Fatos Nano - Lideri i tretë i partisë me tre mbiemra

Opinione

Fatos Nano - Lideri i tretë i partisë me tre mbiemra

Milaim Nela Nga Milaim Nela Më 5 nëntor 2025 Në ora: 11:39
Edi Rama dhe Faton Nano

Tani që kanë kaluar disa ditë nga vajtja në amshim është koha ti them dy fjalë për trashëgiminë e tij politike jo bazuar në dokumenta apo arkiva por siç e kam parë dhe përjetuar unë nga dita që ai doli në skenën politike deri sa iku pa kthim nga pushteti në vitin 2005 dhe më vonë.

E theksoj, ky është opinion dhe mendim vetëm i imi personal i pandikuar nga askush tjetër.

Nano erdhi në skenën politike shqiptare si eksponent i rëndësishëm i Partisë së Punës së Shqipërisë kur në krye të saj ishte akoma Ramiz Alia. Partia tashmë kishte emrin e dytë emër të cilën e kishte ndërruar në vitin 1948 nga Komuniste në e Punës e kur Ramiz Alia ishte udhëheqësi i dytë i saj pas Enver Hoxhës që nga themelimi i saj nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç në tetor 1941.

Fatos Nano erdhi në krye të saj kur partia tashmë 50 vjeçare u virgjërua edhe njëherë tjetër me një vendim në atë sallë të Pallatit të Kongreseve në vitin 1991 ku Dritëro Agollin vetëm nuk e pështynë delegatët që nuk duronin asnjë kritikë. Shkruesi i këtyre radhëve mban mend edhe britmat e Violeta Manushit dhe po ashtu shprehjen emblematike të Kadri Roshit: "Të qëndrojmë shokë, si gjerdan fishekësh ashtu siç qëndruam gjatë luftës".

Zgjedhjet e para të lira pas Dhjetorit 90të ato të 22 Marsit 1992 e nxorrën partinë tashmë me 3 mbiemra në opozitë e pasi Ramiz Alia nuk ishte më president Fatos Nano ishte numri 1 e i padiskutueshëm i të majtës shqiptare.

A ishte Fatos Nano reformator i Partisë me 3 mbiemra?

Partia me mbiemrin e 3të ndryshe nga shumë vende të lindjes ku simotrat e saj ishin shpërbërë apo ishin nxjerrë jashtë ligjit jo vetëm që nuk u reformua e nuk u pajtua asnjë ditë të vetme me të qenurit në opozitë por pa kaluar viti me ithtarët e saj mbushi sheshet me moton "të marrim pushtetin e humbur qoftë edhe duke thyer kafka". Reformimi i saj nuk ishte në axhendën e askujt. Ky lloj tempi agresiv opozitarizmi nuk e lejoi pushtetin e ri të merrej me problemet kardinale të ekonomise e rimëkëmbjes por bëri prioritet të saj mbrojtjen nga agresivieti i makinerisë se vjetër.

Ishte një atmosferë e rënduar dhe ndryshimi që po pësonte vendi i trembi tej mase se qëndrimi në opozitë do të ishte shumë i gjatë.

Kjo ishte pak a shumë atmosfera kur Fatos Nano u arrestua për shpërdorim të ndihmave të huaja kryesisht nga Italia e bazuar në prova e dëshmi të ardhura po nga ky vend. Të mos harrojme se akuza të ngjashme ishin bere në Itali edhe ndaj ish ministrit të jashtëm Italian Giani De Michelis.

Partia me mbiemrin e tretë jo vetëm nuk i distancua nga lideri nën akuzë por e quajti burgosjen e tij politike dhe filloi një fushatë shumëdimesionale për rrēzimin e qeverisë së "malokut" pavarësisht se ajo drejtohej nga një profesor gjirokastrit e emri i tij përmendej shumë rrallë.

Bashkëmoshatarët e mi por edhe më të rriturit i mbajnë mend letërkëmbimet patetike të Pandeli Majkos me liderin në Burgun e Bënçës.

Po ashtu gjuha tejet agresive e Nanos është bërë e njohur përmes letrave të publikuara nga ish-bashkëshortja e tij vite më vonë.

Përpos arritjeve domethënëse në tre vitet e para ku Shqipëria ishte në një nivel arritjesh me Poloninë, Çekinë e Hungarinë dhe ishte vendi i parë i ish Traktatit të Varshavës që kishte aplikuar për antarësi në NATO qeveria e re demokratike u përball me sfida shumë serioze;

- Serbia kishte filluar ekspansionin ushtarak dhe pas shkëputjes pa shumë dhimbje të Sllovenisë, luftës gjenocidale në Kroaci e Bosnje-Hercegovine lufta në Kosovë nuk ishte çeshtje se a do të ndodhë por kur e sa do ishte çmimi.

Serbisë i interesonte një Shqipëri në pamundësi për ti dalë zot gjysmës së saj që konjukturat e të huajve dhe horri Enver Hoxha e kishin lënë nën Jugosllavi.

- Greqia kishte arritur të sillte në krye të Kishës Ortodokse nje eksark me shumë dritëhije i cili me manipulime dhe shkelje flagrante të Kanoneve Kishtare u bë i përjetshëm në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Rrëzimi i Referendumit të vitit 1994 ishte investim jo i vogël i qarqeve ultranacionaliste greke sepse Kushtetuta e Re nëse miratohej e bënte Janullatusin të paligjshëm ditën që kjo do zyrtarizohej në Fletoren Zyrtare.

Kjo ishte bash arësyeja e investimit për rrëzimin e referendumit.

Narrativa se Kushtetuta u rrëzua për shkak të Kompetencave të Presidentit në projekt për fat të keq megjithëse kaq e gënjeshtërt zë vend edhe sot në narrativën e propagandës së regjimit sororilindas.

Kishte ndodhur masakra e Peshkëpisë dhe veprimtaria e hapur subversive e Greqisë me shpërndarje hartash të Vorio-Epirit edhe nëpër shkolla e kudo në jug që çoi në arrestimin e "të 5-tëve" kartën e të cilëve e luajti mjaft mirë lobi mjaft influent grek në Shtetet e Bashkuara.

- Falangat e ish-sigurimit të shtetit që në vitin 1994 mbollën skemat piramidale fillimisht përmes një lotarie që e quajtën "FITORJA" ku fusje një sasi lekesh e cila pas 3 muajsh trefishohej.

Kështu lindën fondacionet "SUDJA", "POPULLI", "XHAFERRI", "GJALICA", "SILVA" fondacione këto falë edhe reklamave të bujshme të gazetave "Koha Jonë" të drejtuar nga Nikollë Lesi dhe "Albania" të drejtuar nga Ylli Rakipi nxitën shqiptarët që sapo kishin filluar të mëkëmbeshin në kapitalizmin e ri të braktisnin punën e ndershme, të shisnin shtëpi e katandi e të fusnin lekët në fondacionet kriminale. Shqiptarët e sapodalë nga diktatura i besonin akoma shumë gazetave dhe medias audiovizuale.

Përveç këtyre qeverisë së "malokut Berisha" iu dha një mesazh shumë serioz nga 'Hakmarrja për Drejtësi' në vitin 1996 me vendosjen e një bombe në marketin VEFA në qender të Tiranës ku humbën jetën 6 veta dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Ky ishte një akt i pastër terrorist i pa pare me parë në Shqiperi. Ky ishte një akt i pastër terrorist i paparë deri në atë kohë në Shqiperi.

....

Historia dihet si përfundoi me revolucionin tregishtor, shtetin e rrenuar e vendin nën pushtetin e komiteteve dhe bandave të tyre.

Ky revolucion që shkallmoi shtetin dhe pjesën më të rëndësishme të tij ushtrinë shqiptare armatimi i së ciles ra në dorë të bandave kriminale që çoi vendin 100 vjet prapa e solli Fatos Nanon nga burgu në Kryeministri pas premtimit që iu bëri shqiptarëve se do ju kthente 100 % paratë e humbura.

Ai në krye të ekzekutivit abrogoi ligjin e lustracionit që ju a ndalonte ish funksionarëve të lartë që kishin shërbyer në pushtetin e partisë me emrin e dytë të zgjidheshin në pozita të larta shtetërore për 20 vjet.

Nxorri nga burgu xhelatët që edhe ashtu ishin dënuar me akuza qesharake anipse i kishin duart me gjak. Dhe nuk u mjaftuan me kaq por e quajtën dënimin persekutim politik dhe bile morën rehabilitim me ligj duke marrë shpërblim të plotê monetar.

A ishte Fatos Nano johakmarrës?

Gjatë pushtetit të Fatos Nanos liderit të studenteve të Dhjetorit 90 ju bënë 3 atentate një nga këto në ndërtesën e Kuvendit dhe e ekzekutuan barbarisht me 12 shator 1998.

Tropoja u masakrua për vite me radhë ku një nga elementët kyç të këtyre vrasjeve është përfolur edhe një ish-trupërojë e Fatos Nanos.

A ishte Fatos Nano pro Kosovës?

Nën pushtetin e Fatos Nanos u vra në mes të Tiranës Ahmet Krasniqi njeriu që do të bashkonte fraksionet luftarake të Kosovës në një ushtri tē rregullt e të mirëorganizuar me hierarki e serioze e që do të ishte shumë më efektive se sa formacionet guerile qe me shumë kishin hallin e ekzekutimeve të elitës kosovare që do ju bëhej pengesë për pushtetin e nesërm se sa çlirimin nga pushtuesi..

Në kohen kur shqiptarët e terrorizuar nga bisha serbe do kalonin kufirin per Shqipëri u tentua që ato të mos e kalonin lumin Drin se prishej demografia. Do ishte nje radio e vogel në një apartament të Tiranës që do e shkallmonte këtë qëllim.

Unë nuk e di se çfarë ka biseduar Fatos Nano 90 minuta 'tet a tet' me Sllobodan Milosheviçin në Kretë por ashtu si unë shqiptarët nuk e harrojnë deklaratën e Nanos në Lisbonë të Portugalisë se 'Kosova ka kryeqytet Beogradin".

Ngado që ta kthesh e sido ta interpretosh kjo nuk mund të quhet ndihmë për Kosovën.

Nën pushtetin e Nanos lufta e shqiptarëve të Kosovës jo vetëm nuk u ndihmua por u konfiskuan shumë herë edhe armatimet e blera nga shqiptarët e mërgatës dhe ata u keqtrajtuan jo pak herë. Është thënë se shumë kalime të kufirit nga shqiptarê të Kosovës u dekonspiruan tek homologët e tyre serbë nga strukturat inteligjente të shtetit shqiptar. Kujtoj këtu rënien në pritë të Mujë Krasniqit por edhe shumë luftëtarëve të tjerë. Më duhet të them këtu që edhe brenda së majtës se asaj kohe ka patur individe e pushtetetare që kanë dhënë kontribut të sinqertë për Kosovën e luftën e saj por kanë qenë në minorancë.

A ishte Fatos Nano shtetar dhe modern?

Fatos Nano do mbahet mend si njeriu i veseve, i alkolit pa fre, bixhozit e njeriu i buzuqeve krejt joserioz dhe i padenjë për postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

Pa dyshim që ai ishte i ditur me kulture të gjerë dhe liberal me bashkëpunëtorët e tij. Por kjo nuk të bën domosdoshmërisht shtetar e atdhetar.

Fatos Nano do mbahet mend si njeriu që instaloi korrupsionin në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar korrupsion që pasardhësit e partisë se tij vetëm e perfeksionuan dhe ngritën në nivel më të lartë.

Ndryshe nga një pjesë e madhe që mendojnë se Fatos Nano u largua se nderoi kodin e dorëheqjes unë mendoj se ai u largua se nuk komandonte dot më bandat që ishin ngritur në nivel që ai nuk i kontrollonte më.

Pra, ai jo vetëm nuk e reformoi dot partinë me tre mbiemra por ja dorëzoi atë një sekti tepër të rrezikshëm siç është sekti Soros dhe një individi kaq të papërgjegjshëm si Edvin Rama pasojat e nje akti të cilat shqiptarët i kanë paguar dhe vazhdojnë ti paguajnë shumë rëndë edhe sot.

Tani sigurisht ta krahasosh Fatos Nanon me Enverin dhe Ramën të duket yll hollivudi por në analizë të detajuar ai i ka berë Shqipërisë dëm të jashtëzakonshëm.

Partia që ai udhëhoqi me emrin e saj të tretë tashmë ka nofkën "Rilindje" dhe jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me partinë që la ai por falë atij akti të papergjegjshëm të tij është shëndërruar në një strukturë të mirëfilltë kriminale vegël e një sekti ndërkombëtar antinjerëzor e anti-familje që po zhbën Shqipërinë dhe po shpopullon vendin me një ritëm të paimagjinuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat