësuar integrimin dhe ecjen përpara.

Sa herë politika shqiptare bëhet gati në “tavolina,” ajo nuk e gjen veten. Pikërisht ulja e shqiptarëve dhe e politikëbërjes së tyre në “tryezat” e bisedimeve konsiderohet si dobësi e shqiptarëve dhe nuk vlerësohet si “trimëri” e tyre, që kanë bërë sakrifica deri shekullore, duke lejuar në hir e pahir vetëcoptimin e tyre. Kështu ka ndodhur me fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe gjithashtu me pranimin e Kosovës si një shtet të dytë shqiptar në Ballkan.

Pra, lëshimi i bashkimit kombëtar si projekt madhor kombëtar nga politika shqiptare nuk është as konceptuar e as pranuar prej kancelarive e fuqive europiane e botërore si sakrificë e dhimbshme dhe e jashtëzakonshme. Ky lëshim vazhdon të mos njihet dhe në çdo iniciativë politike në rrafshin ballkanik vazhdon trysnia titanike për t’i sforcuar shqiptarët në lëshime të tjera, duke ua vështirësuar synimet shtetformuese.

Me paketën e Antihasarit, për krijimin e parlamentit të Kosovës jo me votim të qytetarëve të saj, por duke mbajtur grup parlamentar serb të gjithhershëm e të pa votuar (?!), me shtimin e krijimin e komunave serbe të pa nevojshme dhe me synime të reja për kufij të rinj që as Jugosllavia e djeshme nuk i kishte, e mbajtjen e territoreve me politika paralele, shqiptarët po privohen nga eksperimente jo demokratike që bota nuk i ka provuar e as dëgjuar.

Sa herë shqiptarët thirren në paqe për politika të reja, ata anatemohen e sulmohen me metoda të reja për lëshime të reja dhe joshen me “lëshoni pak” për t’u dhënë diçka. Dhe shqiptarët, të pa mësuar me pushtet, gjunjëzohen para pushtetit, duke sakrifikuar troje dhe duke shkelmuar rregullat e brishta të ndërtimit të shtetit.

Me dashje e padashje, bëhen palë e kësaj loje të pandershme politike, që për ndërrim karrikesh lëshojnë sulmin, duke u kthyer në mbrojtës të këqinj. Kështu ndodhi në Luftën e Dytë Botërore; ndonëse të rreshtuar në kampin e fituesve të luftës, ishim, pas gjermanëve, humbësit e mëdhenj dhe të vetëm në Ballkan. Edhe tani, pas fitores së luftës në Kosovë, po rrezikohemi të humbasim atë si shtet të pavarur e sovran dhe të humbasim përgjithmonë trojet tona nën Serbi (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc).

Nëse nuk jemi në sulm për mbrojtjen kombëtare si komb, duke lëshuar “pak e nga pak,” ne humbasim përgjithmonë. Patriotizmi nuk mbahet në folklor; vetëm në folklor ai vdes e bëhet i tepërt. Patriotizmi duhet të jetë sulmi ynë i përhershëm edhe në politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat