Nacionalistët, qofshin ata politikanë, intelektualë, profesorë apo gazetarë, nuk shiten te politika për interesa. Patriotët nuk tolerojnë dhe nuk pajtohen me asnjë politikë, me asnjë shtetar e pushtetar që ka interesat personale dhe partiake mbi shtetin dhe kombin.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ne kundërshtarët e regjimit komunist dhe të gjithë nacionalistët e vërtetë dhe shqiptarët e Kosovës kishim shumë besim dhe shpresë te Partia Demokratike Shqiptare dhe te Berisha. Mirëpo, as PD nuk bëri ndonjë gjë të mirë gjatë tranzicionit dhe nuk bëri ndonjë gjë të madhe për të mirën e Kosovës. PD ndërroi qëndrimin për Kosovën: njëherë e njohu pavarësinë e saj dhe më pas kërkoi autonomi kulturore. Qeveria e parë e PD-së shkeli embargon e naftës dhe e furnizoi makinerinë genocidiste serbe; më vonë ajo kërkonte mos nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë dhe pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Historia ia ka shënuar edhe këto Partisë Demokratike në lidhje me Kosovën, ashtu siç ia ka shënuar qëndrimet negative karshi Kosovës edhe Partisë Socialiste të Fatos Nanos dhe qeverisë aktuale të Edi Ramës. Këtu nuk është puna për të bërë debat se cila politikë ose parti politike në Shqipëri ka qenë më pro Kosovës, por fakti është se të gjitha partitë politike në Tiranë, kush më shumë e kush më pak, nuk janë serioze në mbështetje të Kosovës. Dhe prandaj them se në Shqipëri “Duhet një alternativë politike e djathtë patriotike, antikorrupsion dhe proamerikane”.
Politikanët e lartë të strukturave të PD-së duhet së pari të dinë se përse ata politikisht janë të djathtë, pra pse edhe intelektualisht, ideologjikisht dhe praktikisht kanë bindje të tilla. Ata duhet të sqarojnë alternativën, të shpjegojnë publikun pse alternativa e tyre është e besueshme për të ardhur në pushtet. Të sqarojnë dhe t’i shpjegojnë publikut atë që PD realisht është sot, pasi ky është kërkesa e realitetit për ndryshimin, dhe PD duhet të bindë publikun në mënyrë që ky t’i besojë PD-së dhe demokratëve, pasi në këtë gjendje që është sot, Partia Demokratike është tepër larg besueshmërisë publike.
Unë pyes demokratët: A është Partia Demokratike e sotme një parti tradicionale, patriotike, evolutive dhe moderne? A është PD-ja një parti e hapur, e sinqertë me antarësinë dhe publikun, apo është një parti e ngurtë dhe bunker, ku vazhdohet me kulturën e funksionimit të saj si deri më sot për interesat e një grupi të ngushtë, dhe ku deputetët e PD-së shohin vetëm interesin personal dhe jo atë të antarësisë, PD-së dhe publikut?
Për këtë demokratët duhet ta hapin partinë. Demokratët duhet të largojnë elitën e vjetër dështake të këtij tranzicioni, të kërkojnë dhe të ftojnë për ndihmë dhe për kontribut politik ata intelektualë që dinë se çfarë është politika, çfarë është e djathta politike, e djathta shqiptare. Ata që dinë se çfarë është e djatha tradicionale, moderne dhe proamerikane, pasi për publikun dhe opinionin nuk mjaftojnë vetëm frazat dhe sloganet populiste sipërfaqësore që karakterizojnë tërë spektrin politik shqiptar deri më sot, por atyre u duhet shpjeguar thelbi i alternativës së PD-së, ndarja e saj nga politika e vjetër e diktatit të autokracisë dhe korrupsionit të oligarkisë që kanë kapur Partinë Demokratike.
Elita politike në PD duket se funksionon vetëm për kryetarin dhe për mandatet e deputetëve dhe më mirë pranon dështimin dhe humbjet se sa të lejojë hapjen e saj dhe demokratizimin e brendshëm dhe lirinë e mendimit ndryshe. Partia Demokratike, ashtu si të gjitha partitë e tjera, është e gërryer nga jodemokracia, servilizmi dhe sidomos korrupsioni. Ato janë larg demokracisë. Partia Demokratike tashmë duhet të ndahet nga trashëgimia komuniste, nga korrupsioni, pra nga tranzicioni dhe korrupsioni. Janë bërë tre vjet që dëgjohet se po rithemelohet PD-ja. Për çfarë rithemelimi është fjala, kur janë po ato figura, po ata dështakë dhe është po ai kryetar në krye të saj që tashmë është i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania, por edhe në arrest shtëpiak? Dhe me këtë PD, demokratët a mund të vijnë në pushtet dhe të sjellin ndryshimin? Rithemelimin e një partie nuk e bëjnë dështakët dhe as ata nga të cilët partia ka arritur deri aty sa të kërkojë ndryshim rrënjësor. Ky rithemelim që pretendojnë sot ata që janë në krye, ky rithemelim kupton mbrojtjen e mosndryshimit dhe interesat e atyre që kanë spekuluar dhe përfituar privilegje, pasuri dhe karriera të përjetshme politike duke shfrytëzuar votën e demokratëve. Rithemelimi do të thotë ndarje me të shkuarën, me hajninë, ndarje me dështimin dhe dështakët politikë, ndarje me mashtrimin dhe tradhtinë e korrupsionin.
Prandaj, duhet një alternativë e djathtë që mungon në Shqipëri.
Ajo është një alternativë politike e djathtë patriotike, antikorrupsion dhe proamerikane. Këtë alternativë duhet ta kërkojnë, ta gjejnë dhe ta mbështesin opozitarët e djathtë dhe nacionalistët patriotë të vërtetë. Dhe këtë nuk e bëjnë dhe as nuk e lejojnë elitat dështake të Partisë Demokratike, as kryetarët dordolecë të partive të tjera dhe as ata ngordhalaqët e vjetrat politike të korruptuara të disa partive satelite të PD-së që zvarriten në politikë me votat e demokratëve.