Mehmet Bojkaj (1943-2025) - Figurë kyç e historisë së Deçanit dhe Kosovës

Opinione

Mehmet Bojkaj (1943-2025) - Figurë kyç e historisë së Deçanit dhe Kosovës

Nga: Prof.Asoc.Dr.Shkodran IMERAJ Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 23:24
Mehmet Bojkaj

Historia e Kosovës është ndërtuar mbi sakrifica, përkushtim dhe vendime të vështira të njerëzve të zakonshëm që vepruan në rrethana të jashtëzakonshme. Personalitetet që në momentet më kritike marrin përgjegjësi, që i qëndrojnë besnik idealit të lirisë dhe që punojnë për njerëzit e tyre, bëhen figura që jo vetëm e jetuan historinë, por e krijuan atë. Ndaj rikthimi te jetët e tyre nuk është vetëm nevojë dokumentuese, por edhe akt respekti ndaj atyre që me veprim, maturi dhe guxim lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë kolektive.

Në këtë radhë të personaliteteve që e kanë ndikuar dukshëm rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit, zë vend të veçantë Mehmet Bojkaj, një emër i njohur për integritetin, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj popullit të vet.

Mehmet Bojkaj u lind më 11 janar 1943, në fshatin Isniq të Deçanit, në një familje të nderuar, nga babai Bajrami dhe nëna Shkurta.

Shkollimin fillor e kreu në Isniq, ndërsa të mesmen në Shkollën Bujqësore në Pejë. Studimet universitare i nisi në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës, por për arsye ekonomike u detyrua t’i ndërpriste, duke i vijuar më pas në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, të cilën e përfundoi me sukses.

Qysh si student, Mehmeti nisi punën si mësues: fillimisht në Arllat të Gllogocit, pastaj në Raushiq të Pejës dhe më vonë si arsimtar në Prapaqan të Deçanit. Në vitin 1991 u transferua në Isniq, ku shërbeu me përkushtim deri në pensionimin e tij në vitin 2008. Profesioni i mësuesit mbeti një prej identiteteve të tij më të dashura dhe më të respektuara.

Mehmet Bojkaj është një nga figurat e atyre viteve të vështira që u rreshtua natyrshëm krah lëvizjes gjithëpopullore të Kosovës, nën udhëheqjen e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Menjëherë në fillim të viteve ’90, ai u anëtarësua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Deçan, duke u bërë shtyllë e rëndësishme e organizimit politik dhe institucional të kohës.

Si një njeri i bindur në rrugën institucionale të rezistencës, ai iu përgjigj thirrjes për t’u përfshirë në formacionet e Mbrojtjes Territoriale, trupa ushtarake të ideuara nga Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, dhe të udhëhequra nga Hajzer Hajzeraj. Mehmet Bojkaj u emërua zëvendëskomandant i trupave të Mbrojtjes Territoriale në Deçan. Pikërisht për këtë aktivitet, ai u arrestua së bashku me eprorët Rrustem Tetaj dhe Ibrahim Ukëhaxhaj. Gjykata e Pejës e dënoi me 3 vjet burg, një dënim i rëndë që synonte të frikësonte çdo formë rezistence shqiptare.

Pas lirimit, ai jo vetëm që nuk u tërhoq, por e vazhdoi misionin e tij politik dhe atdhetar. U zgjodh kryetar i nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Isniq, duke qenë një prej organizatorëve më të rëndësishëm të jetës politike e shoqërore të fshatit.

Me fillimin e vitit 1998, rezistenca mori një formë të re. Me iniciativën e Mehmet Bojkajt, kryetar i LDK-së nëndega Isniq, në gjysmën e prillit 1998, në shtëpinë e Hazir Mehajt, u themelua Shtabi i UÇK-së për Isniq. Përfaqësuesit e partive politike që vepruan në Isniq, njëzëri zgjodhën oficerin Skënder Rexhëahmetaj për komandant, ndërsa Mehmet Bojkaj u emërua shef i Shtabit - një pozicion me përgjegjësi të jashtëzakonshme në rrethanat e përgjakshme të asaj kohe.

Gjatë gjithë luftës, roli i tij ishte vendimtar. Në shtator të vitit 1998, kur regjimi serb nisi zbatimin e planit famëkeq “Patkoi”, zona e Dukagjinit gjendej në rrezik të madh. Mijëra civilë të dëbuar nga Mitrovica, Istogu, Peja, Klina, Rahoveci, Gjakova, Juniku dhe fshatrat e Deçanit u strehuan në Isniq, ndërsa forcat shqiptare bënin përpjekje të jashtëzakonshme për t’i mbrojtur.

Në ato ditë dramatike, roli i Mehmet Bojkajt në shpëtimin e afro 100 mijë shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm, duke e bërë një prej figurave kyçe të organizimit të popullsisë dhe mbrojtjes së saj.

Pas luftës, Mehmet Bojkaj u rikthye sërish aty ku kishte nisur, në shërbim të njerëzve. Vazhdon mësimdhënien dhe, me propozimin e Presidentit Rugova, kandidon për kuvendar komunal. Populli e votoi masivisht, duke e bërë ndër më të përkrahurit.

Në fund të vitit 2000, në mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit të Komunës së Deçanit, Mehmet Bojkaj u zgjodh kryetari i parë i Deçanit nga zgjedhjet e lira dhe ndërkombëtarisht të njohura.

Gjatë mandatit të tij, ai u dallua për dinjitet, maturi dhe punë të palodhur. E drejtoi Deçanin në kohën më të ndjeshme të rindërtimit, duke lënë pas vepra dhe kujtime të cilat ende sot vlerësohen në Deçan e më gjerë. Ai ishte fjalëpak, por punëtor i madh; i urtë, por i vendosur; njeri i besës, i fjalës dhe i kohës.

Më 1 dhjetor 2025, në orët e para të mëngjesit, pushoi zemra e një burri të madh, trim e atdhetar: mësimdhënësit, zëvendëskomandantit të Mbrojtjes Territoriale të Republikës së Kosovës në Deçan (1991-1993), të burgosurit politik, shefit të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Isniq dhe kryetarit të parë historik të zgjedhur pas çlirimit të Kosovës, Mehmet Bojkaj (1943-2025).

Vepra e Mehmet Bojkajt do të mbetet e përhershme. Isniqi, Deçani dhe gjithë populli shqiptar humbën një burrë të madh, por fituan një emër që nuk do të harrohet.

Me rastin e vdekjes së tij, telegrame ngushëllimi dërguan: Presidentja e Kosovës Dr.Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Dimal Basha, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Dr.Lumir Abdixhiku, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, Bashkim Ramosaj Kryetar i Deçanit, Ruzhdi Shehu Kryetar i Junikut, Avdullah Hoti  ish-kryeministër i Kosovës, Driton Selmanaj ish-zëvendëskryeministër, Armend Zemaj  ish-ministër i Shëndetësisë, Akademik Kujtim Shala ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe Dr.Shkodran Imeraj bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Historisë në Prishtinë.

(autori është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Historisë Bashkëkohore të Institutit të Historisë në Prishtinë)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat