A po e zhgënjen Kosovën Kaja Kallas-Shefe e BE-së për politikë të Jashtme e Siguri?!

Opinione

A po e zhgënjen Kosovën Kaja Kallas-Shefe e BE-së për politikë të Jashtme e Siguri?!

Nga: Rexhep Torte Më: 22 qershor 2025 Në ora: 21:52
Autori Rexhep Torte

E nderuara znj. Kaja Kallas,

Nëse për të drejtën dhe të vërtetën e Kosovës nuk këmbëngulni me vendosmëri, ashtu siç bëri Angela Merkel në vitin 2020 kur, si kancelare e Gjermanisë, ndaloi energjikisht përpjekjet për copëtimin e Kosovës – përpjekje që asokohe ishin përgatitur nga tradhtarja Vlora Çitaku (në atë kohë ambasadore e Kosovës në SHBA), me ndihmën e diplomatit amerikan John Bolton, të Mathew Palmer-it (dhëndrit serb), dhe bashkëpunimin e tradhtarëve Hashim Thaçi, Edi Rama dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq – atëherë, me gjasë, do të dështoni si diplomate dhe si qenie njerëzore.

Unë, gazetar 80-vjeçar, i kalitur në përballimin e shumë sfidave të rënda profesionale gjatë jetës sime, kam përjetuar arrestim, burgim dhe një proces të montuar gjyqësor në vitin 1971, menjëherë pas muajit të parë të shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavinë e Titos, nën akuzën për gjoja agjitacion dhe propagandë. Përveç vuajtjeve e traumave, kam përjetuar edhe përjashtimin nga gazeta e përditshme “Rilindja” në Prishtinë, mbi bazën e një letre spekulative nga Aktivi Politik i LKJ-së së Dibrës. Për pasojë, kam mbetur i papunë për shtatë vjet, në lulëzimin e rinisë sime.

Por ja që Zoti i Madhërishëm, tani në pleqëri, po m’i kthen ato vite të humbura duke më dhënë ëndërr, besim, kurajë, forcë, entuziazëm dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për mua, familjen time dhe kombin tim fisnik shqiptar – i cili, po e ritheksoj, nuk ka pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të huaj!

Lajmi për emërimin tuaj, znj. Kaja Kallas, si Shefe e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, më mbushi me shpresë dhe optimizëm – se më në fund erdhi çasti që të largohen Joseph Borrell e Mirosllav Lajçak, këta diplomatë të diskredituar, që në mënyrë të hapur u vunë në mbrojtje të Serbisë gjenocidale dhe të Rusisë kriminale, në dëm të Kosovës viktimë.

Në kulturën tonë shqiptare thuhet: “Dita duket që në mëngjes.” Dialogu Kosovë–Serbi, i nisur para 12 vitesh si dialog teknik – me Baroneshën Ashton, Federica Mogherini, Johannes Hahn, Joseph Borrell dhe Mirosllav Lajçak – u shndërrua në një farsë politike që mbajti gjithmonë anën e Serbisë gjenocidale, duke injoruar dhe dëmtuar rëndë Kosovën viktimë të agresionit të viteve 1998–1999.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës njoftoi për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, për lehtësimin e qarkullimit. Por BE-ja, tashmë nën drejtimin tuaj, deklaroi se këto ura nuk duhen ndërtuar pa pëlqimin e pakicës serbe dhe të Serbisë gjenocidale – një kërkesë absurde dhe e papranueshme për çdo shtet sovran në botë.

Urat ndërtohen për të bashkuar, jo për të ndarë njerëzit. Qëndrimi i BE-së në këtë rast është një akt i pastër servilizmi dhe përulësie ndaj Serbisë. Ura e Ibrit, e mbyllur në vitin 1999 nga KFOR-i francez, është një simbol tragjik i ndarjes së Mitrovicës dhe një prej gabimeve më të mëdha strategjike të Francës dhe vendeve të QUINT-it.

Ky dialog Kosovë–Serbi ka nevojë për një qasje të re dhe të ndershme. Deri më tani, ai ka qenë një maskaradë e turpshme, së bashku me të ashtuquajturën Marrëveshje franko-gjermane dhe Aneksin e saj në Ohër, të cilat Vuçiq as nuk ka ndërmend t’i nënshkruajë. Kjo është një lojë tinzare e BE-së për ta joshur Serbinë drejt Perëndimit – një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë!

Kohët e fundit, Vuçiq deklaroi hapur se Serbia është armatosur me ndihmën e Kinës, Francës dhe Rusisë – me avionë "Rafale" francezë dhe raketahedhës të tipit “HIMARS” nga Kina. BE-ja, për çudi, nuk reagoi aspak. Heshti. Sikur të ishte koloni e Serbisë, dhe jo një organizatë që synon të garantojë paqen dhe demokracinë në kontinentin evropian.

Sot, më 22 qershor 2025, ministri i Brendshëm i Kosovës, z. Xhelal Sveçla, informoi se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokurorinë, dhe nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe EULEX-it, zbuloi një arsenal të madh armësh në fshatin Vallaq të Zveçanit – armë që i përkisnin politikanit serb Aleksandër Aesenijeviq. Por BE-ja, përsëri, heshti.

Znj. Kallas, gjatë vizitës suaj në Beograd më 21 maj 2025, në takimin me Vuçiqin – kriminel dhe gënjeshtar i kalibrit botëror – është dashur të shpallni sanksione ndaj Serbisë, për pjesëmarrjen e saj në paradën e 9 majit në Moskë dhe për takimin me kriminelin Vladimir Putin. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Zonja Kaja Kallas,

Ju u sollët tepër butësisht me Serbinë, duke i rekomanduar thjesht që të kryejë reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe për të vendosur nëse dëshiron të jetë me BE-në apo me Rusinë gjenocidale. Ndërkohë që dihet qartë: prej tre vitesh radhazi, Serbia dhe krimineli Aleksandër Vuçiq përfitojnë financime të mëdha nga BE-ja, ndërsa politikisht vazhdojnë të rrinë në prehërin e Moskës.

Lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, nga ju pritej një qasje e re, efektive dhe e ndershme. Priste që t’i thonit hapur Vuçiqit se ky “dialog” është vetëm një farsë mashtruese, një mashtrim politik që gërryen paqen dhe pengon drejtësinë.

Përderisa Serbia nuk kërkon falje për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999 – ku ushtarë, paramilitarë dhe policë serbë vranë mbi 15 mijë shqiptarë të pafajshëm, përfshirë më shumë se 1,500 fëmijë dhe foshnje që po pinin qumësht në gjoksin e nënave – dhe përderisa nuk dënon dhunimin e 20 mijë grave shqiptare, nuk mund të ketë dialog të sinqertë.

Përderisa Serbia nuk i paguan dëmet e luftës dhe dëmet financiare të shkaktuara Kosovës, përfshirë fondet e grabitura nga bankat dhe fondi pensional – që kapin miliarda euro – dhe përderisa nuk i hap arkivat për zbardhjen e fatit të mbi 1,650 personave të zhdukur, të rrëmbyer dhe të varrosur në varreza masive, nuk mund të ketë paqe. Kujtojmë se në vitin 2020, Ivica Daçiq kërcënoi publikisht serbët që të mos i zbulojnë këto vendndodhje – dhe BE-ja heshti!

Zonja Kallas, nga ju pritej të thoshit qartë: s’ka dialog të ndershëm pa një ndryshim rrënjësor të qasjes së Serbisë. Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj, ku ende figuron se “Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë.” Duhet të ndalojë kërcënimet ndaj një shteti të lirë dhe të pavarur, të njohur nga mbi 115 vende të botës.

Gjithashtu, nga ju pritej t’i thoshit qartë Serbisë se pakica serbe në Kosovë duhet të integrohet, jo të përdoret si mjet destabilizimi. Pakica serbe në Kosovë gëzon më shumë të drejta se pakicat në çdo vend tjetër të Evropës. Kushtetuta e Kosovës është shembull demokratik – garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo feje.

Në vend të kësaj, ju gjatë vizitës në Prishtinë, informuat autoritetet se BE-ja ka filluar heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës, por kërkuat “de-përshkallëzim” në veri dhe të mos mbyllen strukturat paralele ilegale serbe, me arsyetimin se kjo po i “irritoka” serbët lokalë.

Pyetja është e thjeshtë, zonja Kallas:
A do ta lejonit në shtetin tuaj një strukturë ilegale paralele të financuar nga Rusia?
A do të pranonit që një pakicë, për 25 vjet, të mos paguajë asnjë cent për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, duke i shkaktuar dëme miliona euro shtetit?

Ju deklaruat në Prishtinë se Kosova dhe Serbia janë “palë të barabarta në tryezën e bisedimeve.” Por realiteti e përgënjeshtron këtë. Kosova po ndëshkohet, ndërsa Serbia shpërblehet pavarësisht nga kërcënimet, armatosja dhe aleancat me Rusinë.

Vizita juaj e parë në Beograd dhe Prishtinë ka rezultuar një zhgënjim për shqiptarët kudo që janë. Pritëm një drejtësi të vonuar, por në vend të saj pamë deklarata të mjegullta dhe mungesë të theksuar të guximit diplomatik.

Vizita juaj përkoi me 26-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ku qindra të burgosur shqiptarë u vranë mizorisht nga forcat serbe. Do të kishte qenë simbolikisht e fuqishme nëse do të ishit informuar, apo do të kishit bërë një gjest publik për ta përkujtuar këtë krim.

Zonja Kallas, qasja juaj e butë dhe e paqartë ndaj padrejtësisë që po i bëhet Kosovës është thellësisht zhgënjyese.

Kërkojmë prej jush që, si diplomate me përvojë dhe si grua me ndjeshmëri njerëzore, të vendoseni përballë së vërtetës historike: Të mendoni si një nënë që përjeton dhimbjen e nënave shqiptare, të cilave u janë vrarë foshnjat në gjirin e tyre. Të mendoni si një qytetare që do të mbrojë popullin dhe vendin e vet nga gjenocidi.

Zonja Kaja Kallas, vendoseni veten në vendin tonë:

Çfarë do të bënit nëse Serbia do t’i kishte kryer ato vrasje, ato dhunime dhe ato masakra ndaj jush, familjes suaj, popullit dhe shtetit tuaj?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat