Në një kohë kur retorika e demokracisë përdoret me bollëk në diskursin politik të Kosovës, mbetet e nevojshme të bëhet një dallim i qartë midis asaj që përfaqësohet si demokraci dhe realitetit politik që përjetojnë qytetarët. “Demokracia” si term është përdorur shpeshherë si një perde për të mbuluar deformimin e vullnetit qytetar, për të zhvendosur përgjegjësinë nga përfaqësuesit te të përfaqësuarit. Por, populli nuk është aq i paditur sa për të mos kuptuar thelbin e manipulimit të përhershëm. Siç do të thoshte Abraham Linkolni: “You can fool all the people some of the time, you can fool some of the people all the time, but you cannot fool all the people all the time.”
Kosova sot nuk përjeton një demokraci funksionale. Nuk ka pjesëmarrje direkte të qytetarëve në vendimmarrje – ekziston vetëm një përfaqësim formal, që shpesh shndërrohet në mashtrim. Realiteti politik është i mbushur me përfaqësues që nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por interesat e grupeve të ngushta politike, të ndërvarur shpesh nga ndërhyrje të jashtme, marrëveshje të pazbardhura dhe kompromise që zhvleftësojnë vetë idenë e sovranitetit.
Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjeve të fundit mbetet i fragmentuar, pa një konsensus të qartë për reformat shtetformuese. Dialogu i brendshëm institucional është zëvendësuar me diskurs të polarizuar, ndërsa qytetari i zakonshëm është lënë në pritje të një realiteti të premtuar që nuk po vjen. Po ashtu, mungesa e Gjykatës Kushtetuese në funksion të plotë për një periudhë të gjatë vetëm sa e ka përkeqësuar këtë gjendje, duke vënë në pikëpyetje parimin themelor të ndarjes së pushteteve dhe të sundimit të ligjit.
Në nivel ndërkombëtar, zhvillimet e reja në BE, të ndikuara nga dinamika të reja ekonomike dhe politike si rikthimi i tarifave amerikane nën administratën Trump, ripohojnë qartë se Bashkimi Evropian ndodhet në një fazë introspektive dhe ristrukturimi. Propozimet për reforma institucionale në BE, përfshirë idetë për një Evropë me “shpejtësi të ndryshme”, kanë vënë në dyshim perspektivën e zgjerimit të shpejtë dhe kanë përjashtuar de facto Kosovën nga tavolina e vendimmarrjes, duke e mbajtur atë të izoluar në “ghetton” diplomatik të Ballkanit Perëndimor.
Për më tepër, dialogu Kosovë-Serbi, i quajtur gabimisht “teknik”, është përdorur për të legjitimuar një proces që nuk ka pasur mbështetje të gjerë qytetare dhe që ka prodhuar më shumë paqartësi sesa zgjidhje. Ai ka shërbyer më shumë si mjet për të plotësuar agjendat gjeopolitike të ndërmjetësve, sesa për të konsoliduar paqen, të drejtat e qytetarëve dhe integritetin territorial të Kosovës. Vendimmarrja është zhvilluar në errësirë dhe është mbështetur më tepër në akte sekrete sesa në vullnet popullor.
Në këtë situatë, është e qartë se transformimi politik në Kosovë nuk ka ndodhur në përputhje me parimet e demokracisë liberale. Përkundrazi, trashëgimia e sistemit monist – në të cilin pronësia shtetërore dhe ajo private nuk ishin të ndara – ka vazhduar në forma të reja, ku të ashtuquajturit “demokratë” janë në fakt një “bisht i padukshëm” i sistemit të vjetër, që tashmë ka ndërruar emër, por jo substancë. Mungesa e zgjidhjes së drejtë të çështjeve pronësore, korrupsioni endemik dhe mungesa e ndëshkueshmërisë për keqpërdoruesit e parasë publike dëshmojnë për këtë.
Në këtë kontekst, ne duhet të pyesim: A kemi një popull sovran kur sovraniteti nuk ushtrohet nga populli? A është prona e popullit kur ligjet për pronësinë nuk mbrojnë qytetarin, por interesat e rrjeteve politike? Dhe, më e rëndësishmja, a duhet populli të vazhdojë të votojë për të njëjtët që nuk e përfaqësojnë atë, por e shfrytëzojnë?
Zgjedhjet janë bërë, dhe populli ka edhe një herë në dorë mjetin më të fuqishëm për ndryshim: votën. Por vota duhet të mbrohet, të informohet, të peshohet me kujdes. Përgjegjësia qytetare është shumëfishuar, dhe pa këtë përgjegjësi nuk mund të ketë ndryshim të qëndrueshëm. Vetëm kur qytetari të vendosë të mos votojë më “të keqen më të vogël”, por të mirëfilltin, do të fillojë një cikël i ri politik – i bazuar në transparencë, meritë dhe sovranitet real.
Tani është momenti për ndryshim të qartë, të bazuar në parime dhe jo në retorikë. Demokracia nuk është e dhënë, ajo është një projekt që ndërtohet përmes vetëdijes, përfshirjes dhe përgjegjësisë. Është koha që qytetarët e Kosovës të mos jenë më spektatorë, por autorë të së ardhmes së tyre politike.