Izraeli me sulmin ndaj Iranit do ta shpëtonte veten, por edhe botën arabe!

Opinione

Izraeli me sulmin ndaj Iranit do ta shpëtonte veten, por edhe botën arabe!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 5 tetor 2024 Në ora: 15:30
Sherif Ramabaja

Shtetet arabe janë pikë e pesë mes vete. Gjysma e tyre (si shtete myslimane) e luftojnë njëra tjetrën, ose rreshtohen në anën e Rusisë dhe Putinit, kurse gjysma tjetër janë kundër Izraelit dhe Amerikës.

I vetmi shtet demokratik i rajonit është Izraeli, i cili fatkeqësisht ndodhet si të ishte në gojën e ujkut. Për të mbijetuar Izraeli është dashur të punoj me strategji, kurse sot ndodhet para një sfide vendimtare që ta ndërroi tërësisht arkitekturën e rajonit për paqen e përgjithshme në atë pjesë.

Rreziku numër një për rajonin është nga regjimi (mullat) i Iranit, të cilët ndikimin e tyre e kanë shtrirë në Gaza, në Liban, po edhe në Irak, Siri, Jemen etj.

Pra Irani jo vetëm që e ka shtrirë ndikimin politik te shtetet fqinje, po edhe atë ushtarak në mënyrë që ta luftoj në radhë të parë Izraelin dhe të gjithë të tjerët, të cilët i kundërvihen ideologjisë së tyre.

Për fat të keq, me vite të tëra, përpjekjet amerikane për një zgjidhje të problemit izraelito -palestinez kanë dështuar, prandaj rajoni gjithnjë, herë më shumë e herë më pak, ishte para shpërthimit.

Pikërisht para një viti Hamasi palestinez (nga perëndimi i cilësuar si organizatë terroriste) hyri në brendësi të territorit izraelit, i sulmoi pjesëmarrësit e një Festivali Muzikor, kreu krim ndaj tyre, duke kidnapuar edhe qindra persona të tjerë.

Me këtë rast reagimi i Izraelit ishte i fuqishëm në Gaza, sidomos në shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe tuneleve nëntokësore, por gjatë këtyre sulmeve fatkeqësisht pësonin edhe civilët dhe fëmijët.

Izraeli pas Gazës ndërmori po ashtu sulme edhe ndaj Hezbollahut në Liban,  sepse edhe ata kryenin sulme me raketa ndaj Izraelit. Irani me Hezbollahun jo vetëm që e luftonte Izraelin, po e kishte paralizuar shtetin e Libanit duke ia marr edhe shumë nga kompetencat shtetërore. Me një fjalë ishte instaluar një shtet në shtet. Fatkeqësisht një rreziku të ngjashëm, në instrumentalizimin e serbëve të Kosovës nga Serbia (Asociacioni), i kanoset edhe Kosovës.

 Irani i armatos dhe e kontrollon Hamasin (Palestinezët) në Gaza dhe Hezbollahun,( popullsinë dhe gardën iraniane) në Liban, me qëllim që ta luftojnë Izraelin, duke e mbajtur nën tension dhe rrezikuar tërë rajonin.  

Tash derisa konflikti ka marr flakë, Izraeli pas Hamasit në Gaza, e sulmoi edhe Hezbollahun në Liban, duke e vrarë edhe liderin e kësaj organizate, Hassan Nazrallah .

Irani në shenjë hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, kreu sulme raketore ndaj Izraelit. Çështja tash mbetet se si, do të reagoi Izraeli pas këtyre sulmeve raketore ?

Netanjahu ka deklaruar se do të hakmarret ndaj Iranit. Ndoshta ky do të jetë një shkak nga Izraeli për ta sulmuar qendrën e pasurimit të uranit. Sipas vlerësimeve perëndimore, Iranit i duhen vetëm disa javë për ta arritur pasurimin e uranit, për prodhimin e bombës atomike.

Çfarë do të thoshte, po arriti Irani të bëhej fuqi atomike?

Irani gjithnjë në të kaluarën ka deklaruar se angazhohet, në zhdukjen e shtetit izraelit. Duke u nisur nga deklaratat e mullave, po t´u lejohet që ta kenë në duar bombën atomike, ekzistenca e shtetit izraelit do të vihet në pikëpyetje. Në fakt, me shndërrimin e Iranit në fuqi atomike, nuk do të rrezikohej vetëm ekzistenca e Izraelit.

Në perëndim qarkullon edhe teza se Izraeli, nuk është aq i interesuar për Hamasin e as për Hezbollahun, por qëllimi përfundimtar i tij është Irani.

Po të ishte ky konstatim i saktë, atëherë, Izraeli ka arsye dhe shkas që sot o kurrë, Iranit t´ia shkatërroi pajisjet atomike, ta shpëtoi veten, por edhe rajonin nga një rrezik që u qëndron mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Me paralizimin e Hamasit dhe Hezbollahut, si dhe me neutralizimin e Iranit, pritet që të qetësohej i tërë rajoni. Izraeli nëse i shkon deri në fund aksionit të filluar ushtarak, do të krijonte kushte për një arkitekturë të re në mbarë rajonin.

Nëse do të ishte vështirë për demokratizimin e rajonit, duke u nisur nga prapambeturia e popujve arab, së paku do të krijoheshin kushte për arritjen e paqes së përhershme.

Retorika e perëndimit, tërhiq e mos e këput

Me sulmin e Izraelit ndaj Hamasit dhe Hezbolluhut po pëson edhe popullata civile duke u shkaktuar po ashtu edhe tragjedi humanitare. Për të gjitha këto u fajësua dhe po fajësohet Izraeli me reagime të fuqishme nga mbarë bota dhe perëndimi. Arsyetimet izraelite ishin se Hamasi qëllimisht popullsinë civile po i përdor si mburojë. Me paramendim armatimet dhe tunelet nëntokësore Hamasi i ka lidhur me shkolla, kopshte të fëmijëve dhe spitale, prandaj shmangia e viktimave civile do të ishte e pamundur, megjithatë arsyetimi është se po e njofton popullin që të largohen nga vendet e caktuara.

Perëndimi po ashtu duke u frikësuar nga eskalimi i përgjithshëm, gjithnjë po apelon që të krijohen kushtet për një armëpushim dhe dialog.

Në anën tjetër Izraeli përkundër shqetësimit të perëndimit për rrezikun e eskalalimit të përgjithshëm, po vazhdon tutje me synim: ose të shkoi deri në fund në neutralizimin Iranin, ose ekzistenca e shtetit izraelit do të vihej në pikëpyetje.

 Perëndimi me sjelljet e tij oportuniste, ngjashëm kishte gabuar ndaj Ukrainës duke e lënë nën mëshirën e Putinit (Krimenë), ngjashëm po vepron sot me Kosovën (Veriun e Kosovës) e po ashtu nga frika e eskalimit të përgjithshëm, po i bënë presion Izraelit, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat