Serbia bleu nga Franca 12 aeroplanë luftarakë “Raffalo”! Shpenzoi 3 miliardë dollarë amerikanë për këto blerje, një shpenzim i pa-mendueshëm për kapacitetet financiare të një shteti si Serbia. Po pse Beogradi shpenzon kaq shumë për armatim dhe modernizimin e ushtrisë së saj? Christopher Hill, ambasador i SHBA-ve në Beograd, thotë se armatimi i Serbisë, të cilin ajo e bleu në Francë, i shërben dhe është interes i NATO-s. Pra, se me blerjen e aeroplanëve Raffalo Serbia afrohet me Aleancën Atlantike. Por këtë synim të saj nuk e ka pohuar qeveria serbe. As presidenti Aleksandër Vuçiq. Këtë “argument” nuk e kemi dëgjuar nga askush, përveç presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe ambasadorit Hill. Në këto kushte na mbetet të arsyetojmë vetë. Përse armatoset Serbia? Ata që i kanë vuajtur nën lëkurë masakrat dhe genocidin serb thonë se “Serbia armatoset për luftëra të reja në Ballkan! Për pushtime të reja dhe zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj”! Nëse dëgjojmë Macron, Hill e disa të tjerë, të gjithë në Ballkan duhet të jenë të lumtur e të thërrasin “Lum ne që tashmë edhe Serbia e armatosur po hyn në NATO dhe nuk ka më rrezik prej saj”! Pra “lum ne që nuk do të përballemi me luftëra e masakra të reja që i shkakton gjithmonë Serbia”! Por nëse shohim realitetet në praktikë, askush prej nesh nuk mund të bëhet aq naiv, siç na rekomandojnë Macron e Hill, e të besojmë se “Ujku me lëkurë dele, është bërë human, është bërë qengji i deles”! Në fakt Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën me luftë. Vijon edhe më tej të shkaktojë trazira në këtë pjesë të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor. Madje shfrytëzon dhe pavetëdijen e të rinjve të dehur për t’i nxit ata të sulmojnë patrullat policore të shtetit të Kosovës në veri të vendit! Pastaj kjo Serbia “e paqes” së Macron dhe Hill, del në TV dhe bërtet: “Qeveria e Kosovës po bën spastrim etnik në Kosovë”! Ndodh sërishmi ajo që ndodhi në vitin 1985, kur një i ri serb u vetë-plagos dhe qeveria, akademia e kisha serbe nxorën memorandume për atë që ata e quanin “Gjenocid të shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë”! E njëjta skemë e nxjerrë nga arkiva e para gati 40 viteve përdoret sot në Beograd. Madje kërcënimi serb është hibrid. Midis asaj që ndodhi me Martinoviç në vitin 1985 dhe asaj që ndodhi me të rinjtë serbë në Panda të Pejës në vitin 1998, kur këta të rinj u vranë nga agjentët e shërbimit sekret të Serbisë, me qëllim që të akuzoheshin shqiptarët për atë që u quajt “masakër”! Në fakt, ndodhitë e para 40 ose 26 viteve që përmenda më lart, sot mund të demantohen lehtë. Mjafton të përdorësh kamerat për filmim dhe e vërteta del në shesh brenda ditës. Atëherë ishte më e vështirë për ta vlerësuar dhe dalluar të vërtetën shqiptare nga gënjeshtra serbe. Kështu ndodhi edhe me ngjarjen e mbrëmshme në Leposaviç, kur të rinjtë e nacionalitetit serb të dehur sulmuan policët në shërbim, sigurisht të nxitur nga Radoiçiqët e rinj, që tashmë kanë marrë nofkën e kryetarit të shoqatës x ose y! Avionët Raffalo të Francës nuk e afrojnë Serbinë me NATO-n. Përkundrazi i japin asaj kurajë dhe guxim për të shkaktuar konflikt e luftë të re në Ballkanin Perëndimor. Në 72 orë, thotë Aleksandër Vuçiq, do t’i japim përgjigje Kosovës pse në veri të saj u arrestuan 4 të rinj huliganësh të komunitetit serb”! Cila është përgjigja që do të japë presidenti i Serbisë? Këtë mund ta dijë më mirë se ne Miroslav Lajçak, i cili pas takimit me Vuçiq tha se “kishte marrë shumë informacion lidhur me trajtimin e serbëve në veri të Kosovës”! Informacioni që Lajçak ka marrë është tashmë i njohur. Ato janë thënë edhe në Mbledhjet e Këshillit të Sigurimit nga ana e kreut të shtetit të Serbisë: - 1432 raste dhunimesh, 521 raste arrestimesh e gënjeshtra të tilla të përzgjedhura me kujdes e me presje dhjetore, me qëllim që të thonë se kanë statistika “të sakta”! Megjithatë, për fatin e mirë të Kosovës gjendjen e monitoron KFOR-i. Edhe pse pjesë të kësaj force të sigurisë në Kosovë mund të manipulojnë me shifrat, komanda e KFOR-it nuk besoj se mashtron, siç mashtron Aleksandër Vuçiq. Por, ajo që doja të thosha ka të bëjë me faktin se Serbia e përdor retorikën e “linçimit” ose edhe “të dhunës” së qeverisë Kurti ndaj serbëve në veri, me qëllim që të bindë perëndimin se kjo pjesë e Kosovës i duhet dhënë Serbisë. Por vendimin nuk e merr dot Perëndimi. Sepse nuk është më viti 1913. Jemi në çerekun e shekullit të 21-të. Vendimet merren në mënyrë të pavarur nga palët në konflikt. Kosova kurrë më nuk do të jetë e gatshme të lëshojë territore. Në këtë rast armët e ushtrisë serbe do të hyjnë në punë. Se në çfarë forme ne nuk e dimë. Ndoshta në formën e armëve që hynë në Kishën e Banjskës. Ndoshta në formën klasike të sulmit ushtarak. Gjithsesi Serbia nuk blen armë dhe aeroplanë luftarakë se atë e kërcënon dikush. Përkundrazi, për të kërcënuar fqinjët e saj, sidomos shqiptarët, me të cilët është në konflikt të hapur për territore prej dy shekujsh!