Një koalicion sa i rrezikshëm po aq djallëzor. Fjala si duket është vetëm si të rrëzohet qeveria Kurti, pa llogaritur kaosi dhe dëmi që mund t´i shkaktohet Kosovës. Pushteti për partitë është një synim për të cilin luftojnë forcat politike, por kur është në pyetje shteti atëherë i vihet gishti kokës, që të veprohet për të mirën e kombit dhe shtetit. Një akt shumë i rrezikshëm në këtë rast u luajt në Kosovë, duke u bërë një koalicion i djallit mes opozitës, Listës Serbe dhe Vuçiqit, me synim që ta rrëzonin Kurtin.
Në Gjermani pak para disa javësh kishim një rast shumë të rrezikshëm, ku për pushtet luftonin partitë kryesore SPD, në krye me ish kancelarin Scholz dhe partitë opozitare CDU, CSU me mandatarin për kancelar Merz, të cilët po ashtu papritur u përballën me kërcënimin e presidentit Trump i cili njëanshmërisht, ia ndërpreu ndihmën ushtarake Ukrainës.
Ky hap i presidentit Trump e ndezi alarmin në Gjermani, ku mandatari për kancelar Merz, i cili i fitoi zgjedhjet por me mundësinë për ta formuar qeverinë vetëm me koalicion.
Dhe ç ‘ndodhi? SPD e cila e kishte pushtetin dhe betejën kryesore e zhvillonte kundër CDU, CSU me mandatarin Merz hyri në koalicion me rivalët kryesor, vetëm për ta përkrahur paketën miliardëshe e cila lidhej me armatosjen dhe modernizimin e ushtrisë, duke e vërejtur se po mbeteshin pa përkrahjen amerikane.
Pra koalicionin e imponoi interesi shtetëror e kombëtar e jo partiak, apo urrejtja e humbjes së pushtetit. Në këtë rast të gjithë gjermanët ishin të bindur se SPD do të vepronte vetëm në interesin e shtetit, e jo të partisë apo interesin individual.
Çfarë do të ndodhte po mos të hynte SPD në koalicion për ta përkrahur paketën miliardëshe? Të gjithë do të ishin të mendimit se SPD në këtë rast më së shumti do ta dëmtonte vetveten. Mendja e shëndosh do të gjykonte: po të vepronin ndryshe, do të vepronin kundër interesit shtetëror. Po ashtu këtij aksioni për votimin e paketës shtetërore iu bashkua edhe Partia Ekologjike, vetëm shkaku i interesit shtetëror, sepse përndryshe kishin debate tejet të ashpra me mandatarin Merz, gjatë fushatës zgjedhore.
Po si u veprua në Kosovë? Për fat të keq në plan të parë u vendos interesi personal, pa menduar se çfarë pjell ky aksion. Po të organizoheshin zgjedhjet sot, shtrohet pyetja, cilët do të ishin ata të cilët do ta votonin opozitën, kur ata u radhitën me Listën Serbe dhe me Vuçiqin, të cilët me çdo mjet e luftojnë Kosovën dhe Kurtin.
Pra Opozita për ta rrëzuar kurtin, po bashkëpunon edhe me armiqtë e kombi. Këtë do të duhej ta kishin menduar mirë, përndryshe pasojat do t´i bartin vetë. Për ta rrëzuar Kurtin, duhet të luftojnë me program që t´i përfitojnë zgjedhësit, e jo të lozin me lojëra të tilla tejet të rrezikshme, të cilat mund t´u kushtojnë me zhdukje nga skena politike.