Vuçiqi dhe Rama në të njëjtat pozicione!

Opinione

Vuçiqi dhe Rama në të njëjtat pozicione!

Hafiz Shala Nga Hafiz Shala Më 17 maj 2025 Në ora: 13:02
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Përfunduan zgjedhjet “e lira dhe të ndershme” parlamentare në Shqipëri. Sipas pushtetit, ato konsiderohen të rregullta, pasi nga informatat e deritanishme nuk pati të shtëna me fatalitet, “nuk pati parregullsi”, ndonëse kishte disa telashe të vogla, por “jo edhe aq serioze”. Nëse qarkulloi treni ekspres bullgar, duhet të priten hulumtimet dhe raportet e komisionerëve ndërkombëtarë – megjithatë, në të vërtetë nuk pritet ndonjë ndryshim në rezultatin me një diferencë kaq të madhe në favor të partisë fituese për herë të katërt: Partisë Socialiste.

Qoftë edhe në kushtet normale të një shoqërie me një demokraci pothuajse të përkryer, të fitosh radhazi për katër mandate dhe me një diferencë kaq të madhe, ose ndodh një mrekulli, ose ka deformime ekstreme të një shoqërie me një sistem diktatorial, totalitar apo monarkist, veçanërisht në rrethanat dhe kulturat demokratike ballkanike.

Të gjithë parametrat ndërkombëtarë të të gjitha fushave nuk e radhisin Shqipërinë në nivelin e zhvillimeve ekonomiko-sociale, demokratike e politike. Me çfarë mburret Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës?

Zgjedhjet nxorën në sipërfaqe shumë brenga dhe shqetësime rreth nivelit demokratik në Shqipëri gjatë mandateve qeverisëse të Kryeministrit Rama, i cili shpesh mburrej përmes deklaratave bombastike, të hiperbolizuara apo të minimizuara sipas interesit të tij, me qëllim që çdo gjë të jetë nën kontrollin e hekurt përmes një aparati shtetëror të sofistikuar dhe me një strategji të përpunuar mirë, siç është vërejtur nga opinioni dhe bashkësia ndërkombëtare.

Mirëpo, Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE-së ka vërejtur se ka pasur keqpërdorim të burimeve publike dhe presione të përhapura përmes aparatit administrativ shtetëror gjatë procesit zgjedhor.

Theksohet se afro 200.000 shërbyes dhe nëpunës publikë merrnin mesazhe të qarta kërcënuese se, nëse nuk mbështesin pushtetin, rrezikojnë vendet e tyre të punës. Pa u futur në format dhe metodat tjera korruptive e shantazhuese përmes sekserëve, i gjithë aparati shtetëror, administrativ e policor, qoftë edhe në pika të caktuara, drejtonte dhe orientohej drejt kutive të votimit, duke treguar “sinqeritetin” e angazhimit për të mos lënë vend për asnjë gabim që do të dëmtonte qëllimin: një fitore spektakolare.

Edi Rama, në një emision televiziv, kur moderatori e pyeti se kur do të largohet nga pushteti, deklaroi: “Unë do të largohem kur të dua unë.” Sipas kësaj, elektorati nuk ka peshë, sepse funksionojnë metodat e tij parashikuese, që janë mbi vullnetin dhe dëshirën e sovranit. Kjo deklaratë nënkupton se ai mbështetet në përgatitje serioze për këtë spektakël teatral, duke qenë i sigurt në fitore.

Në titullin e këtij shkrimi theksova pozicionet e përbashkëta të Vuçiqit dhe Ramës, të cilat nuk janë të reja, por datojnë që nga viti 2016, sipas marrëveshjes fantome për Dardaninë mes Vuçiqit, Ramës dhe Thaçit, rreth “korrigjimit të kufijve”, që në të vërtetë ishte ideja e ndarjes së pjesës veriore të Mitrovicës.

Qëndrimet dhe veprimet e Edvin Kristaq Ramës ndaj Dardanisë dhe kundër Albin Kurtit si Kryeministër kanë qenë në të njëjtën vijë me Vuçiqin, sipas direktivave të Putinit, të cilët me ngulm kërkojnë që Albin Kurti të mos vijë në krye të qeverisë në mandatin e ardhshëm. Për këtë angazhohen me zell Lista Serbe dhe opozita e falimentuar e kontrolluar nga Serbia dhe oligarkët proserbë dardanë, të cilët rrënjët e bizneseve i kanë aty ku flitet serbisht.

Rama, me nismat e tij antidardane si “Ballkani i Hapur”, që dështoi, si dhe involvimi pa dakordimin e qeverisë dardane në proceset si dorëzimi i një propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – gjoja i përgatitur nga “ekspertë” evropianë – synoi desovranizimin e veriut. Kur u sulmuan trupat e KFOR-it, ai e propozoi veriun si tokë të askujt, duke kërkuar që KFOR-i ta marrë kontrollin dhe të suspendohet policia si organi i parë shtetëror i sigurisë.

Asnjëherë nuk është deklaruar kundër akteve terroriste në Banjë, të organizuara nga shteti serb dhe të zbatuara nga kryeterroristi Radoiçiq. Edhe pas këtyre akteve, që kishin për qëllim aneksimin e veriut, Rama i kërkon Kurtit të harrojë të kaluarën dhe të vazhdojë bisedimet sipas kërkesave të “vëllait” të tij, Vuçiqit.

I shantazhuar dhe i ndikuar nga Vuçiqi, Rama ndërmerrte veprime poshtëruese ndaj Qeverisë së Kurtit, siç ndodhi me anulimin në momentin e fundit të takimit të dy qeverive në Gjakovë. Mbajtja e seancave të përbashkëta parlamentare në Prishtinë ishte një cirk i mirëkoordinuar mes Ramës dhe opozitës për ta poshtëruar maksimalisht Albin Kurtin. Por si një burrështetas me rrënjë e karakter shqiptar, Kurti i tejkaloi këto sjellje dhe i poshtëroi ata që tentuan ta nënvlerësonin.

Rama, si udhëheqës i Kolonës së Pestë, përfshirë opozitën dardane që e mban nën kontroll dhe e dirigjon, është një kërcënim për të ardhmen e Republikës së Dardanisë në bisedimet me Serbinë. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të kundërshtohet apriori nga Bashkimi Evropian, sepse qëllimi i Serbisë është aneksimi i pjesës veriore – një veprim që askush nuk guxon ta nënshkruajë, sepse do të ishte tradhti dhe shkelje e Kushtetutës.

Republika e Dardanisë, si shtet sovran dhe i pavarur me kufijtë ekzistues, e njohur nga 119 shtete, nuk mund të pajtohet me ndryshime territoriale, sepse për këtë u derdh gjak dhe u flijuan të rinj e të reja, që mbetet një amanet i përjetshëm për gjeneratat që vijnë.

Ta them publikisht, o Edvin Kristaq Rama: jo për herë të parë, jo për të dytën, as të tretën – ti je një antishqiptar me damkën e një tradhtari që historia jonë, e lashtë dhe e re, nuk e ka parë më parë.

Lidhur me disa lëvizje politike, diplomatike dhe ushtarake, ndjej për obligim dhe përgjegjësi morale që të shpreh publikisht brengat e mia – edhe nga diaspora – dhe t’i adresoj ato edhe te udhëheqja e Republikës së Dardanisë, organet shtetërore të sigurisë, Shtabi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (Ushtria e Dardanisë), dhe Komandanti Suprem i Forcave Ushtarake. Sidomos përballë deklaratave të Putinit si: “Kosova meriton të njihet si shtet i pavarur”, dhe deklaratës së Vuçiqit: “E kam të vështirë – për t’u anëtarësuar në BE duhet ta njoh Kosovën.”

Këto janë paralajmërime ogurzeza dhe rrezik real për një tentim invadimi të pjesës veriore nga Serbia me shpejtësi befasuese. Pse ende ura nuk hapet?

Të kujtojmë disa ngjarje të rrezikshme: pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën ushtarake në Moskë, vizitat e fshehta të Dodikut dhe Vulinit, ky i fundit njeri i Putinit që mund të zëvendësojë Vuçiqin – tashmë i hedhur si leckë nga Moska. Situata fragjile në Bosnje-Hercegovinë është gjithashtu një kërcënim i madh.

Mundësia e një invazioni për të shpëtuar Vuçiqin me fytyrë dhe për ta realizuar premtimin se “Kosova është pjesë e Serbisë”, është një skenar që kërkon vëmendje të menjëhershme. Prandaj duhet analizuar edhe stërvitja “Defender ’25” në Babaj të Bokës me pjesëmarrje të madhe të trupave, përfshirë ato të Shqipërisë.

Përfundimisht, indikative është shqetësimi i madh i Edvin Kristaq Ramës për të liruar Hashim Thaçin nga Haga dhe ta rikthejë menjëherë në pushtet. Qëllimi: zbatimi me përpikëri i marrëveshjes për ndarjen e veriut mes treshes famëkeqe – Vuçiq, Rama, Thaçi – dhe dorëzimi i veriut Serbisë, në këmbim të njohjeve të mbetura për “Dardaninë e cunguar”, bashkimi me Shqipërinë dhe krijimi i një Serbie të Madhe në Adriatik – ëndrra shekullore ruso-serbe.

Ky është Edvin Kristaq Rama, kryetradhëtari i të gjitha kohërave, i cili është vënë në shërbim dhe dispozicion të armiqve tanë – jo vetëm antidardan, por edhe antikombëtar.

Ardhja e tij në pushtet është bërë me ndihmën ruso-serbe. Konturat e kësaj tradhtie i ka vendosur që në takimet e tij dhe të Hashim Thaçit me Putinin e Lavrovin, nën përkujdesjen e Baton Stanishiqit – spiunit të njohur publik të shtetit serb, së bashku me rrjetin e tij të gjerë në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

Edvin Kristaq Rama kurrë dhe asnjëherë nuk gjeti kohë për të vizituar varrezat masive gjithandej Dardanisë, në shenjë respekti dhe mëshire për viktimat e pafajshme të të gjitha moshave e gjinive. Asnjëherë nuk pati guximin që armikut – alias “vëllait” të tij, Aleksandër Vuçiqit – t’i shprehë dhimbjen, e aq më pak t’i kërkojë përgjegjësi për gjenocidin ndaj civilëve shqiptarë. Nese ka ndopak ndërgjegje, për të cilën unë dyshoj.

Për turpin e tij, ai asnjëherë nuk e vizitoi Kompleksin Memorial të Familjes Heroike Jashari, yllin polar të shqiptarisë. Nuk është befasi, sepse edhe udhëheqja e Partisë Demokratike nuk bën një gjë të tillë. E pse? Sepse, për ta, “Thaçi është më hero se Adem Jashari”!

Por ti, Edvin, je i shpallur “non grata” nga kjo familje, çka vërteton se je një tradhtar i pakontestueshëm i kombit shqiptar, dhe si i tillë do të mbetesh përjetësisht.

Ku po mbetet Republika e Dardanisë në këto rrethana?!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat