Kur flasim për vrasjet pas luftës, nuk mund të mos përmendim vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt, të cilët ishin dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ata u vranë më 24 nëntor të vitit 2003.
Për këtë rast, Bedri Krasniqi po vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. Përveç vrasjes së Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, ai është dënuar edhe për rrëmbimin e një biznesmeni nga Gllareva.
Ndërkohë, një qytetar pretendon se ka parë me sytë e tij se si ndodhi e gjithë ngjarja dhe si u privuan nga jeta dy policët. Ai thotë se për këtë rast nuk është ftuar asnjëherë nga gjykata për të dëshmuar, ndonëse disa policë e kanë intervistuar në shtëpinë e tij. Sipas tij, autori nuk ka qenë një person i ri, por dikush rreth moshës 40–50 vjeç.
Por ndryshe flet Shkumbin Mehmeti, i cili vazhdon të vuajë dënimin prej 35 vjetësh burg për veprimtarinë kriminale si pjesë e një grupi. Sipas tij, vrasjen në fjalë e kanë kryer Faik Shaqiri dhe Fehmi Ejupi, të cilët nuk janë arrestuar as pyetur ndonjëherë për këtë rast. Shkumbini pohon se Bedriu ka qenë pjesë e grupit, por nuk e ka kryer vetë vrasjen.
Sipas tij, arsyeja e vrasjes së Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt lidhet me rastin e kolonel Tahir Zemajt, për vrasjen e të cilit po hetonin policët Tolaj dhe Haklaj. Pra, ata që e kanë vrarë kolonelin, dyshohet se janë të njëjtit që kanë kryer edhe këtë vrasje.