Krizë e qëllimshme apo dështim i heshtur? Rinia po ikën, faji mbetet jetim!

Opinione

Krizë e qëllimshme apo dështim i heshtur? Rinia po ikën, faji mbetet jetim!

Nga: Nijazi Halili Më: 24 maj 2025 Në ora: 19:29
Nijazi Halili

A po e fusin vendin në krizë të dyfishtë politikëbërësit tanë, me vetëdije apo pa vetëdije, tash e njëzet vjet? A është ky një proces i qëllimshëm i destabilizimit të vazhdueshëm politik, apo thjesht një paaftësi e institucionalizuar?

Kjo gjendje e rëndë, që tashmë ka marrë përmasa kronike, të bën të dyshosh se politika nuk po e trajton vendin si pronë publike për të cilën duhet përgjegjësi, por si pronë private që shfrytëzohet sipas interesit të momentit. Që prej fillimit të këtij tranzicioni të stërzgjatur, vendi po përballet me kriza të njëpasnjëshme: politike, ekonomike dhe shoqërore, që po thellohen në vend që të zbuten.

Nuk është më e qartë nëse kjo gjendje po krijohet me vetëdije nga politika për të mbajtur kontrollin përmes kaosit, apo thjesht për shkak të një dështimi të përhershëm në qeverisje. Por një gjë është e sigurt: krizat kanë bërë jetën të papërballueshme për qytetarin e zakonshëm.

A do të mbajë ndonjëherë dikush përgjegjësi për këtë situatë të krijuar? Apo, siç thotë populli me ironi të hidhur, “faji gjithnjë mbetet jetim”, ndërsa askush nuk jep llogari, askush nuk ndalet për të reflektuar, dhe avazi i vjetër vazhdon si zakonisht?

Sot, vendi ynë renditet ndër më të varfrit në Evropë, dhe për këtë gjendje, fajtorët kryesorë janë vetë institucionet e vendit – të cilat, përmes keqmenaxhimit sistematik, e kanë çuar shtetin në rrënim dhe i kanë zbehur çdo grimë shprese qytetarëve të tij.

Në këtë realitet të dhimbshëm, rinia, që përbën të ardhmen, po e sheh çdo ditë e më shumë shpëtimin te largimi. Emigrimi është bërë jo zgjedhje, por domosdoshmëri. Të rinjtë e këtij vendi po e braktisin atdheun jo për luks, por për jetë, për dinjitet dhe për një të ardhme të sigurt që këtu, fatkeqësisht, po u mohohet.

Të rinjtë nuk ikin sepse duan, por sepse nuk u jepet alternativë. Nuk ikin sepse nuk ndihen patriotë, por sepse ndihen të tradhtuar. Nuk ikin sepse janë të paaftë, por sepse nuk kanë hapësirë për të kontribuar. Dhe kjo është një humbje e madhe – jo vetëm njerëzore, por edhe kombëtare.

A është ky dështim institucional një faj i heshtur, apo një neglizhencë kolektive? Në çdo rast, sa më shumë që heshtim dhe nuk kërkojmë llogari, aq më gjatë do të mbetet “faji jetim” dhe aq më e pasigurt do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët.

Nuk ka më kohë për justifikime. Është koha për vetëdije, përgjegjësi dhe veprim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat