Nesër në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Sovrani merr vendimin për të ardhmen e Shqipërisë. Nga vota e shqiptarëve do të varet nëse Shqipëria do të vazhdojë të mbetet peng i narko-shtetit, apo do të zhvillohet në mënyrë demokratike bazuar në principet e shtetit ligjor e të së drejtës. Nesër përcaktohet nëse Shqipëria do të vazhdojë të shpopullohet e të kolonizohet me afrikanë dhe aziatikë, apo do të rinovojë popullsinë e saj të mplakur më shumë sesa ajo e Serbisë. Nga dita e nesërme do të shohim, nëse Shqipëria do të rikthehet të bëhet motër e vëlla me Kosovën, apo do të vazhdojë të ruajë vëllazërinë e prostitucionit politik me Serbinë. Nesër do ta dimë, nëse vendi i shqiponjave do të shkojë drejt Europës dhe Perëndimit, apo do të vazhdojë të triblojë me nismat serbe si Minishengen, Open Balkan e të tjera si këto.
Nga dita e nesërme shqiptarët do të kuptojnë nëse përparësi e qeverisjes do të jetë familja, vendlindja, prona, atdheu, kombi, dinjiteti, integriteti dhe besimi në Zot, apo do të vazhdojë rruga e perversitetit dhe degradimit e denigrimit të këtyre komponentëve që përmenda më sipër. Besoj se vota e shqiptarëve e ditës së nesërme do na ndajë nga korrupsioni, nga tradhtia kombëtare, nga ideologjia globaliste e Prindit 1 dhe Prindit 2, nga përpjekjet për ta degraduar shoqërinë shqiptare, nga varfëria ekonomike, financiare dhe mendore, nga përpjekjet për ta zhbërë kombin shqiptar në modelin e Memorandumit të Çubrilloviçit.
Ata që më njohin, më besojnë se këto që po them nuk janë konstatime. Janë realiteti i trishtueshëm i vendit tim dhe vendit tënd, i dashur mik! Prandaj dhe nesër nuk votohet thjesht për opozitën. As për Sali Berishën! Sali Berisha e fitoi përfundimisht betejën e vet me historinë të enjten e kaluar kur de facto iu hoq non-grata dhe është i lirë ta vizitojë SHBA-në. Bëhet fjalë për Shqipërinë. Për mua, për ty, për ata, për atë. Për të gjithë ne! Bëhet fjalë për qenien tonë kombëtare, për territorin tonë, për traditën dhe gjuhën shqipe, për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, për shëndetin fizik e mendor të shqiptarëve.
Shqipëria për 12 vite ishte eksperiment i ideologjive perverse të Sorosit dhe rrymave të tjera globaliste. Ishte laborator i drogës dhe i prodhimit të efekteve globaliste deri në shkombëtarizim. Për ta zhvilluar këtë eksperiment donatorët e Soros zgjodhën njerëz pa familja, pa sentimente njerëzore e kombëtare, si Edi Rama, Erion Veliaj dhe të tjerë monstra të çuditshme, të papara ndonjëherë në ndonjë cep të botës! Nesër duhet t’i japim fund eksperimentimit me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Ndryshe pjesë e këtij eksperimenti do të bëhet edhe Kosova, Maqedonia e Veriut e vende të tjera të rajonit, sidomos ku jetojnë shqiptarë. Kjo është arsyeja pse Beogradi e ka mbështetur për 12 vite me të gjitha forcat e veta qeverinë e Edi Ramës! Kjo është arsyeja, pse të dy palët, Beogradi dhe Tirana zyrtare, kanë sulmuar ashpërsisht të gjithë lidershipin e Kosovës, përjashtuar ndonjë bashkëpunëtor të tyre. Kjo është arsyeja pse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës në këtë dekadë kanë qenë marrëdhënie të përçarjes midis tyre, por edhe në spektrin politik të të dy vendeve.
Për të gjitha këto arsye, nesër duhet që secili shqiptar i Kosovës dhe trojeve shqiptare në Ballkan, i cili ka edhe pasaportë shqiptare, pra shtetësi shqiptare, të vijë e të votojë kundër narko-shtetit në Shqipëri e t’i thotë JO diktaturës së mafies, e destinuar për ta zhbërë kombin shqiptar! Janë mijëra shqiptarë jashtë kufijve, të cilët kanë shtetësinë e Shqipërisë. Lutja jonë është vëllazërore! Na ndihmoni ta zhdukim këtë klasë politike që kërcënon seriozisht ekzistencën tonë kombëtare e njerëzore! Hajdeni dhe votoni që ta kthejmë Shqipërinë në binarët e normalitetit. Nuk ju them se pas ditës së nesërme gjithçka do të shkëlqejë si floriri e diamanti. Por së paku do të bëhemi një vend normal, që respektojmë veten, njëri-tjetrin dhe vlerat tona. Nuk do të jemi në atë gjendjeje përçarjeje dhe degradimi, siç ishim deri sot! Një votë e juaja të dashur bashkëatdhetarë është kontribut i jashtëzakonshëm për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarisë!