Në këto vite të tranzicionit të ashtuquajtur demokratik në Shqipëri por edhe në Kosovë ajo që mund të konstatohet është fakti se demokracia shqiptare në emër të lirisë ka prodhuar dhe promovuar një politikë mjerane, korruptive, hajnije, antipublike e anticivile; demokracia shqiptare ka promovuar një politikë plurogjithfarëshe, ka prodhuar mbi 120 parti politike , qindra shoqata servile të politikës si dhe po në emër të lirisë ka prodhuar me shumicë media mercenare e servile të parasë e të pushtetit.
Në Shqipëri e Kosovë , madje: politika, pushteti, mediat dhe akademia e drejtësia kanë rekrutuar e blerë diplomat e diturinë, kompetencën , mandatin e deputetit, kryebashkiakut, kuvendarit lokal, atë të gjyqtarit e prokurorit, administratorit e profesorit.
Edhe ata të ndershmit, të aftët dhe patriotët nëse kanë mundur që ndonjëri prej tyre të jetë apo të zërë një post diku në politikë, në pushtet, administratë, në drejtësi dhe diku tjetër në ndonjë qoshe pushteti, këtë ata e kanë fituar shumë rrallë dhe pak prej tyre, e ndoshta edhe rastësisht, pasi shumica e kësaj pakice moralistësh,patriotësh, të ndershmish e meritorësh mund të jenë aty ku duhet ose rastësisht, ose kanë pasur miq dhe akraba në politkë , ose kanë paguar ryshfet, apo janë aty vetëm nëse ata janë bërë servile,shërbëtorë e puthadorë të politikës, të kryetarëvë të partive politike, dhe të parasë e pushtetit.
Pra demokracia shqiptare është pazar politik ku blihet dija, mandati,posti e detyra shtetërore por edhe ku amoraliteti bën e jep moral, injoranca jep e bën kompetencën, tradhtari bën patriotin; korrupsioni dhe hajnija bëjnë ndershmërinë dhe pasurinë.