Nëntë vjet pa Astrit Deharin, vrasje apo vetëvrasje: Dilema që nuk u mbyll kurrë

Opinione

Nëntë vjet pa Astrit Deharin, vrasje apo vetëvrasje: Dilema që nuk u mbyll kurrë

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 nëntor 2025 Në ora: 15:49
Autori Faton Mehmeti

Kanë kaluar plot nëntë vjet nga dita e kobshme kur u njoftua për vdekjen e Astrit Deharit në qelinë e burgut të Prizrenit. Nëntë vite që nuk i kanë zbehur pyetjet, por përkundrazi i kanë thelluar ato. Nëntë vite që kanë rënduar ndërgjegjen e një shoqërie që ende nuk ka marrë përgjigjen më të thjeshtë: çfarë ndodhi me Astrit Deharin? A ishte vetëvrasje, apo një vrasje e maskuar me kujdes, që synonte të mbulonte diçka shumë më të madhe?

Astrit Dehari nuk ishte një emër i zakonshëm. Ai përfaqësonte idealizmin e një gjenerate që besonte se ndryshimi është i mundur, që luftonte kundër padrejtësive dhe korrupsionit, që kërkonte një Kosovë të ndershme dhe të drejtë. Vdekja e tij në rrethana të errëta nuk ishte thjesht humbja e një aktivisti ishte një goditje në zemrën e shpresës qytetare. Që nga ajo ditë e errët e nëntorit 2016, rrëfimet, raportet, analizat dhe ekspertizat kanë ndryshuar si stinët. Fillimisht, u tha se ishte vetëvrasje. Më pas, raportet ndërkombëtare dhe ekspertët zviceranë hodhën hije të forta dyshimi mbi versionin zyrtar.

U fol për shenja që nuk përputheshin me një vetëvrasje, për prova të manipuluara, për video të zhdukura dhe për mungesë transparence nga institucionet. Këto elemente e kthyen rastin Dehari në një simbol të mosbesimit ndaj drejtësisë në Kosovë. Familja Dehari, për nëntë vite me radhë, ka mbajtur barrën e dhimbjes dhe të kërkimit të së vërtetës. Ata nuk kanë kërkuar hakmarrje, por drejtësi. Kanë kërkuar atë që çdo shoqëri e ndershme duhet të kërkojë: të dihet e vërteta, çfarëdo qoftë ajo. Por, kur drejtësia hesht, dhimbja zmadhohet dhe dyshimi bëhet pjesë e përditshmërisë.

Institucionet e drejtësisë në vend që të japin përgjigje të qarta, shpesh janë dukur si të kapura nga frika ose nga interesa të errëta. Një rast që duhej të ishte zgjidhur me transparencë maksimale, u mbulua me mjegull. Kjo mjegull tashmë është bërë simbol i mungesës së besimit qytetar në sistemin e drejtësisë. Në çdo përvjetor të vdekjes së Astritit, nuk kujtohet vetëm ai si individ kujtohet edhe padrejtësia që ende endet nëpër korridoret e pushtetit.

Nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetë. Nuk mund të ketë drejtësi pa guxim për të përballur faktet, sado të dhimbshme të jenë ato. Nëse Astriti vërtet u vra, atëherë heshtja është bashkëfajësi. Nëse ai vërtet vrau veten, atëherë shoqëria jonë ka dështuar të mbrojë një të ri të idealit e të bindjes. Në të dy rastet, është dështim kolektiv. Sot, nëntë vjet më vonë, Astriti është bërë më shumë se një kujtim ai është ndërgjegjja e plagosur e Kosovës. Çdo heshtje zyrtare, çdo raport që fshihet, çdo deklaratë e paqartë, e mban të hapur plagën. Dilema “vetëvrasje apo vrasje” nuk është vetëm një pyetje hetimore është pyetja që përcakton sa guxim ka kjo shoqëri për të përballur të vërtetën.

Drejtësia për Astritin nuk është vetëm drejtësi për një individ, por për gjithë ata që besojnë se shteti duhet të jetë mbrojtës i jetës, jo varrmihës i së vërtetës. Derisa kjo dilemë të zgjidhet, Kosova nuk mund të pretendojë se ka ndërtuar një drejtësi të vërtetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat