Përkëdhelja e sllavo-maqedonasve dhe dobësia e shqiptarëve - Bota Sot
Përkëdhelja e sllavo-maqedonasve dhe dobësia e shqiptarëve

Opinione

Përkëdhelja e sllavo-maqedonasve dhe dobësia e shqiptarëve

Nga: Dr. Shefqet Krasniqi Më: 15 shtator 2013 Në ora: 00:58

Kriza e ashtuquajtur Maqedoni-Kosovë vazhdon ta trazoj Ballkanin. Ajo që po ndodhë ditëve të fundit nga Sllavo-Maqedonasit duket si një vazhdimësi e presionit, maltretimit e keqtrajtimit të vazhdueshëm që qeveritë e ndryshme maqedonase janë mësuar tu bëjnë shqiptarëve, si gjatë periudhës titiste-komuniste po ashtu edhe më vonë.

Vuajtjet dhe persekutimet e shqiptarëve në Maqedoni pothuajse nuk u ndalen kurrë, ato herë-herë ndryshuan formën apo mënyrën por nuk u ndërprenë asnjëherë. Vëllezërit tanë shqiptarë, të shkëputur nga vendi amë, që patën fatin e hidhur të mbesin në Maqedoni, të projektuar nga Tito-ja e të miratuar nga Evropa, nuk ishin më pak të shtypur sesa vëllezërit e tyre në Kosovë. Armiku ishte tjetër por shtypjet e njëjta. Nga dhuna e tepruar vëllezërit tanë atje u detyruan t’i rrokun pushkët dhe t’ia mësynë maleve, luftë kjo që rezultoi marrëveshjen famëkeqe të Ohrit e cila u solli shumë pak të mira shqiptarëve në Maqedoni. Ato të ‘mira’ të premtuara e të nënshkruara nga vet udhëheqësit maqedonas, në të shumtën e rasteve, pothuajse nuk panë dritën e realizimit. Shqiptarët atje akoma trajtohen si shtresë e dytë, ata rrahën e shahen e besa edhe burgosen e vriten nga nacionalistët maqedonas sipas tekeve e dëshirave. Qeveria atje vazhdon t’i nënvlerësoi shqiptarët duke i avancuar vetëm maqedonasit në çdo drejtim. Kjo qeveri nuk nguron që shqiptarët t’i diskriminojë edhe mbi baza fetare.

Dihet mirë roli i Kishës Ortodokse Maqedonase dhe qeverisë aktuale pro- ortodokse, në ndërtimin e Shkupit të ri, me plotë elemente ortodokse, pa asnjë element shqiptar e as islam. Ata në vazhdimësi i kanë provokuar muslimanët atje duke u ndërtuar kisha në zemër të myslimanëve, ndërsa në anën tjetër duke penguar dhe vështirësuar ndërtimin e xhamive.

Nacionalistët maqedonas në pamundësi të përballën me grekët e bullgarët, nga të cilët dridhen, i tregojnë muskujt e tyre ndaj fqinjëve shqiptarë. Ata sikur e dinë mirë se vetëm me ne shqiptarët mund të luajnë, ngase ne gjithmonë i kemi përkëdhelur dhe vazhdojmë t’i përkëdhelim, zaten ne gjithmonë dimë t’i përkëdhelim vetëm të huajt, ndërsa mes veti bëhemi copë e copë.

Ata kur të donë e mbyllin kufirin, e lejojnë të hyjë kë donë dhe e refuzojnë kë donë. Vendosin kushte e rregulla për kalimtarë e makina si të donë. Ata vazhdojnë t’i maltretojnë kosovarët pa më të vocklin problem, pavarësisht se nuk janë shtetas të tyre. Maqedonasit mbajnë qytetarët tanë në kufi me orë të tëra duke i marrë në pyetje së koti, meqë janë të sigurt se qeveria jonë nuk do t’u dal në ndihmë qytetarëve të vet. E kur jemi tek çështja e kufirit, nuk mund të mos kujtojmë Bllacën dhe vuajtjet e mëdha që i përjetoi populli ynë, pleq, gra e fëmijë nga qeveria e policia maqedonase. Ngjarje ato të cilat nuk harrohen dhe nuk bënë të harrohen, ngase janë pjesë e vuajtjeve dhe sakrificës sonë për liri e pavarësi.

Qeveria maqedonase është e vetëdijshme se shqiptarët, sikur shpeshherë më parë, edhe në këtë rast do të lëshojnë pe ndaj as që është e interesuar të dëgjojë për përshkallëzimin e situatës në kufi. Kjo për faktin se i njohin politikanët shqiptarë mirë. Nuk dua të paragjykoj se cila palë ka faj kësaj radhe, por është e vërtetë e pamohueshme se ne shqiptarët në përgjithësi jemi treguar shumë të butë, tolerant, të mëshirshëm madje edhe të dobët ndaj sllavëve në përgjithësi, përfshirë edhe maqedonasit që nuk njihen për ndonjë fuqi politike, ushtarake apo diplomatike. Faj të madh pa dyshim kanë edhe politikanët shqiptar atje si aleat të pushtetit aktual, të cilët e dinë fortë mirë realitetin, e dinë se çfarë marrëzirash bëjnë maqedonasit ndaj bashkëkombësve të tyre shqiptarë dhe prapë nuk ndërmarrin asgjë. Zaten asgjë nuk kanë në dorë dhe nuk janë në gjendje, siç thotë populli, ‘ta trembin as macen nga përsheshi’.

Jam i bindur se kjo situatë do të tejkalohet dhe atë shumë shpejt, por nuk do të tejkalohen lehtë mosmarrëveshjet mes shqiptarëve e maqedonasve, përderisa mentaliteti i këtyre të fundit nuk ndryshon. E si duket kjo nuk do të ndodhë derisa ne të vetëdijesohemi e t’i vendosim interesat shtetërore e kombëtare mbi çdo interes tjetër edhe nëse kjo na kushton me jetë.

Dhashtë Zoti që qeveritarët tanë të vetëdijesohen më shumë dhe të ndërmarrin çdo hap për të mbrojtur interesat e popullit e të shtetit. Allahu na ruajt nga sherri i sllavëve, nga sherri i të cilëve kemi vuajtur shumë dhe gjatë. Amiin, e deri javën tjetër Eselam alejkum.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...