Albin Kurti ndëshkohet sepse s’e shpërblen kriminelin — Lirim Gashi për drejtësinë që u kthye përmbys

Opinione

Albin Kurti ndëshkohet sepse s’e shpërblen kriminelin — Lirim Gashi për drejtësinë që u kthye përmbys

Më: 10 tetor 2025 Në ora: 22:35
Albin Kurti

Në një opinion të fuqishëm, publicisti Lirim Gashi analizon paradoksin moral dhe politik të kohës sonë:
Serbia, agresori i gjenocideve në Ballkan, u shpërblye nga diplomacia ndërkombëtare, ndërsa ata që kërkojnë drejtësi — si Albin Kurti — ndëshkohen dhe etikohen si “pengues të paqes”.
Gashi e quan këtë përmbysje të moralit ndërkombëtar “një krim që po përsëritet përmes heshtjes”, duke paralajmëruar se kur viktima dënohet dhe krimineli shpërblehet, drejtësia pushon së ekzistuari.

Teksti i plotë origjinal i Lirim Gashit:

KUR VIKTIMA DËNOHET DHE KRIMINELI SHPËRBLEHET

HYRJE: NJË PADREJTËSI QË KA HELMUAR HISTORINË
Ekziston një humnerë historike që e tejkalon çdo imagjinatë njerëzore:
Tre popuj që përjetuan tri gjenocide — shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët — u lanë pa drejtësi, ndërsa agresori, Serbia, u shpërblye.
Kjo nuk është vetëm një padrejtësi e së kaluarës, por një krim moral që po përsëritet përmes heshtjes.
Siç është thënë me të drejtë:
“E keqja më e madhe ndodh atëherë kur njerëzit e zakonshëm si Ibrahim-Miran Kelmendi, zgjedhin të mos mendojnë me kokë por me zorrë të trashë.”
Dhe pikërisht mosmendimi — ose më saktë, mosreflektimi dhe mosveprimi i vetëdijshëm vendor dhe ndërkombëtar — ka bërë që krimi të shpërblehet, ndërsa viktima të anatemohet.

MITI I MILLOSHEVIQIT DHE LINDJA E KULTIT TË KRIMIT
Në vitin 1987, Serbia, me ndihmën e një pakice serbe të fanatizuar, ia rrëmbeu Kosovës autonominë. Kështu u krijua një mit i errët nacionalist, me Millosheviqin si “shpëtimtar”.
Me ndihmën e Kishës Ortodokse Serbe dhe Akademisë së Arteve dhe Shkencave, pakica e llastuar, e pandershme dhe e krininalizuar serbe e ngriti në këmbë një kult të ri: kultin e gjakut dhe të krimit.
Në këtë klimë të çmendur klerofashiste, ajo e ushqeu me mit të rremë idenë e “Serbisë së Madhe” — një projekt që kërkonte t'i zhdukte shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët nga faqja e dheut.
Siç paralajmëronte një mendimtar i madh:
“Kur e keqja merr formën e një ideologjie të shenjtë, ajo bëhet më e rrezikshme se vetë urrejtja.”

NGA TERRORI DHE GJENOCIDI NË SHPËRBLIM NDËRKOMBËTAR
Regjimi i Millosheviqit fillimisht kreu terror të pashembullt mbi shqiptarët e Kosovës dhe më pas e mbylli rrethin vicioz të dhunës me gjenocidet në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. E megjithatë — në vend të ndëshkimit — Serbia u shpërblye.
Me çfarë u shpërblye?
Me një Republika Srpska të Madhe në Bosnje, mbi varret e viktimave të Srebrenicës;
Dhe me një Republika Srpska të Vogël në Kosovë, të paketuar si “e drejtë e pakicës serbe”.
Përveç kësaj horri tradhtar Lutfi Haziri e shpërbleu pakicën luftënxitëse serbe, me 25% të territorit të Kosovës përmes një rajonalizimi brutal që nuk ia kërkoi askush.
Në gjuhën e popullit kjo do të thotë:
“Po! Ia vlen të bësh gjenocid — sepse superfuqitë hipokrite të shpërblejnë.”
Siç shkruante një filozof politik:
“Nëse faktet bien ndesh me interesat e të mëdhenjve, atëherë ato heshtën, ndërsa agresori flet e dhunon dhe masakron pë herë të dytë viktimën në emër të ‘paqes’.”

DIPLOMACIA E PËRMBYSUR: KUR AGRESORI BËHET “PARTNER”
Çfarë ndodhi?
Në vend që të dënohej agresori, ai u shndërrua në “partner strategjik”, ndërsa viktima në “pengues të paqes”. Kjo është formula që ka shndërruar Ballkanin në një laborator të padrejtësisë ndërkombëtare:
Krimineli merr tavolinën,
Viktima lihet e pambrojtur me moralin… dhe heshtjen.
Siç thoshte një klasik i filozofisë politike:
“Kur drejtësia dështon, dhuna bëhet ligj.”
Dhe pikërisht kjo po ndodh sot në Ballkan:
Drejtësia është shndërruar në deklaratë, ndërsa dhuna në realitet politik.

ABSURDITETI SUPREM: KRAHASIMI I ALBIN KURTIT ME MILLOSHEVIQIN
Kulmi i absurditetit moral është kur disa pisa të poshtër guxojnë ta krahasojnë Albin Kurtin me Millosheviqin.
Millosheviqi vrau, dogji, dëboi, përdhunoi, shkatërroi. Albin Kurti kërkon vetëm zbatim të ligjit dhe sovranitetit të shtetit të tij.
Ai nuk po ndjek serbë — ai po ia dërgon një mesazh të qartë moral botës së qytetëruar:
“Mos e shpërbleni më krimin. Mos e quani padrejtësinë paqe, ndërsa shantazhin dialog.”
Siç ka thënë një mendimtar i lirisë:
“Mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë e shenjtë sa bashkëpunimi me të mirën.”

DREJTËSIA SI PROVOKIM, SHANTAZHI SI NEGOCIATË
Kur diplomacia humb busullën morale, ajo e sheh drejtësinë si provokim dhe shantazhin si negociatë. Por filozofia e drejtësisë nuk njeh kompromis me gjenocidin.
Siç paralajmëronte një filozof paqeje:
“Paqja nuk është mungesë e konfliktit, por prani e drejtësisë.”
Paqja që ndërtohet mbi eshtrat e viktimave është paqja e varrezave — jo ajo e ndërgjegjes njerëzore.

PËRFUNDIM: PYETJA QË PËRCAKTON DINJITETIN E NJERËZIMIT
Albin Kurti nuk po lufton vetëm për sovranitetin e një shteti të vogël ballkanik. Ai po ia mban pasqyrën përpara fytyrës ndërgjegjes së ndotur ndërkombëtare dhe po e pyet:
A është bota e qytetëruar gati ta shpërblejë edhe një herë krimin, apo do ta mbështesë drejtësinë?
Siç tha një i mbijetuar i Holokaustit:
“Të qëndrosh neutral në kohë padrejtësie do të thotë të zgjedhësh anën e shtypësit.”
Dhe sot, më shumë se kurrë, bota duhet të zgjedhë:
— të jetë me viktimën dhe drejtësinë,
— apo me kriminelin dhe heshtjen.

Shënim redaksional:

Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat