Kosova i mbetet borxh shoqatës gjermane “Cap Anamur”!

Opinione

Kosova i mbetet borxh shoqatës gjermane “Cap Anamur”!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 16 gusht 2025 Në ora: 20:04
Ismail Muçiqi

Një nga Shoqatat Humanitare më të njohura me karakter ndërkombëtar, e cila ndihmoi Kosovën gjatë luftës dhe pas saj në procesin e rindërtimit, është Shoqata Humanitare Gjermane **“Cap Anamur”**, të cilën për dekada e udhëhoqi drejtori i ndjerë **Rupert Neudeck**. Menjëherë pas luftës, “Cap Anamur” e zgjeroi aktivitetin në mbarë Kosovën, duke financuar qindra projekte humanitare: rindërtimin e shtëpive të djegura, ndërtimin e shkollave të reja, ambulancave nëpër fshatra, si dhe përmirësimin e infrastrukturës spitalore. Një nga projektet më kapitale ishte ndërtimi i mbi 300 shtëpive në territorin e Komunës së Podujevës. Në ditët më të vështira, kur banorët e Podujevës kishin mbetur pa kulm mbi kokë dhe të ngarkuar me halle e trauma nga lufta, kjo shoqatë iu gjend pranë duke ndërtuar shtëpi të reja, të cilat ringjallën jetën në fshatrat dhe vendbanimet tona. Sa ishte gjallë drejtori i “Cap Anamur”-it, z. Rupert Neudeck, pata rastin të bashkëpunoja me këtë organizatë përmes Shoqatës Humanitare “Humanikos”, të cilën e udhëheqi edhe sot. Menjëherë pas luftës, ai më kërkoi që t’i përpiloj një elaborat–raport për numrin e shtëpive të djegura nga lufta në Bashkësinë Lokale të Llapashticës. Pas dorëzimit të raportit, vetëm dhjetë ditë më vonë, Neudeck dërgoi ekipin e tij për të filluar projektin e sigurimit të materialit ndërtimor për familjet pa strehë. Në zyrën e “Cap Anamur”-it në Prishtinë, koordinator ishte **Skender Gjakaliu**, ish-ambasador i Kosovës në Gjermani, i cili kontribuoi shumë në realizimin e projekteve humanitare në shumë komuna të Kosovës, veçanërisht në Podujevë. I ndjeri **Rupert Neudeck** u nda nga jeta më 31 maj 2016, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar me vepra humane e njerëzore në shërbim të viktimave të luftës dhe njerëzve në nevojë. Në shenjë nderimi e respekti për Shoqatën Humanitare Gjermane “Cap Anamur”, Shoqata Humanitare “Humanikos”, me seli në Prishtinë, ka ndërmarrë iniciativën për ngritjen e një busti simbolik kushtuar drejtorit të saj, **Rupert Neudeck**, në Podujevë. Për këtë iniciativë, kohë më parë kam njoftuar edhe ambasadorin gjerman në Kosovë, z. **Jörn Rohde**, i cili e ka përkrahur këtë ide. Kjo nismë është një shprehje simbolike falënderimi nga qytetarët e Podujevës dhe nga mbarë Kosova, për të vlerësuar punën dhe veprën e këtij humanisti me përmasa ndërkombëtare. Bustin e këtij veprimtari human e ka realizuar skulptori i njohur **Izeir Mustafa**. Tani mbetet që Komuna e Podujevës, përkatësisht institucionet komunale, të caktojnë vendin ku do të vendoset busti i këtij njeriu të madh, i cili u bë shpresë për njerëzit në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat