Antirugovistët janë brenda Lidhjes Demokratike!

Opinione

Antirugovistët janë brenda Lidhjes Demokratike!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 janar 2026 Në ora: 09:02
LDK

Kam qenë i ftuar disa herë në veprimtari që janë organizuar në Kosovë dhe i janë kushtuar presidentit historik, Ibrahim Rugova. Dhe gjatë këtyre veprimtarive, ndonëse para publikut flitej për kontributin dhe figurën e liderit të papërsëritshëm të vendit, në margjinat e bisedave jashtë aktivitetit kam dëgjuar të flitet me shpoti kundër Ibrahim Rugovës. Madje me narrativat e Hashim Thaçit në librin e tij të sponsorizuar e të shkruar me porosi nga dy studiues amerikanë. Ata që tregonin batuta anti-Rugovë donin të thoshin se pikërisht këta ishin meritor në kohën e viteve ’90-ta. Tani këta thash e themexhinj drejtojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kam qenë në tavolina me disa krerë të Lidhjes Demokratike, të cilët i konsideroja bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës dhe kanë qenë të tillë. Por më ka qëlluar që ndonjë prej tyre të bisedonte me dikë në krahun tjetër, sërishmi me kritika për Rugovën, madje duke u përpjekur të fshiheshin para meje. Duke besuar se nuk e kisha vëmendjen e duhur. Jam befasuar edhe në këtë rast. Dhe pikërisht këta uzurpuan Lidhjen Demokratike të Kosovës. E vërteta është se këta uzurpatorë luftuan me ashpërsi këdo që e donte me sinqeritet dhe e respektonte pa fund emrin, veprën dhe kontributin e pamatë të liderit historik të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike.

Në fakt këta njerëz ishin aty në krah të Ibrahim Rugovës gjatë kohës që ai udhëhiqte Kosovën dhe LDK-në e nuk folën kurrë kundër tij, së paku ballë për ballë me liderin legjendar! Nuk e kundërshtuan asnjëherë, sepse mendimi dhe veprimi i tij kishte qëllime madhore. Ata e dinin se autoriteti i Rugovës i përblaste politikisht barkas të gjithë kundërshtarët e tij. Sepse, siç thotë At Zef Pllumi, ai ishte mbi të gjithë, më i madhi, më i mençmi e më i zoti! Por pas vdekjes dhe shkuarjes në amshim të tij nuk e patën të vështirë të flisnin për “veset” e Rugovës. Jo për të dëshmuar një realitet të zaknshëm e njerëzor, por me frymën denigruese të dukshme kundër tij. Pikërisht këta kanë uzuruar vendimmarrjen në Lidhjen Demokratike.

Pse ka ndodhur kjo? Sepse këtyre njerëzve me dy e më shumë fytyra u duhej që të ushqeheshin në grazhdin e pushtetit të Hashim Thaçit. Po si mund t’i dallojmë këta, thoni ju?! Ja për shembull, në ditët tona ata thonë se “Albin Kurti ishte dhe është armiku më i madh i Ibrahim Rugovës”! Dhe me këtë duan që të legjitimojnë bashkëpunimin 15 vjeçar me Thaçin dhe partinë e tij. Megjithatë gjithkush e di se Kurti ka qenë kundërshtar ideologjik i Rugovës dhe LDK-së, por jo armik I tij. Sot ai shpreh respekt për liderin e paharruar të Kosovës. Kurse Hashim Thaçi këtej vendoste lule në memorialin e Dr. Rugovës, në anën tjetër pagoi 500 mijë dollar amerikanë për të shkruar në librin për të se “Rugova kishte vese”! Se Hashimi ishte pa vese?! Kundërshtarët e Rugovës në LDK kanë harruar se armiqtë e Rugovës ishin dhe janë ata që i bënë atentat e deshën ta likuidojnë fizikisht. Janë ata që e vunë në krye të listës për ta eliminuar fizikisht në emër të “tradhtisë”! Janë pikërisht ata që e tradhtuan Kosovën, duke dashur t’ia tjetërsojnë asaj territorin në dobi të Serbisë, që Rugovën e etiketuan si “tradhtar”! Sigurisht për të fshehur tradhtinë e tyre të ndyrë.

Po këta që marrin vendime në LDK pse i mëshojnë alternativës sipas së cilës Kurti dhe jo Thaçi qenka armiku më i madh i Ibrahim Rugovës? Sepse veprimtarinë e tyre kundër shtetësisë dhe institucioneve të Kosovës ta maskojnë me emrin e liderit historik! E duan Rugovën për vota, por jo për shtet!Besojnë se Rugova iu jep atyre “legjitimitet”! U duhet Rugova për të justifikuar qëndrimet anti-shtet. Shkurt për të justifikuar veprimtarinë e tyre të dëmshme për institucionet dhe shtetin e Kosovës! Pikërisht këtu qëndron thelbi i  konfliktit brenda Lidhjes Demokratike. Kjo është arsyeja pse lidershipi i kësaj partie para 7-8 vitesh e luftoi me aq ashpërsi Vjosa Osmanin, Donika Gërvallën dhe të tjerë aktivistë që ishin kundër bashkëpunimit të Lidhjes Demokratike me Hashim Thaçin.

Nëse Lidhja Demokratike nuk distancohet nga këta politikanë uzurpatorë dhe nga politika e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Thaçit dhe Veselit, atëherë ajo nuk do të jetë e aftë të rikthehet në ideologjinë dhe filozofinë e Ibrahim Rugovës. Dhe nëse nuk kthehet në këtë filozofi, atëherë ajo nuk do të shkojë në elektorat më shumë se sa 10-12 për qind. Do të zejë vendin e AAK-së. Lutem që të kemi një Lidhje Demokratike tjetër, atë Lidhje Demokratike që udhëhoqi presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat