Samitin e Komitetit Politik Evropian, zhvilluar në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, më 2 tetor 2025, pasi u tall në vend e kohë të gabuar e për të keqen e vet, edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për një lapsus të tij me 3 emrat që fillojnë me germën A, Azerbajxhan, Armenia e Albania si dhe pasi u dha mend nga të vetët, që i ka “të bollshëm”, Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u mburr se "Shqipëria po vrapon drejt BE"!
Mund të mendohet se ia kanë marrë seriozisht dhe ia kanë besuar këtë deklaratë fare pak vetë, edhe nga ata miliona, që nuk e njohin fare Shqipërinë e "epokës Rama" apo të këtyre 12 viteve! Ndërsa për shumicën e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve kjo deklaratë optimiste apo euforike e Edi Ramës është një shaka e zakonshme apo e radhës prej tij. Ndërsa si mburrej në Kopenhagen, në Tiranë e në Shqipërinë mbarë plot fakte dhe ngjarje, edhe të freskëta, e nxirrnin jo të sinqertë e të besueshëm.
Rreth 515 mijë pensionistë me pensione 100- 200 euro në muaj si dhe rreth 150 mijë pensionistë me 200- 300 euro në muaj, domethënë rreth 30% e popullsisë së mbetur akoma në Shqipëri, edhe pas marrjes së 400- 600 lekë shtesë më 1 tetor, nga rritja e pandalshme e çmimeve, do të mbeten varfanjakë e vramendas deri në dhembje koke e pagjumësi për jetesë allashqiptare, si në 30 shtator. Shumica e qyteteve, përfshirë edhe ato turistikë e lagje të Tiranës, do të vazhdojnë gjatë, edhe pas 80 viteve, pas 29 nëntorit 1944, pa ditur deri kur, me 1- 8 orë ujë për higjienë në ditë, edhe pse për nga burimet ujore për frymë Shqipëria është e dyta në Evropë, pas Norvegjisë.
Tirana do të vazhdojë, ndoshta sa Edi Rama të jetojë, duke ia ndotur ajrin dhe duke ia zënë diellin dhe hapësira jetike kullat e miliardave të kanabizit shqiptar, ndraghetas apo të Arubës...!
Ndërsa Edi Rama fliste në Kopenhagen duke u mburrur për “sukseset dhe marshimin e Shqipërisë drejt Brukselit”, në disa qytete të Shqipërisë, sidomos ata periferikë e malorë, përfshirë edhe Lezhën turistike, në mbrëmjen e 2 tetorit, si shpesh herë u ndërpre furnizimi me energji elektrike dhe funksionimi i televizorëve.
Kështu rrjedhimisht u pamundësua shikimi dhe dëgjimi “gojëhapur” nga ekranet e televizorëve i Edi Ramës në kronikat për këtë Samit.
Është bërë e qartë dhe kuptuar prej shumë vitesh se realiteti që përjeton shumica e shqiptarëve në Shqipëri nuk është ai që vizatojnë apo reklamojnë pushtetarët shqiptarë në samite e konferenca ndërkombëtare. Ky përjetim apo ndëshkim ka ardhur edhe për arsyen e shkakun se, për të keqen tonë si popull e si vend, kemi vënë drejtimin e partive, qeverive , shtetit...disa politikanë pa u parë me vëmendje e pa asnjë tolerancë cv, diploma, tituj, grada shkencore, kartela mjekësore, dëshmi penaliteti e dosje gjyqësore, deklarime e veprime që shprehin shqiptari ose patriotizëm fjalaresk e të pasinqertë...Gjithashtu, për të paktën këta 81 vjet, ne jemi viktimizuar edhe nga mendjelehtësia apo naiviteti se ferrin ku na kanë gremisur pushtetarët e plotpushtetshëm të partisë së zemrës, e kemi pandehur, mburrur dhe mbrojtur si parajsë. Kur na del dehja apo ekstaza dhe bindemi se prej afro 81 vitesh vazhdojmë të jemi ndër të fundit në Evropë dhe botë për shumicën e treguesve të zhvillimit, nivelit të jetesës, shtetit ligjor e social funksional, të demokratizimit dhe të integrimit..., nuk pranojmë të ndërrojmë mendje, votë, rrugë...
Pra, ne si popull kemi edhe të keqen që nuk i vendosim në krye të punëve dhe tavolinave të qeverisjes njerëzit më të ditur, më të aftë, më të mbingarkuar me vepra të vlefshme për vend e popull. të kundërt, këtyre ose u janë mbyllur dyert e kabineteve dhe zyrave, ose këta janë detyruar të ikin “me dorëheqje” nga postet dhe detyrat, duke iu bërë puna dhe klima në dikastere e padurueshme dhe e rrezikshme, nën vartësinë e shefeve dhe shefave të paaftë e të korruptuar. Në vendet e tyre janë parapëlqyer dhe vënë përgjithësisht ata që kanë më shumë merita partiake, sidomos në fushata elektorale si dhe që kanë poste, ofiqe, grada, të përfituara më së shumti në rrugë jo të pastra.
Domethënë, fare troç, me dëftesa, diploma, tituj, grada shkencore dhe akademike...të blera apo me plagjiatura deri në rreth 75% e jo prej djersës së pastër si dhe me dosje në SPAK e në zyra të tjera të “piramidës” së drejtësisë në Shqipëri. Lehtë kuptohet se duke mbizotëruar në institucione qeveritare e shtetërore kuadro të këtij mielli e brumi, punët dhe veprat e tyre, më së shumti, do t’i marrë lumi.
Fatkeqësisht, faktet, edhe ato fare të freskëta, të këtyre 10 muajve të vitit 2025,nuk flasin për bum apo vrapim drejt BE-së në zhvillimin ekonomik, në mirëqenie, demokratizim...në Shqipëri, por për "bum" në varfërim, korrupsion, emigracion, depresion social, kriminalitet, rritje të çmendur çmimesh...
Këto e zhvleftësojnë ndjeshëm edhe bumin njerëzor sasior turistik, që nuk është reflektuar dukshëm në rritjen e të ardhurave tek shumica e popullit! Kjo, sepse nga milionat prej turizmit 4-5 mujor, siç funksion në Shqipëri, pasurohen disa mijëra pronarë hotelesh të mëdha e të mesme si dhe ato familje që japin vila dhe apartamente me qira. Shumë prej këtyre objekteve apo subjekteve turistike(rreth 5000-6000 për vitin 2023) u janë shmangur detyrimeve fiskale.
Bollëk shifrash dhe faktesh që kundërshtojnë apo përgënjeshtrojnë deklarimin e kryeministrit Edi Rama në Samitin e Kopenhagenit, më tetor 2025, dhurohen edhe nga një informacion i INSTAT-it të Shqipërisë, publikuar në “Monitor”, më 12 prill 2025. Sipas tij, “Rritjet e vazhdueshme të pagës minimale në Shqipëri nuk kanë arritur që ta nxjerrin vendin nga lista e të fundit në Europë, sidomos kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse...”.
Siç dihet fuqia blerëse matet apo vlerësohet nga nivelet e pagave, pensioneve, të mbështetjes sociale si dhe të çmimeve të artikujve të konsumit të përditshëm e jetik. Për t’ia ulur ndjeshëm kryeministrit dozën e demagogjisë e të euforisë se “Shqipëria po vrapon (si e çmendur) drejt BE-së”, na ndihmon edhe një informacion i publikuar në Monitor dhe Syri.Net, më 08/08/2025, që mbështetet në një studim nga Eurostat. Shqipëri paga minimale ka arritur në 405 euro...Ndërsa Serbia, e ka çuar në nivelin e 619 euro dhe Malit të Zi në 670 euro.
Edhe pse është rritur, paga në Shqipëri vlen më pak, për shkak të kostos së lartë të jetesës, sidomos të rritjes me 50-100% e më shumë të shumicës së çmimeve. Sipas Eurostat, bazuar në fuqinë blerëse, paga minimale në Shqipëri ishte më e ulëta në Europë në fillim të vitit 2025.
Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se çmimet e pajisjeve elektro-shtëpiake në Shqipëri janë sa 145.8% të mesatares së Bashkimit Europian për vitin 2024. Frigoriferët, lavatriçet, sobat, lavastoviljet, etj. në Shqipëri kushtojnë gati 46% më shumë se mesatarja europiane...!? Po sipas këtij informacioni të Eurostat, Shqipëria rezulton ndjeshëm më e shtrenjtë se vendet e rajonit. Serbi çmimet e elektroshtëpiakeve janë 10.7 % më shtrenjte se BE, Turqia 13.9%, Bosnjë dhe Hercegovina, 1.4% më shumë, Mali i Zi 0.5% me lirë se BE, Maqedonia e Veriut 4.1% më shtrenjtë se BE-ja.
Po kështu, Shqipëria është shumë më e shtrenjtë edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të Europës si Zvicra, Gjermania, Franca, Spanja, Suedia, Norvegjia. Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese, sidomos për rrezikshmërinë financiare e shëndetësore, është fakti se nivelit të lartë të çmimeve të shumicës së artikujve, sidomos të atyre ushqimorë dhe të ilaçeve shëndetësorë, nuk i përgjigjet cilësia e duhur apo e shënuar në mënyrë mashtruese në etiketat e tyre. shumë raste, konsumatorët shqiptarë blejnë pajisje me çmim të lartë, por me jetëgjatësi të kufizuar, mungesë standardesh dhe garanci jo reale.
Sipas një studimi dhe klasifikimi të UNICEF për vitin 2024, publikuar më 12.10.2024, Shqipëria kishte 47% të fëmijëve në varfëri ushqimore. 29% të tjerë përballen me një varfëri të moderuar ushqimore, ku dieta e tyre është ende e paplotë dhe e pamjaftueshme. nivel vendi, Shqipëria ka rreth 42% të popullsisë në nivelin minimal të jetesës, me të ardhura mujore për frymë 100-300 euro!? renditjen globale, Shqipëria, një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian apo që “vrapon drejt BE-së”, ka lënë pas vetëm vende të goditura nga luftërat dhe nga varfëria ekstreme, si Iraku, Kenia dhe Ruanda.
Ndërsa në Europë vetëm Taxhikistanin!? Meqenëse po i ofrohemi dimrit, mund t’i kujtojmë qeverisë se sipas një informacioni të KLAN TV, më 26.01.2025, mbështetur në një studim të Eurostat, 38% e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje të ngrohin banesat e tyre. Mungesa e ngrohjes qendrore si dhe të ardhurat e ulëta mujore bëjnë që shumë familje t’i ngrohin për pak orë banesat e tyre.
Të tjerë e përballojnë të ftohtin vetëm me batanije. Atëherë, shumëkujt, sidomos shumicës së shqiptarëve, i lind e drejta të pyesin: more, nga i gjeti kryeministri Rama “faktet dhe sukseset”, që u mburr në Danimarkë “ne po vrapojmë drejt BE-së”, kur sipas klasifikimeve serioze shqiptare e ndërkombëtare, kemi mbetur si gjatë 80 viteve, në treshen e fundit në Europë e ndër të fundit në botë. Cilën duhet të besojmë: “përrallën” se po vrapojmë si “pela e kuaj të harbuar” apo atë që përjetojmë e shikojmë me sytë tanë, ecjen si kërmilli drejt BE?!