LDK dhe Ferid Agani – një përzierje që s’ka lidhje me ideologjinë

Opinione

LDK dhe Ferid Agani – një përzierje që s’ka lidhje me ideologjinë

Nga: Saim Tahiraj Më: 9 dhjetor 2025 Në ora: 13:20
Saim Tahiraj

Në politikën e Kosovës po shfaqen aleanca që në çdo vend tjetër do të duken të pakuptimta, madje të pamundura. Një nga këto është afrimi mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ferid Aganit me partinë e tij.

Pyetja që lind natyrshëm është: çfarë i bashkon këta dy subjekte? Përgjigjja e sinqertë është: asgjë në planin ideologjik, programor apo historik. LDK është parti e qendrës së djathtë europiane, me traditë institucionale, me kulturë politike laike dhe me orientim të pandryshuar euro-atlantik.

Ndërsa Partia e Drejtësisë e Aganit ka profil të qartë konservator-fetar, me fokus në çështje morale e kulturore që nuk kanë kurrfarë përputhjeje me vlerat e LDK-së rugoviane. Këto dy botë nuk kanë qenë kurrë komplementare. Bashkëpunimet e dikurshme s’kanë qenë fryt i përputhjes programore, por të nevojës së momentit.

E pra, pse atëherë kjo afërsi? Sepse politika kosovare tashmë funksionon mbi aritmetikë, jo mbi parime. LDK kërkon çdo votë që mund ta forcojë në betejën me rivalët, ndërsa Agani kërkon mbijetesë politike dhe hapësira të reja për ndikim. Aty ku humbet ideologjia, lind marrëveshja. Aty ku venitet parimi, rritet pazari. Kjo përzierje nuk është e çuditshme vetëm për nga përbërësit, por për faktin se po tregon zhveshjen e plotë të sistemit tonë politik nga identitetet ideologjike. Në Kosovë sot partitë nuk sillen si kampe idesh, por si grupe interesi. Aleancat nuk bëhen “për diçka”, por “kundër dikujt”. Fjala “koalicion” shpesh përkthehet si llogari pragmatiste për poste, jo si bashkim i vizioneve.

Prandaj edhe shfaqen kombinime politike që janë të paimagjinueshme në demokracitë e konsoliduara. Dhe po, në këtë drejtim ne paskemi dalë vërtet sui generis – një përjashtim politik i llojit të vet, ku partitë lëvizin si figurat e shahut pa një tabelë parimesh nën vete. Historia moderne e politikës sonë tregon se kur humbet boshti ideologjik, çdo aleancë është e mundshme. Por jo çdo aleancë është e shëndetshme. Koha do të tregojë nëse këto afërsi janë thjesht marrëveshje momentale, apo simptoma të një krize më të thellë të identitetit politik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat