Balluku është emri që, në këto momente, po e trondit Shqipërinë. Si duket i tërë fati i piktorit, qeverisë, e vendit ndodhet në duart e saj. Shqiptarët falë saj, e mësuan edhe fjalën më të re në leksikun e tyre, „Palloshi”. Gjuhëtarët, ekspertët e gramatikës, letrarët, kritikët e letërsisë, leksikografët, romancierët, lektorët, dramaturgët, etnografët, piktorët, linguistët etj. janë angazhuar me vrull rreth “Palloshit”. Ata pritet që ta studiojnë, secili në fushën e tij, ta sqarojnë sa më mirë domethënien, kuptimin, ndërtimin gramatikor, sinonimet, e sidomos, kontekstin e përdorur në këtë rast për piktorin. Kuriozitet, se jo mahi, me përmasa kombëtare.
Gjuha thyen eshtra, është thënie e shkëlqyeshme e Gjuhës Shqipe, e cila i dedikohet pikërisht fuqisë së fjalës. Kjo fuqi si duket u përdor në këtë rast, po fjala është sa do të ketë ndikim kjo fjalë për piktorin, e cila i dedikohet pikërisht atij.
Zonja Balluku është personazhi që më së shumti po akuzohet në këto momente, por po harrohet roli i saj në këtë rast me fjalën e saj të famshme, “Palloshi”.
Të gjithë ata që po merren me këtë fjalë, në fund do të dalin me qëndrimet, po edhe me studimet e tyre rreth saj, që pritet sadopak t´ia lehtësojnë jetën e përditshme zonjës Balluku.
Në Gjuhën Shqipe fjalët e tilla mund të quhen edhe si sinonime. Një fjalë, e cila ka një e më shumë kuptime. Pra ekspertët e gjuhës, në kuptimin e saj të parë, mund ta marrin domethënien e saj si truplartë, që mund ti dedikohet piktorit, po domethënia tjetër i rreket një kuptimi krejtësisht tjetër, kokëtrashë apo leshko ( edhe më zi se kokëtrashë).
Ata nga PS po e marrin se zonja Balluku, piktorin ka dashur ta quante vetëm pallosh, me domethënien e parë, truplartë, kurse ata nga opozita domethënien e parë po e hedhin tërësisht si të pabazë dhe po nisen sipas sinonimit tjetër, kokëtrashë ose leshko. Pra kemi të bëjmë me dy grupime. Njëri i cili duan ta arsyetojnë zonjën Balluku, ta shpëtojnë atë nga akuzat dhe t’ia shpëtojnë fytyrën piktorit, kurse nga grupimi tjetër, opozita, nisen vetëm nga qëndrimi tjetër, i cili piktorin e paraqet ashtu siç është, trutrashë dhe leshko. Si do që të jetë, gjendja për asnjërën palë nuk është aspak e mirë. Frontet vetëm sa po ashpërsohen.
Pse nuk po dorëheqet? Pse nuk po arrestohet? Pse nuk po e largon piktori etj. etj. Zgjidhja ndoshta më e mirë do të ishte, të caktohej një komision ndërkombëtar, apo çështja të kaloi në Gjykatën Ndërkombëtare. Të gjithë janë në pritje. Piktori ka zgjedhur heshtjen, së paku para opinionit, sepse përmes kanaleve të fshehta, kush e di se si po gatuhet ngjarja. Heshtja po ashtu mund ta sjell një katarsis, sikurse rasti i Veliajt, pra pse mos të pritet. Në të kundërtën, po shkoi Balluku, mund ta tërheq këmbën zvarrë dhe ti marr të gjithë me vete, pa e përjashtuar as Pallokun. Diçka pritet të ndodhë.