Mërgata shqiptare e zhgënjyer: Zgjedhjet sollën përçarje, jo fitore

Opinione

Mërgata shqiptare e zhgënjyer: Zgjedhjet sollën përçarje, jo fitore

Nga: Dashnim Hebibi Më: 3 nëntor 2025 Në ora: 10:20
Dashnim Hebibi

Përçarja brenda trupit politik e shoqëror shqiptar në Maqedoninë e Veriut u bë më e dukshme se kurrë pas balotazhit të 2 nëntorit. Mërgata, që udhëtoi për të mbështetur bashkëkombasit e vet, ndjeu zhgënjim të thellë dhe kërkon reflektim e unitet.

Zgjedhjet lokale të mbajtura më 2 nëntor në Maqedoninë e Veriut nuk u përjetuan si fitore nga shqiptarët, por si një natë përçarjeje dhe zhgënjimi. Nga ajo që u pa në terren, sidomos në Kërçovë, Tetovë dhe Strugë, rezultoi se ndasitë politike kanë lënë gjurmë të thella në raportet shoqërore, familjare dhe miqësore mes vetë shqiptarëve.

Në vend të një gare të ideve dhe programeve, skena politike shqiptare u përfshi nga akuza, bojkotime dhe përçarje që shpesh kaluan në përplasje personale. Kjo gjendje ka lënë një shije të hidhur, veçanërisht te mërgata që kishte besuar se përmes votës do të mund të sillte ndryshim pozitiv.

Mërgata, e cila çdoherë ka mbajtur gjallë lidhjen me vendlindjen, këtë herë ndjeu se mundi dhe përkushtimi i saj nuk u vlerësuan sa duhet. Shumë prej tyre udhëtuan me shpenzime e sakrifica, duke besuar në një unitet shqiptar, por në fund u përballën me ndasi që i quajtën “vetëshkatërruese”.

Sipas reagimeve të shumta në rrjete sociale dhe mediave, diaspora e sheh thelbin e problemit jo tek rezultati zgjedhor, por tek mungesa e bashkimit dhe e komunikimit të shëndoshë politik ndërmjet shqiptarëve. “Kur vëllezërit nuk ecin bashkë, humb i gjithë kombi,” – thuhet në shumë reagime të mërgimtarëve.

Edhe pse në disa qytete u pa atmosferë festive, shumë shqiptarë e përjetuan rezultatin si një humbje të unitetit kombëtar.

“Nuk ka arsye për festë kur ujësohen mullinjtë e tjerëve për shkak të përçarjeve tona,” – shkruajnë qytetarët në komentet e tyre.

Në mbrëmjen pas zgjedhjeve, Kërçova ishte e ndarë: një pjesë festonte në heshtje, ndërsa tjetra reflektonte mbi arsyet që çuan deri këtu. Fjalët më të shpeshta ishin “zhgënjim”, “ndarje” dhe “mospajtim”.

Ndërkohë, mërgimtarët që tashmë po kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë, e lënë pas një realitet të hidhur politik, por me një shpresë të vetme – se ky moment do të shërbejë si thirrje për reflektim.

“Fitues është shpirti i mërgimtarit që e do atdheun pavarësisht rezultateve. Humbja më e madhe është përçarja mes nesh,” – u shprehën disa prej tyre në rrjetet sociale.

Në përfundim, mësimi që del nga kjo natë zgjedhore është i qartë: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për bashkim, reflektim dhe për politikë që afron, jo ndan. Vetëm kështu mund të ketë fitues të vërtetë në të ardhmen – jo në vota, por në dinjitet dhe unitet kombëtar. /SAM24.info

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat